Spartak Ngjela: Ja ku ndodhet lista me agjentë shqiptarë të UDB dhe KGB që mori me vete Bashkim Gazidede

Shqipëria

Spartak Ngjela: Ja ku ndodhet lista me agjentë shqiptarë të UDB dhe KGB që mori me vete Bashkim Gazidede

Më: 27 shkurt 2024 Në ora: 07:10
Spartak Ngjela

Avokati i njohur Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet e fundit politike.

Në një prononcim për media, ai ka folur për protestën e 20 shkurtit. I pyetur nëse qëllimi i vërtetë i Sali Berishës dhe “Foltores” ishte që të tregonte se janë ata PD e vërtetë dhe duan që të rrëmbejnë vulën, apo e bëri për t’i treguar amerikanëve se ka forcë, pasi i druhet ndonjë ekstradimi të mundshëm, avokati u shpreh se Berisha dështoi në protestë.

Nuk tregojë asnjë forcë ai. Ai dështoi me atë protestë. Ata nuk thonë as numrin dot aq e paktë ishte. Çfarë do ti tregoj Amerikës një njeri, i cili në Amerikë ai është shpallur person  non grata dhe që populli nuk e shpërfill”, tha Ngjela.

Gjithashtu një lajm që vazhdon ende të komentohet është edhe mungesa e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe deputetes së kësaj force politike, Monika Kryemadhi, të cilët nuk ishin të pranishëm në protestën e thirrur nga opozita. Ngjela thotë se çifti Meta-Kryemadhi e dinte se kjo protestë do të dështonte. Ai tha se Berisha që e organizoi është në burg dhe ata mund të diskreditoheshin nëse shkonin.

“Ata nuk shkuan fare sepse e dinin që ajo është ishte një protestë që do të dështonte. Pastaj ai që e organizoi është në burg dhe është një person që është shpallur non grata dhe është i akuzuar për korrupsion të nivelit të lartë. Ata nuk mund të diskreditoheshin dhe nuk shkuan, e braktisën atë protestë”, u shpreh avokati për Sot.

Agjentet e UDB dhe KGB

Nga ana tjetër Ngjela komentoi dhe paralajmërimin e fortë të Lulzim Bashës pak ditë më parë. Kryedemokrati ka premtuar hapjen e dosjeve për zbulimin e agjentëve të KGB sovjetike dhe të UDB jugosllav, një kambanë alarmi për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-presidentin Ilir Meta, apo dhe zyrtarë të tjerë të lartë të përfolur për lidhjet e tyre me ish-sigurimin dhe agjenturat e huaja.

Gazeta raportoi pak ditë më parë dhe detajet nga një dokument sekret i Shërbimit Informativ Shtetëror zbulon se ish-kreu i këtij shërbimi, Bashkim Gazidede ka marrë me vete pas ikjes nga detyra, dosjen e agjentëve të UDB në Shqipëri dhe atyre të dyfishtë të lidhur me shërbimin jugosllav deri në 1991.

Bëhet fjalë për procesverbalin e një inventari të urdhëruar në 1997 pas largimit të Gazidedes nga posti. Dosja sot rezulton e zhdukur. Por për Ngjelën, ky fakt nuk përbën shqetësim, pasi të gjitha dosjet e zhdukura gjenden në SHBA. Ai tha se, amerikanët i kanë të gjitha informacionet e ruajtura në arkiva.

“Po i kanë. Nuk diskutohet se ata i kanë. I bëjnë presion këtyre të korruptuarve sepse një përqindje jo e vogël e të korruptuarve kanë lidhje me Beogradin dhe Moskën”, u shpreh ai.

Vendimi për Berishën

“Sali Berisha njeri i rrezikshëm që rrezikon të prishë provat, ka shkelur vendimin e gjykatës në mënyrë të përsëritur”, kështu thuhet tek vendimi i Apelit të GJKKO-së.

Ngjela, i pyetur se çfarë është i aftë të bëjë ish-kryeministri për të shpëtuar nga burgu dhe a duhet që të merret një masë më e rëndë ndaj tij nga drejtësia, tha se ky është një dënim i rëndë për kreun e Foltores.

Sipas tij, ai është 80 vjeç dhe SPAK nuk ka ca masë t’i japë tjetër “Drejtësia ndaj tij e ka marr masën më të rëndë, ka marr masë ekstreme arrest shtëpie, sepse ai është 80 vjeç nuk ka ca mase t’i japë tjetër. Edhe ai arrest është, sepse ai e përfiton nga ligji dhe nuk shkon në arrest me burg në atë moshë në të cilën është ai. Ligji e njeh të barabartë arrestin në burg arrestin në shtëpi dhe aq ditë fiton, sa fiton në burg fiton edhe atje”, nënvizoi Ngjela.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat