“Odisea e pensionistëve”/ Gjyqtari Ardian Dvorani për pensionistët që sorollaten gjykatave: Institucionet të mbajnë përgjegjësi!

Shqipëria

“Odisea e pensionistëve”/ Gjyqtari Ardian Dvorani për pensionistët që sorollaten gjykatave: Institucionet të mbajnë përgjegjësi!

Më: 30 mars 2024 Në ora: 20:55
Foto ilustrim

Në episodin e radhës të podcastit “Fol me Anila Hoxhën”, projekt i qendrës FOL i mbështetur financiarisht nga ambasada amerikane në Tiranë që transmetohet të shtunën e fundit të çdo muaji në Top Albania Radio, tema e diskutimit ishte “Odisea e pensionistëve”.

Në Shqipëri numri i të moshuarve të përfshirë në skemën e pensioneve deklarohet 705 mijë persona, me një buxhet që për vitin 2024 është llogaritur 183 miliardë lekë.

Por përtej këtyre të dhënave , qindra qytetarë që kanë mbushur moshën e pensionit, vazhdojnë të përballen me gjykatat. Këshilli i Lartë Gjyqësor pranon se 6500 të moshuar, presin përgjigje në gjykatat administrative dhe civile. Përballë humbjes së viteve të punës, të shkaktuar nga shkrirja e ndërmarrjeve shtetërore, kooperativave apo djegia e arshivave gjatë 1997 ata duhet të provojnë se kanë kontribuar.

Gjyqtari Ardian Dvorani thotë se institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi, se administrata duhet të mos i sorollasë të moshuarit por t’i informojë dhe ku gjenden dokumentet. Dvorani pranon se gjatë gjykimeve ka ndeshur raste kur të moshuarit kanë ndërruar jetë dhe çështja është pushuar. Ai shprehet se presin zgjidhje pasi projektligji për të ulur ‘backlogun’ është dorëzuar në kuvend, dhe sugjeron se një nga formulat është gjykimi me fushata për çështje të caktuara, përshembull pensionet dhe pensionet ushqimore nuk duhet të mbahen në radhë.

Anila Hoxha: Jemi me gjyqtarin administrativ zotin Ardian Dvorani. Jemi së bashku për të folur për pensionet, paditë,  fluksin, atë që quhet ndryshe si backlogu .Është kthyer në një kryefjalë.Pyetja e parë është pse ka kaq shumë qytetarë, të cilët vijojnë të kenë të pazgjidhur çështjen e pensioneve?

Ardian Dvorani: Kjo është një pyetje shumë komplekse , në përgjigje. Po iu jap një informacion deri në ditën e sotme, në Gjykatën Administrative të Apelit janë për shqyrtim 1496 çështje, që kanë të bëjnë me pensionet, në Gjykatën Administrative të Apelit , e cila është edhe gjykata në fakt që për arsye objektive është edhe gjykata më e ngarkuar me çështje, pra me një numër çështjesh të prapambetura që  i kalon numrin 22.000, pra dmth. që rreth 10 % e çështjeve që përbëjnë gjykime administrative mund të thuhet që janë të natyrës që lidhen me konfliktet që kanë lidhje me pensionet. Gjykata jonë edhe pse respekton radhën e regjistrimit të çështjes për ti shqyrtuar për një çështje të disa natyrave të caktuara e sidomos kur ka kërkesë nga palët, pra nga pensionistët, tenton të gjejë hapësirën më të  mirë të mundshme , për ti trajtuar çështjen e pensionit pa arsye që nuk ka nevojë ti detajojmë.

Anila Hoxha: Sepse qytetarët që janë natyrisht mosha e tretë janë të moshuar , kërkojnë përshpejtim të procesit apo ata janë paraqitur para Gjykatës Administrative të Apelit dhe kërkojnë prej saj të merret parasysh faktori moshë, të merret parasysh gjendja shëndetësore, pritja e gjatë e kështu me radhë . I sjellin si argumenta?

Ardian Dvorani: Nëse shikojmë  atë të parashikuar në ligj sot, çështjet në Gjykatën Administrative të Apelit duhet të mbyllen madje  brenda një muaji por kjo jo për shkak të mungesës së angazhimit të gjyqtarëve po kjo është krejtësisht e pamundur.Është e parashikuar në ligj por nuk funksionon. Edhe sikur gjykata të kishte trup të plotë gjyqësore dhe prandaj po ndërmerren edhe disa nisma në Kuvend sesi mund të riparohet situata. Po tani çfarë ka ndodhur? Për shkak sepse kemi patur çështje të prapambetura, pra është krijuar një numër shumë i madh i çështjeve të prapambetura , na ndodh që çështjet e pensionit të presin jo më me muaj po edhe me vite. Pra unë nuk dua të zgjatem shumë pse është  krijuar backlogu , pra një numër shumë i madh çështjesh. Ka një mori faktorësh, po fakti është që  sot ne  po gjykojmë  çështje të  viteve 2017-2018 . Jemi 6-7 vite me vonesë.

Anila Hoxha: Që dmth. për pensionistët, 6 vite pritje, ndërkohë nëse dikush ka depozituar një kërkesë…

Ardian Dvorani: Janë 6 vite për të gjithë, për të gjithë që kanë çështje në gjykatë administrative sepse ne nuk mund të themi që dikush duhet të privilegjohet por nëse marrim pensionistët ata presin me vite, gjë që  nuk është shumë normale. Kjo për shumë arsye, kështu që edhe kërkesa e tyre për përshpejtim , ata e bëjnë për të na e sjellë në vëmendje. Por ne nuk është se i kemi jashtë vëmendjes. Por gjithsesi ata mund të bëjnë përpara faktorin moshë dhe shumë arsye të tjera që kanë të bëjnë me  pse ata e kërkojnë çështja e tyre të shqyrtohet. Ata janë në të drejtën e Zotit që çështja të ishte shqyrtuar tashmë por njerëzit duhet ta kuptojnë që nuk është problemi tek gjyqtarët në këtë rast. Janë probleme të tjera të cilat e kanë shkaktuar vonesën. Ne po bëjmë maksimumin por jemi mbrapa dhe këtë duhet ta themi që jemi mbrapa. Në përgjithësi gjykata administrative edhe në shkallë të parë edhe në apel janë të kujdesshme kur gjykojnë  çështjen e pensioneve, kanë shumë arsye sepse janë pensionistë , janë në moshë . Shpesh nuk kanë mundësi financiare për të zgjidhur mbrojtësin më të  mirë, shpesh cilësia e shërbimit publik të ofruar për çështjen e tyre të pensioneve nga organet e sigurimeve shoqërore nuk është e duhura dhe për këtë arsye ata janë në vështirësi . Kështu që edhe gjyqtarët nuk i trajtojnë thjeshtë me atë parimin çfarë do më thotë pala ashtu do përgjigjem , por gjyqtarët përpiqen ti shkojnë deri në fund çështjes së pensioneve dhe mua më vjen mirë që kjo ndodh. Është edhe detyra e një gjykate administrative, pra të mbrojë interesin publik , aq më tepër të atyre që kanë më shumë nevojë kur i drejtohen gjykatës, jo ti favorizojë po tju japi të drejtën, por duke patur edhe një qëndrim pak më të vëmendshëm dhe më aktiv , pra duke mos u  bazuar vetëm në atë se çfarë thonë sigurimet shoqërore pse nuk i takon e drejta e pensionit, por ne e kërkojmë deri në fund të sqarohet çështja.

Anila Hoxha: Dhe ky ballafaqimi me sigurimet shoqërore dhe nga ana tjetër palën paditëse që është një i moshuar, ka gjithmonë këto qëndrimet “pro” dhe “kundër”. Qytetari i cili kërkon sepse i kanë humbur vitet. Cilat janë argumentat më të shpeshta?

Ardian Dvorani: E para, çështja e pensioneve është një çështje shumë sensitive. Është e parashikuar në Kushtetutë , neni 49 thotë “Secili ka të drejtë të fitojë një dispozitë, mjetet e tij të punës me punë të ligjshme që e ka zgjedhur vetë.”  Por kur njeriu arrin në një moshë të caktuar dhe moshën e pensionimit dhe objektivisht nuk ka mundësi, pra të fitojë mjetet e jetesës nëpërmjet punës.Prandaj janë edhe skemat e sigurimeve shoqërore dhe të mbrojtjes shoqërore sepse ti gjatë kohës që punon edhe kontribuon edhe në momentin kur ti nuk mund ta sigurosh mjetet e jetesës nëpërmjet punës duhet që shteti të të përgjigjet me  skemat e sigurimeve shoqërore. Por e dyta, mbrojtja shoqërore dhe pensionet janë një e drejtë kushtetuese e parashikon neni 52 i Kushtetutës që thotë që “kushdo ka të drejtën e sigurimeve shoqërore në pleqëri apo kur është i paaftë për punë”. Pra, kjo është një e drejtë e parashikuar posaçërisht nga Kushtetuta dhe që duhet mbrojtur. E drejta e pensionit lidhet në fakt me garantimin nga shteti të mjeteve të domosdoshme jetike, jo të luksit për një kategori të caktuar njerëzish për shkak moshe pensioni shpesh nuk kanë aftësitë fizike për të siguruar jetesën nëpërmjet një pune.

Anila Hoxha: Po këtë e thotë Kushtetuta dhe ligji. Por ne kemi një kategori qytetarësh të cilët kanë humbur vitet e punës dhe vijnë në gjykatë ? Pse ndodh kjo?

Ardian Dvorani: Po pra, prandaj është skema. Pse ka ndodhur? Ka shumë faktorë. Tani kushtet sesi përfitohet pensioni i parashikon ligji. Është e vërtetë, por faktet mbi të cilat njihet e drejta e pensionit ,lloji i pensionit dhe masa  e pensionit që përfiton  sepse edhe këto janë konflikte. Të gjitha janë konflikte ndonjëherë, janë të lidhura me jetën e pensionistit dhe ai mund të ketë vështirësi dhe jo rrallë ndodh që ka shumë vështirësi të sigurojnë dokumentacionin që vërteton kohën e punësimit , llojin e punësimit që ka pasur, vendin ku ka ushtruar punën dhe shpesh kjo është e shtrirë jo në një 1 vit ,në  2 vjet, siç mund të jetë një konflikt tjetër administrativ me administratën por është e shtrirë në dekada.

Anila Hoxha: Është e gjithë jeta e vet?

Ardian Dvorani: Është e gjithë jeta e tij dhe ai duhet të grumbullojë nëse apo duhet ta kërkojë të drejtën e tij duke marrë parasysh gjithë jetën e tij në dekada dhe shpesh grumbullimi i këtij dokumentacioni nga vetë pensionistët është i vështirë. Është e vërtetë që një pjesë të tyre administrohen vetë nga organet shtetërore , madje edhe nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, por jo gjithmonë ata i disponojnë të gjitha aktet. Kështu që kjo është një vështirësi, e parë. Pra, ata ndonjëherë ata vijnë me një dokumentacion jo të plotë. Nga ana tjetër ka probleme me dokumentacionin që është mbajtur, i cili nuk mbahet nga qytetarët , nga pensionistët.Mbahet nga organet e administratës publike është përgjegjësia e tyre që dokumentacioni të jetë i plotë, i pacenuar,  i paprekur , pa ndërhyrje e kështu me radhë. Dhe ndodh për shumë arsye që dokumentacioni që është i shtrirë në dekada edhe para viteve ‘90 është i vështirë të gjendet se ku është , mund të jetë diku po nuk gjendet se ku është apo nuk është i mbajtur i administruar, i ruajtur, i arkivuar ashtu siç duhet në mënyrë sistematike me referenca të plotë.

Anila Hoxha: Po pse nuk është përgjegjëse  Instituti i Sigurimeve Shoqërore që të ruajë të gjitha këto të dhëna ?

Ardian Dvorani: Është ajo, por jo vetëm ajo. Se  një pjesë e dokumentacionit nuk ndodhet pranë tyre. Por edhe nëse tani ndodhet pranë tyre , ajo ka qenë dikur e shpërndarë , pra një njeri ka punuar në disa ndërmarrje, në kooperativa bujqësore që kanë qenë dikur. Aktualisht pas viteve 1990,  në institucionet publike apo private, pra kjo është dokumentacioni mund të jetë grumbulluar nga të gjithë këto institucione dhe mund të mbahen arkivat .

Anila Hoxha: Realisht ky është një fenomen. Ne shohim qytetarë që kanë humbur vite pune për shkak se kanë punuar në ndërmarrje shtetërore, në ish-koorperativa dhe më pas janë detyruar që të thërrasin si dëshmitarë në gjykatë me kërkesë të gjykatës, të thërrasin kolegë të tyre që kanë punuar dikur me ta për të vërtetuar dhe për të provuar gjyqësisht se kanë punuar.

Ardian Dvorani: Kjo ndodh sepse kanë probleme dokumentacioni. Po sigurisht jo në të gjitha rastet ata që pretendojnë të drejtën e pensionit kanë të drejtë. Sic rezulton nga praktika ka raste kur pretendimet e tyre nuk janë të bazuara dhe nuk janë në përputhje me ligjin. Por sikurse ka raste ata kanë të drejtë praktikisht por ka qenë e pamundur për shkak të mënyrës sesi është ruajtur,  administruar dokumentacioni në dekada, kjo krijon probleme. Psh. dokumenti thelbësor është regjistri themeltar i punonjësve.Nëse të dhënat janë në regjistrin themeltar kjo ka një garanci të madhe pastaj që ti të pretendosh të drejtën e pensionit pas asaj janë listat,listëpagesat, janë borderotë të cilat plotësojnë njëra-tjetrën apo në mungesë të njërës plotësohet vërtetësia e pretendimit të pensionistit nga dokumenti tjetër, janë librezat e punës dhe ka shumë dokumenta të cilët merren parasysh. Ka raste kur nuk dihet se ku mbahen dhe administrohen dhe mezi gjenden. Ka raste edhe kur ka ndërhyrje. Ka edhe raste kur ka pasaktësi  në mënyrën sesi e ka mbajtur nëpunësi i dikurshëm të dhënat.Pra, mund të kenë  shënuar të dhënat në mënyrë të gabuar.Një ditëlindje e shënuar gabim, një emër apo mbiemër i shënuar ndryshe. Edhe ka ndodhur. Edhe ka plot raste. Këto janë arsyet kryesore pse ndodhin mosmarrëveshjet me organet e sigurimeve shoqërore . Nuk është një  mungesë vullneti për tia njohur të drejtën e pensionit . Pastaj këtu ka edhe një dimension tjetër sesa bashkëpunuese dhe sa e prirur është administrata publike për të asistuar qytetarët që të japë ndihmë aktive, thotë ligji .

Anila Hoxha: Për mbledhjen e dokumentave?

Ardian Dvorani: Pra, jo thjeshtë ti përgjigjet një kërkesë të qytetarit, pra jo ti japë një përgjigje “po do më biesh dokumentat, ta dhashë listën përpara , po mi solle mirë, po nuk mi solle vrit veten”.

Anila Hoxha: A është ndihmuese administrata, sa kohë vihet përballë qytetarëve në gjykatë?

Ardian Dvorani: Administrata jonë nuk është e keqe, por unë mendoj që ka mangësitë të shumta në këtë drejtim. Ndihmën aktive nuk e japin shpesh, pra ata kur shikojnë dokumentacionin e plotë ka detyrimin nuk është thjeshtë një humanizëm apo jo, por është detyrimi tu thonë që këtë dokumentacion nuk është i plotë , në këtë pikë, në këtë pikë. Kjo gjendet këtu. Të orientojë të bësh një kërkesë me shkrim. Duhet edhe të udhëzojnë se si ta realizojë të drejtën, nuk janë thjesht aty në pritje të njerëzve për ti parë a i ka dokumentat e plota dhe thjesht për tia hedhur në fytyrë për ti thënë “nuk e ke të plotë,  shko gjeji dhe është problemi jot sesi do ti gjesh”. Ata duhet të japin një ndihmë aktive. Unë nuk mund të them që kjo është një fenomen por edhe ky është një arsye sepse përderisa në proceset gjyqësore në shumicën e rasteve fituese janë pensionistët, kjo tregon sipas mendimin tim se ka patur dicka më shumë për të bërë administrata publike dhe drejtoritë e sigurimeve shoqërore dhe institucionet publike ku qytetari drejtohet për të marrë dokumentacionin që e administrojnë organet shtetërore dhe nuk ka për detyrë dhe as nuk  e disponon.

Anila Hoxha: Po flasim për paditë gjyqësore në gjykatat administrative, por ndonjëherë edhe në gjykatat civile. Sa i takon humbjes së viteve të punës apo edhe gabimeve gjatë kohës kur shtetas të ndryshëm teksa janë të punësuar shënojnë gabim identitetin e tyre emrin, mbiemrin , atësinë ose shënojnë emrin ashtu sikurse ata njihen me emrin e shkurtuar dhe jo me emrin zyrtar.

Ardian Dvorani: Po, ka një larmi pafund  pasaktësish në dokumenta  të kësaj natyre,  të cilat  ose të bëjnë të përfitosh dhe të  abuzosh me të drejtën e pensionit ose të pengojnë që ti ta gëzosh të drejtën e pensionit,pra këto pasaktësi.

Anila Hoxha: Të vogla? Por  që duken thelbësore.

Ardian Dvorani: Nuk janë të vogla. Nganjëherë mendjelehtësia  apo pa  u thelluar organi i sigurimeve shoqërore thotë që nuk është i njëjti identitet , por nuk thellohen për ti thënë, po mirë më sill nëse ka në fshatin tënd një person tjetër me emrin Ardian Dvorani , nëse nuk ka dhe nga të gjithë të dhënat të tjera që ka dokumentacioni, ti rezulton se je banor i atij fshati, atëherë këtu nuk ka arsye për të menduar që ti nuk je ai personi që ke punuar në atë kooperativë .

Anila Hoxha: Të sillen deri diku si para gjykatë?

Ardian Dvorani: Po patjetër. Gjykata nuk është se shpik ndonjë gjë. Nuk shpik rregulla dhe ligje,interpreton ligje. Për të respektuar edhe qëllimet pse dalin ligjet. Meqenëse datëlindja juaj nuk është po themi nuk është 1956,  po është 1958 nuk jeni i njëjti person nuk mund të mbyllet këtu praktika nga organet e sigurimeve shoqërore . Ato mund ta orientojnë me parimin e ndihmës aktive, por edhe nga përvoja e tyre ti thonë “mirë më sill një certifikatë  nga njësia administrative”. A ka një person tjetër me këtë emër dhe me këtë ditëlindje. Nëse nuk ka , patjetër që është personi i cili ka paraqitur dokumentat , pra një pasaktësi dhe një gabim që nuk është bërë nga qytetari por është bërë nga administrata që mban dokumentacionin,nuk mund të bëhet pengesë për të fituar këtë të drejtë.

Anila Hoxha: Sa kohë ata  nuk shënojnë dhe nuk janë të kujdesshëm në regjistrimin e emrit të plotë ?

Ardian Dvorani: Është problemi tek mënyra sesi mbahen regjistrat . Në regjistrat themeltar emri “Anila Hoxha” apo “Ardian Dvorani” mund të shënohet me gabime . Nuk e ka bërë qytetari e ka bërë nëpunësi këtë gabim, mund ta ketë bërë edhe para 30 vjetësh.

Anila Hoxha: Dhe pasojën e vuan…

Ardian Dvorani: Dhe pasojën e vuan qytetari sot.

Anila Hoxha: Këto janë mangësitë në dokumentacion. Po  pjesa  tjetër, problemi tjetër  që lidhet me zhdukjen e dokumentacioneve , që deri diku   është prekur dikur  edhe nga Gjykata e Lartë , sa i takon zhdukjes së dokumentave gjatë vitit 1997.

Ardian Dvorani: Ky ka qenë një fenomen i vitit 1997, ku në arkivat e ndryshme të institucioneve të ndryshme, për ato arsye që ndodhën në 1997 kanë humbur dokumenta. Dhe sigurisht që kjo e vështirëson njohjen  e  një të  drejte, jo vetëm të pensionit por edhe të drejtave të tjera. Por mendoj që ka rrugë të tjera pastaj të tërthorta që njerëzit ta kërkojnë dhe ta realizojnë të drejtën e pretenduar prej tyre nëse iu takon kuptohet.

Anila Hoxha: Po flasim për  këtë fenomenin e shtrirë në kohë , para 1990 dhe pas 1990 që e ndan në disa etapa dhe në disa faza, që deri diku bën përgjegjës institucionet shtetërore.

Ardian Dvorani: Po, kjo është e vërtetë. Sepse na ka ndodhur raste kur thuhet se nuk ka dokumentacion dhe mbas insistemeve në rrugë  gjyqësore ka rezultuar se dokumentacioni po  gjendet dhe është diku. Ne gjykuam njëherë para  një viti një rast që është e vërtetë shumë i vecantë, një person i verbër pra që kishte humbur shikimin përfitonte  një lloj mbështetje sociale nga Bashkia e Tiranës dhe pastaj iu drejtua organeve të sigurimeve shoqërore për një lloj forme të mbështetjes sociale dhe të pensionimit, që i takonte për shkak të aftësisë së kufizuar të verbërisë dhe organet e sigurimeve shoqërore marrin kërkesën e tij me shkrim.Por shikoni se ai është i verbër dhe në  një njëfarë mënyrë i japin një përgjigje dhe thonë “kërkesa juaj është paraqitur me vonesë sepse ju duhet të kishit parashtruar në këtë formë në kërkesë, duhet të kishit këto dokumenta, duheshit paraqitur disa vite përpara e kështu me radhë”. Na bëri shumë përshtypje si trup gjykuese kjo situatë dhe menduam dhe kemi arsyetuar që, e para, një personi në gjendje të tillë me pamundësinë  për të shikuar dhe për të lexuar nuk mundet ti thuhet “që  je me vonesë dhe ke humbur të drejtën” por pyetja është një person që  i verbër si e lexon ligjin në fletorën zyrtare?Nuk ka mundësi ta lexojë.

Anila Hoxha: Ka dikë pranë që ta ndihmojë?

Ardian Dvorani: Ka dikë pranë, por ai dikush pranë, a nuk është e drejtë e tij për tu realizuar? Nuk është detyra e tij për tia lexuar. Në disa raste dhe është e qartë që nuk mund të lexonte as formularin që e kishte plotësuar në emrin e tij. Atëherë në këtë situatë i thamë organeve të sigurimeve shoqërore “ka qenë detyrimi juaj ta mbështesnit në mënyrë aktive që ai  ta plotësonte në mënyrën e duhur që ta përfitonte të drejtën në mënyrë e duhur dhe në fund kemi thënë shteti jonë por nuk jemi vetëm ne,  këtë duhet ta themi, nuk e ka krijuar akoma kushtet që edhe personat që psh.që  nuk shikojnë ta  lexojnë legjislacionin”. Atëherë duhet tu lihet  një derë hapur dhe këtyre njerëzve duhet tu njihet e drejta. Por vendimi ka shumë detaje në fund të fundit,  ne ia njohëm dhe ia realizuam të drejtën e humbur.

Anila Hoxha: Zoti gjyqtar, cila është vështirësia më e madhe që ndeshin gjykatat dhe gjyqtarët për shqyrtimin e këtyre cështjeve?

Ardian Dvorani: Pensionistët përpiqen në varësi të  rrethanave të tyre që të kenë edhe  mbrojtjen e tyre me avokatë sepse në fund të fundit  ata janë njerëz që lexojnë edhe përpiqen ta mbrojnë vetë veten e tyre,  por duhet thënë që gjykimi është edhe procedurë. Nuk është vetëm e drejta.  Pra, ti mund të kesh të drejtë por duhet të dish ta kërkosh, duhet të dish ku ta kërkosh , në cilën gjykatë , kur ta kërkosh në gjykatë dhe mënyrën si ta kërkosh. Vështirësia tashmë ekziston sepse është dhënë një përgjigje negative  për të drejtën e pensionit sepse i thonë që ke mangësi në dokumentacion. Po ku do ta gjej dokumentacionin? Kur dokumentacionin  as e ka për detyrë dhe as ka mundësi ta mbajë individi, pensionisti, ai që pretendon të drejtën  e pensionit. Dokumentacionin e  ka shteti.

Anila Hoxha: A keni ju zoti  Dvorani një rast që iu ka mbetur në mend në këtë fushë?  Ju e përmendët një rast dhe ishte shumë interesant, shumë specifik. Por  një rast tipik ku një i moshuar , një pensionist i cili ka depozituar në gjykatë, kërkesën dhe lutjen për përshpejtim procesi sepse ka vite që pret nga drejtësia dhe ai do ta shijojë këtë kontributin që i takon? Ka kërkesa të tilla të kësaj natyre të cilat janë jo vetëm prekëse por të bëjnë të mendosh ?

Ardian Dvorani: Ka shumë të tilla. Fatkeqësisht në këto 4 vjet më ka ndodhur më shumë se një herë. Duhet të them një gjë në parantezë të paktën deri në gjashtë muaj , cdo gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit kishte në ngarkim 3400 dosje secili. Pra, ne nuk mund të dimë sesa cështje kemi . Tani ne duhet të respektojmë ligjin dhe të ndjekim radhën. Por më ka ndodhur në këto katër vjet që të marr kërkesa për përshpejtim nga pensionistë në moshë me probleme të veçanta shëndetësore ku e ka miratuar kërkesën për përshpejtim menjëherë dhe ku kemi caktuar datën e seancës kam mësuar se ka ndërruar jetë. Është shumë prekëse, kjo gjë. Por, po ndodh disa herë dhe prandaj ne përpiqemi që përtej detyrimit tonë ligjor të respektojmë radhën kronologjike, të gjejmë sa hapësira të jetë e mundur për të trajtuar cështjet e tyre.

Anila Hoxha: Zoti Dvorani, si mund të zgjidhet backlog-u në gjykatë? Si mund të reduktohet e gjithë kjo masë e madhe çështjesh e cila prek drejtpërdrejtë qytetarët shqiptarë ?

Ardian Dvorani: Nuk janë vetëm çështjet e pensionit të prapambetura. Duhet të kuptohemi janë të gjitha llojet e çështjeve, edhe administrative por edhe çështjet civile, çështjet penale disi më pak. Kështu që kur flasim se si do ta zgjidhim këtë problematikë sot, nuk do të mendojmë thjesht për të zgjidhur efektet që erdhën nga efektet e vetingut. Nuk mund të vihet në dyshim dobia e procesit të rivlerësimit kalimtar të vetingut. Prandaj edhe masa që duhet të merret që janë propozuar një pjesë e tyre janë në parlament janë të tilla që nuk synojnë thjesht të riparohet me urgjencë sepse ka ndodhur dicka në mënyrë të menjëhershme , por për të riparuar fenomenin e baclogut në terma afatgjatë por edhe me disa masa që duhet të kenë edhe impakt të menjëhershëm sot. Dhe po propozohen përveç nevojës që të kemi më shumë burime njerëzore, pra më shumë ndihmësa ligjore , të kemi më shumë gjyqtarë. Do pak kohë të arrihet numri i gjyqtarëve.

Anila Hoxha: Më shumë gjyqtarë e keni fjalën , zoti Dvorani, për ata gjyqtarë që u larguan dhe u krijua vakanca dhe duhen zëvëndësuar?   

Ardian Dvorani: Gjetja ka qenë që numri i gjyqtarëve duhet të rritet me 20 %, pra që duhet të kishim në sistem rreth 100 gjyqtarë më shumë.

Anila Hoxha: Pra, gati duhet të shkojë në propozimet e fundit gati 500?

Ardian Dvorani : Jo. Që atëherë ne menduam që  duhet të shkojë 500 , tani që nga efektet nga procesi i rivlerësimit kalimtar të vetingut nuk ka 400 gjyqtarë në zyrë,  janë pak më shumë se gjysma. Kështu që ne duhet të arrijmë , pra kur unë fola që një nga masat është që të gjendet mundësia që të rritet numri i gjyqtarëve nëpër gjykata vecanarisht aty ku ka më shumë nevojë dhe një nga gjykatat është gjykata ku unë ushtroj detyrën e gjyqtarit dhe drejtuesit të saj, të rritet numri i ndihmësve gjyqësore dhe marrja e këtyre masave do të ndihmojë që numri i cështjeve të prapambetura gradualisht nuk mund të zerohet  brenda një viti. Është e pamundur në fakt nuk ka  asnjë zgjidhje, por për një periudhë 3-5 vjecare,  gradualisht gjykata, sidomos gjykatat e apeleve duhet të ishin në gjendje që të gjykonin jo një numër cështjesh të barabartë me numrin e cështjeve që regjistroheshin por të gjykonin deri në dy vjet brenda një viti dhe kjo do  të shkurtonte vazhdimisht  edhe afatet, do të largonte edhe backlogun, edhe disa kompetenca që do të ketë pak më të qarta dhe më të dedikuara.

Anila Hoxha: Ku konsitojnë këto kompetenca?

Ardian Dvorani: Nuk e di. Mund ta them në gjuhën popullore.  Se në terma teknike ka gjuhë tjetër , disa fushata psh. të grumbullohen të gjitha cështjet e pensioneve të vitit 2017-2018 .

Anila Hoxha: Dhe të gjykohen në një fashë kohore..

Ardian Dvorani: Dhe të gjykohen menjëherë nga të gjithë gjyqtarët. Pra, ti largojnë këtë gjë apo të gjykojnë një kategori  cështjesh,  të cilat zënë radhën .

Anila Hoxha:Pronat?

Ardian Dvorani: Jo, pronat janë edhe më pak komplekse. Pra nuk është se nuk kanë rëndësi , por ….

Anila Hoxha: Urdhrat e ekzekutimit? Pensionet ushqimore.  

Ardian Dvorani: Mund të themi që ne kemi gati 1800 urdhëra ekzekutimi në gjykatë për të pritur. Në fakt janë procese të rëndësishme,  të thjeshta për tu bërë,  por ato kanë një radhë.

Anila Hoxha: Mjafton të kujtojmë që gjykatat administrative u hapën për të  patur një gjykim brenda një afati shumë të shkurtër. Dhe ne thamë pak më herët që aktualisht radha e qytetarëve që presin i përket 2017.

Ardian Dvorani: 2017 do të mbyllet brenda muajit qershor tek ne. Por ,jemi shumë mbrapa. 22.000 cështje nuk mund të shqyrtohen brenda një viti është e pamundur.

Anila Hoxha: Nëse nuk aprovohen këto propozime, sa kohë do të duhet që stoku prej 22.000 cështje të marrë vendime gjyqësore?

Ardian Dvorani: Unë mendoj që propozimet tona janë propozimet e duhura , do të ketë edhe paketa të tjera që grupi i ekspertëve aty , janë gjyqtarë që po punojnë bashkë me anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe me ekspertë të huaj. Ne kemi edhe propozime të tjera të cilat janë duke punuar por ato që janë cuar tashmë në parlament disa prej tyre janë ato masa që janë më të thjeshta kanë një impakt të menjëhershëm pozitiv dhe brenda pak muajsh do ta kthejnë situatën nga trendi negativ në pozitiv menjëherë. Por dua të them nqs. ligjvënësi do ta vlerësojë që këto nuk janë masat e duhura unë mund të them qysh tani që gjyqtarët do të bëjnë detyrën , do të jenë prapë të mbingarkuar ashtu sic më ndodh edhe mua bashkë me kolegët fillojmë seancat në 8:30 ,mbarojmë në orën 16:00 pa pushim . Nëse ligjvënësi nuk vlerëson të marri masat nuk ka asnjë pritshmëri që backlogu të ulet e them me keqardhje por është e pamundur objektivisht . Tani është momenti që ligjvënësi ti përgjigjet sistemit, pra duke i dhënë mjete legjislative, burimet njerëzore dhe disa mjete financiare dhe infrastrukturë që kjo cështje  të përmirësohet. Në fund të fundit sikurse ne ndjejmë përgjegjësi dhe përgjegjshmëri para përdoruesve të gjykatave, palëve që ti zgjidhim cështjet sigurisht duke dhënë drejtësi por sa më shpejt këtë përgjegjësi ndaj publikut duhet ta ketë ligjvënësi dhe ekzekutivi. Në qoftëse se jo,  duhet të japin ata llogari njerëzve dhe nuk mund të shtrijnë gishtin nga gjyqtarët . Pra, ne do bëjmë detyrën tonë, ata duhet të bëjnë detyrën e tyre. Dhe dua që parlamenti dhe më pas qeveria të përgjigjen menjëherë kësaj situate duke na mbështetur. Ne kërkojmë vetëm mbështetje. Punën tjetër do e bëjmë ne. Ata duhet të na japin këto mjete dhe e fundit që do të thoja që këto nismat tona janë të konsultuara me ekspertë ndërkombëtarë dhe ne jemi në kontakte si grup pune , si Komiteti i backlogut edhe me institucione ndërkombëtare dhe mesa kam kuptuar ata janë shumë dakord me nismat tona.

Anila Hoxha: Ju falenderoj shumë për mesazhet dhe për gjithcka përcuat dhe ndatë me ne.

Ardian Dvorani: Faleminderit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat