Rama: Nuk dëmtohen për asnjë hall të askujt ata që marrin peng parlamentin për interesat e tyre

Shqipëria

Rama: Nuk dëmtohen për asnjë hall të askujt ata që marrin peng parlamentin për interesat e tyre

Më: 11 mars 2024 Në ora: 20:19
Edi Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim për procesin e rienergjizimit të PS me organizatat socialiste 1140 Peshkopi dhe 0990 Klos.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, “sot njerëzit kanë kuptuar shumë gjëra që deri para pak kohësh ishin të vështira për t’u gëlltitur. Sot njerëzit kanë kuptuar në masë të madhe, në masë shumë më të madhe se deri disa vite përpara, që në fund të fundit kjo nuk është punë tifozllëku.

Kjo është punë interesi. Interesi për progresin”.

Për këtë arsye, theksoi Rama, “ka pasur një lëvizje, jo vetëm këtu, por edhe në zona të tjera të vendit dhe kulmi i kulmit ka qenë Shkodra, të shumë njerëzve që deri dje as nuk e imagjinonin që mund të votonin për kandidatë të PS-së, drejt këtyre kandidatëve për interesin e progresit”.

“Pasi kanë provuar e stërprovuar në pafundësi, verbërisht, të njëjtën gjë, duke pritur rezultate të tjera dhe kanë marrë po të njëjtin rezultat shumë njerëz kanë kuptuar që tifozlliku i verbër politik, i pambështetur në fakte dhe në prova, të cilat ata që marrin mbështetje duhet të japin përditë, është vetëm në dëmin e njerëzve të zakonshëm”, tha Rama.

“Nuk dëmtohen personalisht, në asnjë formë, ma besoni, dhe nuk e humbasin gjumin natën për asnjë hall, të askujt, ata që marrin peng parlamentin.

Ka shkuar në parlament me votën e njerëzve dhe marrin peng parlamentin vetëm për interesat e tyre.

Po nuk dëmtohen ata. S’i gjen asnjë gjë. Në fund kanë shumë më tepër sesa ç’kanë shumica dërrmuese e atyre që i kanë votuar”, u shpreh Rama.

“E sjell këtë shembull për të thënë që fillimi i një ndryshimi të kahjes së mendimit në raport me cilën parti duhet të mbështesë dhe fillimi i të parit të partive me një sy më të ftohtë sesa më përpara, është diçka shumë pozitive dhe sot është një potencial që ne duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht”, shtoi më tej Rama.

“Nuk ka fare për ne rëndësi nëse dikush ka qenë përballë nesh, kundër nesh nga pikëpamja politike flas, dhe kur ky dikush është i gatshëm të bashkohet me ne, ne duhet ta mirëpresim krahëhapur, mirë se të vijnë të gjithë.

S’është ndasi e dhënë njëherë e përgjithmonë dhe e përjetshme.

Ka faza të caktuara në rrugën e përbashkët kur njerëzit mendojnë ndryshe, ka faza si kjo kur njerëzit janë më të prirur të afrohen dhe bashkohen për të parë njësoj të njëjtën rrugë të çuarjes përpara të punëve”, nënvizoi ai.

Dhe, vijoi Rama, “siç janë punët në çdo komunitet ku janë bërë gjëra, po bëhen gjëra dhe duhen bërë shumë më tepër gjëra, pra duhet të vazhdojë progresi, ashtu janë dhe punët e Shqipërisë në tërësi ku çfarë është bërë me ekonominë është inkurajuese, po e pamjaftueshme dhe duhet çuar përpara.

Çfarë është bërë me drejtësinë është inkurajuese, po e pamjaftueshme, dhe duhet çuar përpara.

Atëherë duhet PS-ja. Si mendoni, që nëse PS këtu në Dibër do të ishte siç ka qenë, do ekzistonte fuqia për të bërë kaq shumë më tepër gjëra këtu sesa ç’janë bërë përpara?! Të jeni të sigurt që jo.

Unë mendoj që kur se kam filluar ta njoh PS-në nga brenda, në të gjithë territorin dhe e kam thënë dhe e them gjithmonë, nuk ka asnjë qendër votimi ku PS nuk fiton dot, nuk ekziston në Shqipëri”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat