Baza ajrore e NATO-s në Shqipëri do të inaugurohet nesër

Shqipëria

Baza ajrore e NATO-s në Shqipëri do të inaugurohet nesër

Më: 3 mars 2024 Në ora: 17:09
Foto ilustrim

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje nga baza e ajrore taktike e NATO-s në Kuçovë, që pritet të inaugurohet këtë të hënë.

Sipas Peleshit, kjo bazë ajrore rrit profilin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare, duke forcuar angazhimin e vendit tonë për siguri dhe paqe në rajon.

“Edhe 1 ditë nga inaugurimi i Bazës Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë, një hap i madh në fuqizimin e kapaciteteve tona ushtarake”, shkruan Peleshi.

“Ky zhvillim i rëndësishëm jo vetëm që rrit profilin tonë në skenën ndërkombëtare, por gjithashtu forcon angazhimin tonë për paqe dhe siguri në rajon”, përfundon Peleshi.

Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar dhe projektuar sipas kërkesave të NATO-s dhe ka kapacitet mbajtës të njëhershëm për 6 avionë reaktivë dhe 2 avionë transporti.

Operimi në bazën ajrore të Kuçovës, do të bëhet nga personeli i Forcës Ajrore, Personeli fiks i Bazës Ajrore të Kuçovës dhe personeli i NATO-s. Po ashtu, në vijim do të ketë edhe personel shtesë që do të vlerësohet në një fazë tjetër, sipas nevojave. Baza ajrore e Kuçovës, është përzgjedhur mes dhjetëra bazave të tjera ajrore të NATO-s, pasi ka pozicionin gjeostrategjik tejet të favorshëm në detin Mesdhe.

Kjo bazë është përzgjedhur ndërmjet dhjetëra bazave ajrore të NATO-s të tjera për t’u ndërtuar, projektuar dhe për të funksionuar si një bazë ajrore taktike. Kjo duke nisur nga pozicioni gjeografik, kushtet atmosferike dhe pozicioni gjeostrategjik, që ofron mundësi të për mbështetjen e forcave të NATO-s në të gjitha operacionet në krahun juglindor të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Baza e Kuçovës u ndërtua në vitin 1936 për uljen e avionëve italianë. Në vitin 1955 u bë bazë operacionale e Forcës Ajrore Shqiptare në kuadër të traktatit të Varshavës. Pas një periudhe fjetjeje, tashmë kjo bazë ajrore vihet në dispozicion të NATO-s.

Risi në këtë bazës ajrore do të jetë dhe instalimi i 3 dronëve “Bayraktar TB2”, të cilat u morën nga Shqipëria falë marrëveshjes të firmosur me Turqinë në vitin 2022. Droni është një mjet ajror luftarak pa pilot i prodhuar nga kompania turke e teknologjisë Bayraktar. Tri njësitë e para hynë në shërbim me Forcat e Armatosura Turke më 29 gusht 2021. Bayraktar TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat