Driton Kuka kujton sukseset e Kosovës në Minsk para një viti

Xhudo

Driton Kuka kujton sukseset e Kosovës në Minsk para një viti

Më: 24 qershor 2020 Në ora: 11:25
Driton Kuka

Trajneri i famshëm i xhudos, Driton Kuka, i ka kujtuar sukseset e Kosovës në Lojërat Evropiane që u zhvilluan në Minsk të Bjellorusisë, pikërisht një vit pas kësaj gare ku Kosova i fitoi tri medalje.

Kosova i kishte mbyllur me plot sukses Lojërat Evropiane, duke u listuar në këtë kompeticion prestigjioz, i cili u mbajt në Bjellorusi, në pozitën e 34-t nga të gjitha vendet pjesëmarrëse.

Kosova e fitoi këtë radhitje falë tri medaljeve të fituara – një të artë, një të argjendtë dhe një të bronztë. Të tri medaljet në “Minsk 2019” Kosova i siguroi falë sportit të xhudos.

Majlinda Kelmendi e fitoi medaljen e artë në kategorinë 52 kilogramë, Nora Gjakova të argjendtën në 57 kilogramë dhe Loriana Kuka të bronztën në kategorinë deri në 78 kilogramë.

“Tash një vjet. Ndjenjat pas medaljes së tretë në Lojërat Evropiane në Minsk”, shkroi Kuka, mbi një video ku shfaqet lumturia e tij me sukseset e xhudisteve të tij.

Kosova mori pjesë në Lojërat Evropiane me 12 garues. Në Lojërat Evropiane “Baku 2015”, që ishin edhe debutuese, Kosova e kishte fituar vetëm një medalje, falë Nora Gjakovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat