Ulen rreziqet e kredisë për blerje pasurish të paluajtshme, ja parashikimet për 2024-ën

Shqipëria

Ulen rreziqet e kredisë për blerje pasurish të paluajtshme, ja parashikimet për 2024-ën

Më: 4 prill 2024 Në ora: 08:15
Foto ilustrim

Sektori bankar shqiptar e mbylli vitin 2023 me një rezultat financiar pozitiv, me një nivel të lartë të treguesve të likuiditetit e kapitalizimit të veprimtarisë, të pasqyruar në një normë të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 18% dhe me tregues të përmirësuar të cilësisë së kredisë. Në raportin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2023 theksohet se, sektori shfaqet rezistent ndaj goditjeve dhe me rreziqe të kontrolluara. Nga ana tjetër, treguesit që lidhen me rritjen e kredisë, pozicionin e likuiditetit, luhatjet në tregun valutor, përqendrimin e ekspozimeve dhe të aktivitetit të sistemit financiar flasin për rreziqe të kontrolluara.

Ndërkohë, rreziqet që lidhen me treguesit e kredisë në valutë, të hendekut negativ të likuiditetit midis aktiveve dhe detyrimeve për maturitetet afatshkurtra dhe të kredisë për blerje pasurish të paluajtshme janë ulur. Sektori bankar pati një performancë financiare pozitive përgjatë vitit 2023, ku aftësitë e kompanive për të paguar detyrimet e tyre afatshkurtra të borxhit, kapitalizmi i veprimtarisë, numri dhe cilësia e kredive shënuan një rritje të konsiderueshme, vlerësohet në raportin e Bankës së Shqipërisë për vitin e kaluar.

Ndërkohë, rreziqet e veprimtarisë bankare kanë qenë të kontrolluara. Zhvillimet rregullatore dhe infrastrukturore në fushën e sistemeve të pagesave kanë sjellë zgjerimin e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave (me 25.5% në 2023).

Shtimi i institucioneve të parasë elektronike ka nxitur përdorimin e këtyre instrumenteve, ndërsa përmirësimet në infrastrukturë kanë ulur kostot për kryerjen e pagesave. Banka Qendrore vlerëson se aktiviteti ekonomik parashikohet të ngadalësohet disi gjatë vitit 2024, por do të vijojë të shënojë ritme pozitive rritjeje. Rritja ekonomike do të përfitojë nga shëndeti i bilanceve të sektorit privat, nga ruajtja e një ambienti të qëndrueshëm bankar e financiar, nga vazhdimi i mbështetjes me kredi dhe nga vijimi i rritjes së të ardhurave nga eksporti. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të vijojë të pasqyrohet në rritje të mëtejshme pagash e punësimi, çka do të ndihmojë në zgjerimin e të ardhurave të disponueshme të familjeve shqiptare. Bazuar në të dhënat e dy muajve të parë të vitit, Banka e Shqipërisë i qëndron vlerësimeve të saj se inflacioni do të ankorohet në objektivin prej 3% brenda vitit 2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat