“Shkamat” ofron magji teatrale për publikun gjilanas - Bota Sot
“Shkamat” ofron magji teatrale për publikun gjilanas

Teatri

“Shkamat” ofron magji teatrale për publikun gjilanas

Më: 24 janar 2020 Në ora: 11:52
“Shkamat” ofron magji teatrale për publikun gjilanas

Shfaqja "Shkamat" prodhim i EtnoTeatrit "Kukaj" me autor të tekstit dhe regjisor Fadil Hysaj, është shfaqur mbrëmjen e dytë të festivalit të dramës "Talia e Flakës" si pjesë e Manifestimit "Flaka e Janarit 2020".

Skena e vogël e Teatrit të Qytetit në Gjilan ishte e stërmbushur me artdashës të cilët nga afër kanë përjetuar "megjinë teatrale" të kësaj shfaqje, fabula e së cilës trajton plagën e rëndë të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Drama psikologjike e dy personazheve kryesore, çiftit bashkëshortorë të cilët kanë humbur të gjitha shpresat pas vrasjes së djalit të tyre të vetëm 20 vjeçar, e të cilët nuk duan të pranojnë realitetin tronditës.

Përmes dialogut të inkorporuar në shfaqje me pajtime e mospajtime, reagime instinktive herë të njërit e herë të tjetrit, dhe situatave paralele të bashkëbisedimeve me personazhe të imagjinuara në subkoshiencën e tyre brendapërbrenda subjektit narrativ të tërësisë së shfaqjes, aktorët e shfaqjes para auditorit të kultivuar gjilanas dramën psikologjike, duke përçuar mesazhin fundamental njerëzor e human se humbja e fëmiut të vetëm reflekton pasojat e pafund, deri tek humbja e arsyes logjike, si rrjedhojë e përjetimeve traumatike e psikologjike!

Loja emocionale e mishëruar me rolet përkatëse të bazuara në karakteret e personazheve nga aktorët kryesorë (Sheqerie Buçaj e Xhevdet Doda), si një pasqyrim i balancit të harmonisë natyrale individuale, me rënie e ngritje të tensionit dramatik, por edhe situata të relaksuara. si gjetje ideale regjisoriale për të shpërfaqur fundamentin e natyrës njerëzore të momenteve të ndryshme emocionale që përbëjnë jetën dhe përditshmërinë.

Për rreth 50 minuta, ata e kanë mbajtur të tensionuar publikun e pranishëm, deri në epilogun përfundimtar të shfaqjes së tërësi, herë - herë me narracion të ekzagjeruar në raport me veprimet dramatike të natyrës së shfaqjes, por gjithësesi të realizuar skajshmërisht nga "dora" mjeshtërore e regjisorit Hysaj.

Shfaqja si tërësi nuk kishte si të mos vlerësohej nga audienca e pranishme, sikundër edhe nga kritika, pasi ishte gjetje ideale si temë e trajtuar, duke shkaktuar emocione të vazhdueshme ndjesie, herë-herë edhe me ndalje të frymëmarrjes, deri në atë që në gjuhën e teatrit njihet si 'katarsis' apo shpëlarje shpirtërore.

Ndërsa, loja e aktorëve Sheqerie Buçaj e Xhevdet Doda, sikurse edhe Bislim Muçaj (rol dytësor) kanë plotësuar tërësinë strukturore së bashku me komponentet tjera të shfaqjes teatrale, krahas ndriçimit, kostumeve e muzikës adekuate, dhe skenografisë 'modeste' (magje, sofër e oxhak) dhe orendi tjera të pakta, por gjithësesi funksionale si nevojë adekuate skenike.

Publiku i kultivuar gjilanas edhe këtë herë si çdo herë, me prezencën e tij dhe reagimet spontane, dëshmoi kulturën e gjërë të mishërimit me teatrin dhe dramën në përgjithësi, si tërësi e kulturës gjithmbarshme që e veçon.

Ndërsa, shfaqja "Shkamat", prodhim i teatrit "EtnoFest" është prezantuar në natën e dytë të festivalit të dramës "Talia e Flakës 2020", i cili, me prurjet cilësore të dramës autentike shqipe gjatë këtyre dy netëve, edhe këtë edicion po dëshmon atë që është thënë sa e sa herë se mbetet festival unik i llojit të tij në mbarë hapësirën shqiptare.

Në ditën e tretë të festivalit të dramës "Talia e Flakës 2020" të premten në program është shfaqja “Grviteti” me tekst të Lirak Celaj e regji të Florent Mehmetit, prodhim i teatrit "Oda" nga Prishtina.  

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat