Porti i Vlorës jepet me koncesion, hapet tenderi për projekt turistik

Vlora

Porti i Vlorës jepet me koncesion, hapet tenderi për projekt turistik

Më: 7 janar 2021 Në ora: 13:11
Pamje nga video

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka realizuar një tjetër kontratë koncesionare me formulën partneritet publik privat e cila pritet t’i shtohet atyre të mëparshme në vitin 2021.

Objekt i koncesionit të radhës është tenderi për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e një porti turistik në qytetin e Vlorës.

Ai do të emërohet “Marina Vlorë” dhe është parashikuar të ndërtohet në portin aktual të këtij qyteti me një kohëzgjatje 35 vjeçare.

Autoriteti Kontraktor cilëson se vlera e investimit të këtij projekti nuk duhet të përllogaritet nga ofertuesit më e vogël se 22 milionë e 725 mijë e 571 euro.

Porti konsiderohet të bëhet pjesë e master planit të Lungomares e cila do ti marrë një pjesë të konsiderueshme nga sipërfaqja e portit, ndërsa Rruga e Re Trans-Ballkanike ose siç quhet ndryshe “Korridori Kulturor”, pjesa e parë e së cilës ka përfunduar, do të shtohet me një segment të dytë që fillon nga rruga ekzistuese për në port.

Koncesionari do të përballojë shpenzimet e supervizimit të punimeve të ndërtimit dhe ai duhet t’i paraqesë Autoritetit Kontraktues të paktën tre propozime për përzgjedhjen e supervizorit.

Të gjitha subjektet e interesuara do të kenë afat deri në 26 shkurt 2021 për të dorëzuar ofertat. Përveç kësaj kontrate, gjatë këtij viti qeveria parashikon të japë 6 koncesione me formulën partneritet publik privat, me një detyrim prej 217 miliardë lekësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat