U nda nga jeta qitësja dhe trajnerja Shahije Billa, Mjeshtre e Sportit

Sporti

U nda nga jeta qitësja dhe trajnerja Shahije Billa, Mjeshtre e Sportit

Nga: Sakip  Cami          Më: 10 korrik 2021 Në ora: 09:47
Foto e vitit 1965

U nda nga jeta qitësja dhe trajnerja e qitjes së ekipit “Kastrioti” dhe ekipit kombëtar për femra,  Shahije Billa. Shahije Veli Zogu (Billa)  ka lindur në vitin 1939 në fshatin Valikardhë të Dibrës dhe është rritur nga dy prindër të mrekullueshëm, Veliu dhe Hajria. Shahije Billa ka qenë për 10 vite me radhë kampione republike në sportin e qitjes me pushkë  dhe më pas trajnere e ekipit të “Kastriotit” dhe ekipit kombëtar për femra. Ajo e ka përfaqësuar vendin në Republikën e Kinës dhe në Itali. Mban titullin “Mjeshtre sporti”.

Në vitet 1968 – 1972  si nxënës i Shkollës së mesme të qytetit të Laçit , me këmbënguljen e Shahijes u aktivizova  me sportin e qitjes për të rinj dhe Shahijen e kisha trajnere. Ajo në atë periudhë  ishte edhe sportiste edhe trajnere.  Ne qitësat e rinj, Shahijen e kishim jo vetëm trajnere , por edhe nënë. Ajo kujdesej për ne, në turnetë sportive  për hotelin, restorantin, ushqimin, për gjithçka.

Në vitin 1956 ishte  nxënëse në Teknikumin e Ndërtimit Tiranë, tek Qyteti i Nxënësve, kur filloi të ushtrohej me sportin e qitjes me ekipin e qytetit ku banonte, Burrelin.

Image
Me ekipin kombëtar të qitjes në vitin 1980 në Itali, si trajnere

Në pushimet e verës , tregon Shahija, shkova në Peshkopi dhe në të njëjtin autobus ishte dhe ekipi i qitjes së Burrelit që udhëtonte për në Peshkopi, ku do të zhvillohej kampionati i qitjes së qarkut.

Trajneri i këtej ekipi më njohu, sepse isha vajza e shefit të degës ushtarake të këtij qyteti. Im atë, Veli Zogu, ka qenë ushtarak në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe njihej si qitës i mirë në ushtri. Për këtë më propozuan që të merrja pjesë e t’i bashkëngjitesha këtij ekipi.

Image
Shahije Billa në krye të ekipit kombëtar në Republikën e Kinës në vitin 1965

Në vitin 1914  në kupën e sportit të qitjes me emrin “Rexhep Rama”

Unë kisha bërë paraprakisht stërvitje me babain, por pa kaluar në etapa profesionale. Ju kushtova  tashmë seriozisht stërvitjes që kërkonte përfaqësimi  në një ekip dhe pas një kohe të shkurtër garova dhe mora vendin e parë.

Pas kësaj, më caktuan për të shkuar në kampionatin kombëtar që zhvillohej në Tiranë. Për këtë duhej një stërvitje edhe më impenjative. Pra, suksesi nuk ishte aq i shpejtë. Kaluan edhe disa kohë stërvitjeje dhe në gusht të 1956-ës  mora titullin “Kampion Republike”,  çmim të cilin ma dorëzoi gjeneral Spiro Mojsiu. Që nga ky vit e në vazhdim, për 10 vite me radhë kam marrë  titullin e kampiones me pushkë.

Image
Gazetari Besi Bekteshi me trajneren e tij Shahije Billa në vitin 1982

Në vitin 1965  qitësit më të mirë të vendit tonë, ndër to edhe Shahija, të ftuar nga R.P. e Kinës, u grumbulluan në Durrës për një stërvitje që do të zgjaste 3 muaj. Në Kinë qëndruan  rreth 1 muaj dhe u pajisën me armë të reja sportive  bashkëkohore, moderne për kohën, dhuratë për ekipin kombëtar të Shqipërisë. Po në këtë vit, duke u stërvitur me këto armë të reja dhe me instruksione tashmë të tjera, Shahija plotësoi normën e Mjeshtres së Sportit me pushkë.

Një vajzë nga Veriu që merrej me sport, do kishte doemos paragjykime, por duke pasur mbështetjen e familjes, sidomos babait, që e kishte me dëshirë dhe më pas të bashkëshortit tim, Xhemal Billa, gjithashtu qitës, arrita të kem rezultate të mira, e mbyll rrëfimin Shahija.

Image
Me ekipin e vajzave të “Kastriotit”

Më pas tranferohet si teknike ndërtim në Ndërmarrjen e Ndërtimeve Industriale (NNI)  Laç dhe krahas punës vazhdon me sukses të ushtrohet si sportiste dhe të drejtojë ekipin e qitjes “Kastrioti” të Krujës. Në vitin 1973  duke e pasur pasion këtë sport, vendosi të bëjë projektin dhe të ndërtojë një poligon qitjeje në  qytetin e Laçit, më i madhi pas Tiranës dhe ndër më të mirët në Ballkan. Këtë projekt e vuri në zbatim në një kodër të Laçit, ku u bë miratimi.

Për këtë  nën drejtimin e Shahijes kontribuan shumë të rinj dhe të reja të këtij qyteti, qitës dhe sportistë të ndryshëm. më i miri në Ballkan. Kontribuan edhe ndërmarrjet e qytetit me fuqi punëtore dhe materiale ndërtimi. Një mbështetje të madhe dha edhe kryetari i federatës së qitjes  Rexhep Rama.

Më 1974-n u bë përurimi i poligonit dhe filloi puna për  krijimin e ekipeve zinxhirë të qitjes, të pionierëve, të rinjve e të rejave, e më vonë me ekipin e të rriturve.
Në vitin l976, ekipi i pionierëve doli kampion dhe arriti që ta mbajë këtë titull për pesë vite me radhë.

Ekipi i të rejave, nën drejtimin e Shahije Billës me qitësit e qitëset Halit Cara, Fiqerete Demiri, Ina Dragovoja, Mimoza Lajthia, Zana Gramo, Zana Gjini, Zenel Dema me pistoletë, qitësja Lindita Palushi dhe Mimoza Pepa e shumë të tjerë kanë qenë grumbulluar në ekipin kombëtar.

Për rezultatet e saj si trajnere, federata e qitjes e caktoi trajnere të ekipit kombëtar për vajza për në ndeshjen e Kampionatit Europian në Itali, në vitin 1979. Elizabeta Karabolli, për herë të parë mori vendin e 3-të nga 28 shtete të Europës. Rezultatet ishin në ngjitje.
Në vitin 1988,  ju desh që ta linte  sportin e qitjes, me dhimbje të madhe, pa vdekjes së bashkëshortit nga një atak kardiak.

Por zemra dhe shpirti kurrë nuk i është ndarë nga qitja. Pas vitit 1990 u detyrua të emigronte në Greqi, por herë pas here vinte dhe ishte e pranishme në kupën “Rexhep Rama”. Shahija rriti dy fëmijë të mrekullueshëm, Ardianin, i cili u nda nga jeta tre vjet më parë dhe Mimozën që punon dhe jeton në Hollandë.   

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat