Gjykata Kushtetuese ua hedh poshtë ankesat dy të dënuarve për terrorizëm

Aktuale

Gjykata Kushtetuese ua hedh poshtë ankesat dy të dënuarve për terrorizëm

Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 13:38
Ilustrim

Të dy u dënuan me burg për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste. Albert Berisha dhe Naser Avdyli, udhëtuan për në Siri për arsye të ndryshme. Njëri kishte shkuar “që t’i dalë në ndihmë popullatës civile siriane”, e tjetri “për shkollim... për fakultet”. Të dy, pas dënimeve në gjykata të rregullta iu drejtuan edhe Gjykatës Kushtetuese e cila ua hodhi poshtë ankesat

Albert Berisha, 32-vjeçar nga Prishtina, i shpallur fajtor dhe i dënuar me burg për pjesëmarrje dhe organizim në grup terrorist, në vitin 2013 ishte nisur në Siri, me arsyetimin se “po shkon për të ndihmuar popullin sirian”.

Udhëtimi i tij nga Prishtina për në Siri, “në ndihmë të popullit sirian” u bë ilegalisht. Berisha pati treguar se nga Prishtina ishte nisur për në Stamboll, nga Stambolli në Hataj, e nga Hataj në Kilis, në afërsi të kufirit Turqi-Siri. Të nesërmen, ai ka treguar se u ndihmua nga një shtetas turk për ta kaluar kufirin në mënyrë ilegale vetëm që të mbërrijë në Siri.

“Në ndihmë të popullit sirian” Berisha u vendos në një bazë në afërsi të Aleppos. Atje, Berisha tha se ua kishte bërë me dije atyre që pyetën për arsyen e shkuarjes së tij. “...Iu kam thënë se kam ardhur për ta ndihmuar popullin sirian dhe nuk dua të jem pjesë e Al-Kaidës”, shkruan Express.

Gjatë gjykimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Berisha pati thënë se nuk ka qenë në dijeni për situatën në Siri në vitin 2013.

Gjykata Themelore e Prishtinës në vitin 2015 e dënoi Albert Berishën me 3 vjet e 6 muaj burg për pjesëmarrje dhe organizim në grup terrorist. Duke mos u pajtuar me dënimin, ai u ankua në Gjykatat e tjera; Apel, Supreme dhe tash edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Ankesat e Albert Berishës të dorëzuara në Kushtetuese,  thonë se atij iu është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe se gjykatat e rregullta kanë marrë vendime të padrejta dhe arbitrare ndaj tij.

Ai ka pretenduar se procedurat në tërësi në gjykatat e rregullta, përfshirë edhe fazën e marrjen në pyetje në polici, ia kishin shkelur të drejtat e tij kushtetuese, ia shkelën të drejtën mbi parimet e prezumimit të pafajësisë, duke thënë se në të gjitha fazat e procedurës “ata paragjykuan fajin e tij për veprën e pretenduar penale”.

Sipas Berishës, gjykatat nuk i dhanë mundësi që t’i njihet e drejta e tij për t’u prezumuar i pafajshëm derisa të mos vërtetohet fajtor dhe se gjykatat kanë refuzuar t’i dëgjonin të vetmit dëshmitarë që ai i propozoi.

Por, refuzim për pranim të ankesës së tij mori edhe nga Gjykata Kushtetuese e cila, na bazë të këtij aktvendimi të lëshuar në qershor të vitit të kaluar, konsideron se procedurat e gjykatave të rregullta nuk ishin të padrejta ose arbitrare, siç pretendoi i dënuari për terrorizëm Albert Berisha.

“...Gjykata konsideron se asgjë në rastin e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës nuk tregon që procedurat në gjykatat e rregullta ishin të padrejta ose arbitrare në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të bindet se thelbi i së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm është shkelur...”, thuhet në aktvendim.

Naser Avdyli, që në Siri ishte stërvitur si ta përdorë kallashnikovin “AK-47” nga ushtria e Al-Nusra’s, por që tha se ka shkuar për “fakultet”

Në gusht të 2014, Naser Avdyli, tash i dënuar me burg për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, ka thënë se në Jordani dhe më vonë në Siri, ka udhëtuar të shkollohej, të regjistrohej në fakultet.

Me të arritur në Siri ilegalisht, u vendos në një kamp ushtarak, aty ku u shpreh i gatshëm që të stërvitej për përdorimin e armëve; kallashnikov AK-47 dhe armë kundërajrore. Krejt këtë stërvitje ia bënë grupi terrorist “Al-Nusra”, por sipas Naser Avdylit, ai nuk ka qenë në dijeni se nga kush kishte mësuar se si t’i përdorë armët.

“Kam hyrë në territorin e Sirisë në mënyrë ilegale dhe prej atij momenti u vendosa në një kamp ushtarak, aty kam përfunduar të gjitha stërvitjet për përdorimin e armëve, duke përfshirë AK-47 dhe armë kundërajrore, dhe më pas e kuptova se ajo ishte ushtria e Al-Nusra, kam shprehur gatishmërinë time për t’u stërvitur sepse nuk kam pasur dijeni për armët..”, pati deklaruar Avdyli.

Por këtë rrugëtim 39-vjeçari nga një fshat i komunës së Dragashit, Naser Avdyli kishte thënë se nuk e mori për “stërvitje të armëve” ose “bashkim me ndonjë grup terrorist”. Ai kishte thënë se qëllimi i udhëtimit të tij ishte që të merrte dokumente të shkollës së mesme për të vazhduar studimet e teologjisë në Egjipt.

Në vitin 2015, Gjykata Themelore e Prishtinës e pati shpallur atë fajtor për bashkim me grupin terrorist Al-Nusra në luftën Assadit në Siri. U dënua me 4 vjet e 6 muaj burg.

Edhe Naser Avdyli, ashtu si Albert Berisha, u ankua deri në Kushtetuese për “shkelje të të drejtave për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”. Avdyli pretendoi se “askush nuk mund të dënohet për një veprim ose një mosveprim që, në momentin kur është kryer, nuk përbënte vepër penale, sipas të drejtës së brendshme...”.

Ai kërkoi nga Kushtetuesja që aktgjykimet e Gjykatave; Themelore, Apelit dhe Supreme të deklarohen kundërkushtetuese.

Naser Avdyli pretendon se Gjykata Themelore e ka vërtetuar gabimisht gjendjen faktike dhe nuk ka dhënë arsye të duhura lidhur me vlerësimin e provave të paraqitura, që çojnë, sipas tij, në përfundim të gabuar se ai e ka kryer veprën penale.

Të gjitha ankesat e tij për të gjitha Gjykatat, Kushtetuesja i hodhi poshtë duke sqaruar se Naser Avdyli nuk ka treguar se procedurat para gjykatave ishin të padrejta ose arbitrare.

Kushtetuesja vendosi se sa i përket ankesës së tij ndaj Gjykatës Themelore të Prishtinës, e njëjta ka dhënë arsyetim të detajuar për ato që u akuzua dhe dënua Avdyli.

“Gjykata konsideron se arsyetimi i Gjykatës Themelore është i justifikuar dhe i drejtë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat