Rama: Projekti i Kushner në Sazan, xhevahiri i turizmit mesdhetar

Shqipëria

Rama: Projekti i Kushner në Sazan, xhevahiri i turizmit mesdhetar

Më: 22 mars 2024 Në ora: 14:49
Edi Rama

Projekt propozimin e bërë nga Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, për të ndërtuar në ishullin e Sazanit një resort turisitk të një prej markave më prestigjoze në fushën e hotelerisë “Aman”, Edi Rama e sheh si një mundësi të artë për ta kthyer Shqipërinë në xhevahir të turizmit mesdhetar.

Nga studio e emisionit “Opinion” s’e fshehu aspak se projekt-propozimi i cili është depozituar pranë Agjencisë së Investimeve të Huaja është një prej ambicieve të tij të hershme.

“Një investim i cili ta transformojë Sazanin në atë që ka qenë qysh në krye të herës dëshira, ambicia edhe e paraardhësve të mi që ka qenë fiksimi im qysh se kam ardhur në detyrë, kemi pasur 3 apo 4 kërkesa më parë joformale nga investitorë të mëdhenj të cilët i kemi refuzuar ne, nuk janë larguar, sepse nuk kanë qenë ambicie dhe qasje të përputhura me atë që ne mendojmë se duhet të jetë Sazani. Shpresoj që të jetë rasti që Sazani të bëhet xhevahiri më i ndritshëm i kurorës së turizmit Mesdhetar”.

Për herë të parë, Rama sqaroi se si ishte njohur me dhëndrin e ish-presidentit amerikan.

“E kam njohur rastësisht se ai ka ardhur me gruan dhe miq të tjerë për ta vizituar Shqipërinë me jaht. Pronari i jahtit më ftoi kur kishin ndaluar në Durrës. Shkova, u takuam, kemi biseduar dhe kaq. Kjo ka qenë njohja. Pastaj jemi takuar herë pas here”.

Poshtë hodhi çdo aludim se pas këtij projekti qëndron një mundësi e artë e kryeministrit për të rivendosur marrëdhëniet me ish-presidentin amerikan, pasi e cilësoi në 2016 si turp të civilizimit.

“Unë nuk kam raport për të rindërtuar me Presidentin Trump se raportin me të e kam pasur shumë të mirë. Është turizëm që nuk ndot, që me një klient sjell në ekonominë e vendit të ardhura sa për 100 turistë që vijnë me çantë”.

E teksa për Sazanin ka zyrtarisht një projekt-propozim për të cilin qeveria nuk ka një vendim, për Zvërnecin, i cili është zonë e mbrojtur, ende nuk ka një të tillë.

“S’kemi akoma një projekt të dorëzuar zyrtarisht për pjesën e Zvërnecit”, tha Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat