Ambasadori i BE: Reforma në drejtësi në vijojë, Dumani jo i shqetësuar nga presionet

Shqipëria

Ambasadori i BE: Reforma në drejtësi në vijojë, Dumani jo i shqetësuar nga presionet

Më: 13 prill 2024 Në ora: 14:31
Ambasadori i BE, Silvio Gonzato

Ambasadori i BE, Silvio Gonzato foli nga Shkodra për reformën ne drejtësi dhe presionet e politikës. Shefi i delegacionit të BE-së në Shqipëri tha se reforma në drejtësi është një reformë që jo vetëm garanton pavarësinë e sistemit të drejtësisë, por siguron që edhe sistemi i drejtësisë të jetë i përgjegjshëm ndaj qytetarëve.

“Unë kam besim në sistemin e drejtësisë shqiptare. Mendoj se thjesht duhet ta lëmë të bëjë punën e vet dhe të shohim se në çfarë do të sjelle. Shikoni, reforma e 2016-ës synonte konkretisht të garantonte që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur, të jetë i vetëqeverisur dhe prandaj është rezistencë dhe elastik ndaj presioneve politike. Kështu që unë i diskutova këto gjëra edhe me z. Dumani dhe ai është i bindur, po bën punën e tij dhe mendoj se duhet të qëndrojë i qetë dhe të vazhdojë. A ka presion nga politika? Nuk më takon mua ta them, por ai nuk duket se ishte i shqetësuar për këtë”, tha ambasadori i BE.

Gonzato tha se nëse Shqipëria dëshiron të integrohet në BE, atëherë duhet që vendi të luftojë korrupsionin. Ai tha se ka besim në sistemin e drejtësisë shqiptare.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që, institucioni i posaçëm që u krijua pikërisht për t’u marrë me rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, tani po sjell disa rezultate. Mendoj se i jep besueshmëri vendosmërisë së Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, sepse korrupsioni është i dëmshëm për shoqërinë, është i dëmshëm për ekonominë, kështu që nëse Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, është e qartë rruga që duhet ndjekur”, u shpreh ai.

Deklaratat ambasadori Gonzato i bëri gjatë një takimi me studentët e drejtësisë në Universitetin e Shkodrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat