SHBA fillon me sanksione ndaj Kosovës, nuk jep vizë për asnjë zyrtarë të shtetit

Aktuale

SHBA fillon me sanksione ndaj Kosovës, nuk jep vizë për asnjë zyrtarë të shtetit

Më: 29 janar 2019 Në ora: 21:35
Qeveria e Kosovës

Asnjë zyrtar i Republikës së Kosovës nuk do të ketë vizë për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar të ndërmarrin masa ndaj zyrtarëve të Kosovës, për mos-heqje të taksës.

Edhe pas thirrjeve të shumta të SHBA-ve, Qeveria e Kosovës qëndroi me rezistencë të plotë në vendimin për taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe.

U paralajmëruan edhe sanksione dhe po ajo që u prit ndodhi. SHBA-të, kanë vendosur të mos japin vizë për asnjë zyrtarë të shtetit të Kosovës.

Dhe ky është hapi i parë sanksionues ndaj Qeverisë së Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por as pas kësaj nuk pati ndonjë reagim nga zyrtarët kosovarë.

Por a mund të ashpërsohen edhe më tutje raportet mes shtetit të Kosovës dhe aleatit kryesor, Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Lajmi.net ka kontaktuar me njohësin e çështjeve politike, Arton Demhasaj, i cili është shprehur se kjo është kryekëput presion që të bindet qeveria për vendimin e heqjes së taksës.

“Mendoj që kjo është masë presioni që SHBA-të po bëjnë ndaj zyrtarëve tonë publik, në mënyrë që me u ndërpre taksa ndaj prodhimeve të Serbisë. Është masë presioni në mënyrë që të bindet qeveria”, është shprehur Demhasaj.

Ai gjithashtu është shprehur se mbetet të shihet se sa gjatë do të rezistoj Qeveria e Kosovës ndaj presionit qoftë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qoftë presionit nga Bashkimi Europian.

“Vendimi i tyre për mosdhënie të vizave është kryekëput ky presion i vazhdueshëm që të largohet taksa. Mirëpo kemi parë që qeveria po qëndron e vendosur dhe kështu që mbetet të shohim sa do të zgjasë rezistenca, qoftë ndaj presionit të SHBA-ve, qoftë ndaj presionit të Bashkimit Evropian”, është shprehur më tutje Demhasaj.

I pyetur nëse këto masa sanksionuese mund të ashpërsohen, Demhasaj është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë marrë shumë seriozisht dhe mund të priten edhe masa të tjera.

“Pa dyshim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë marrë shumë seriozisht, kështu që mund të priten edhe masa të tjera edhe më agresive ndaj institucioneve tona”, është shprehur Demhasaj.

Vlen të theksohet fakti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që vetëm të pezullohet taksa dhe jo të largohet tërësisht.

Një thirrje e tillë e SHBA-ve, nuk ka rënë në veshin e duhur dhe vendimi po vazhdon të mbetet në fuqi edhe pas fillimit të sanksioneve nga SHBA-të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat