Fjalimi i fuqishëm i deputetes Balaj-Halimaj lidhur me rastin e përdhunimit seksual ndaj të miturës në Drenas

Aktuale

Fjalimi i fuqishëm i deputetes Balaj-Halimaj lidhur me rastin e përdhunimit seksual ndaj të miturës në Drenas

Nga: Z.B Më: 8 shkurt 2019 Në ora: 15:05
Albulena Balaj-Halimaj

Kuvendi i Kosovës ka nisur debatin parlamentar në lidhje me rastin e ngacmimit seksual, përdhunimit seksual dhe abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësinë institucionale të Qeverisë së Kosovës, përcjell Bota Sot.

Ajo që ndodhi në Drenas është një lëkundje e etikës profesionale në punë, lëkundje e shoqërisë dhe e shtyllave të shtetit tha ndër tjerash deputetja Balaj-Halimaj.

Deputetja Balaj-Halimaj në mënyrë briliante tregon se si i shohin vajzat e saj mësuesit, policët dhe doktorët.

Balaj-Halimaj kërkoi nga deputetët që bashkarisht t’i identifikojnë dhe t’i vëmë para drejtësisë abuzuesit e tillë.

“Kërkoj nga ju që në harmonizimin e rekomandimeve në fund, ta merrni si një pikë heqjen e licences së mësimdhënësit të gjithë mësimdhënësve kur kanë raste të tilla, të gjithë mjekëve tu hiqet licenca gjithashtu dhe të gjithë policët që përfshihen në skandale të tilla të mos kenë të drejtë kurrë të ushtrojnë atë profesion”, tha deputetja nga radhët e NISMA’s Albulena Balaj-Halimaj.

Fjalimi i plotë i deputetes Balaj-Halimaj:

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar deputetë,

I nderuar kabinet qeveritar,

Ajo që ndodhi në Drenas është një lëkundje e etikës profesionale në punë, lëkundje e shoqërisë dhe e shtyllave të shtetit! 

Ky fjalim është tejet personal në disa momente, por kam parë të arsyeshme të diskutoj në këtë mënyrë për shkak se ne të gjithë këtu kemi nevojë të shohim këtë rast sikur të ishte i joni, për të dhënë maksimumin secili prej nesh që këtë vend ta ndërtojmë ashtu siq ne dëshirojmë t’i shohim fëmijët tanë në të.

Me keqardhje dhe me shumë dhimbje sot, mora fjalën për këtë rast kaq tronditës e çnjerëzor.

Një krim ky zingjiror, ku viktimë u bë një fëmijë. Hallka e parë e këtij krimi, shkolla, që duhet të jetë shtëpi e dijes, e edukimit, e empancipimit. Por jo, për fatin e saj mizor, u bë shtëpi e torturës, shantazhit dhe përdhunimit.

Me shpresë se do t’i jipte fund mizorisë, kërkoi ndihmë në shtëpinë e dytë. Hallka e dytë, që duhet të jetë shtëpi e mbrojtjes, e ndihmës, e sigurisë jo që nuk ia dha dënimin meritor krimit të denoncuar por në vend të mbrojtjes e vazhdoj dhunimin duke keqperdorur uniformën mbrojtëse të shoqërisë tonë.

Duke u munduar që të fshehin gjurmët e dy krimeve, hallka e tretë i mbylli sytë ndaj shenjtërisë së profesionit dhe përfundoi zhvillimin e një krijese të re duke rrezikuar jetën e nje vajze kaq të re, kaq fatkeqe! Që ta kemi parasysh, ndërprerja e një shtatzanie është krim, e sidomos kur për këtë ndërprerje nuk janë të njoftuar prinderit e saj meqë ajo ishte nënmoshë dhe nënkujdesin e tyre.

Ky rast tronditës, ka shkelur Konventën e të Drejtave të Fëmijëve, respektivisht Nenin 34 ku: Shteti merr përsipër të mbrojë fëmijën nga çdo lloj forme e shfrytëzimit seksual dhe keqtrajtimit seksual. Për këtë qëllim, Shteti merr në mënyrë të veçantë të gjitha masat e duhura për të mos lejuar që:

• Fëmijët të nxiten ose të detyrohen për t’u përfshirë në veprimtari të paligjshme seksuale;

• Fëmijët të shfrytëzohen për qëllime prostitucioni ose praktika të tjera seksuale të paligjshme.

Kenza, vajza ime, e cila ka mbushur 5 vjet, si shumë fëmijë, kishte një frikë ndaj alarmit të policisë e që ky alarm e bëri pastaj të kishte frikë edhe nga uniformat policore, pra kur ishte më e vogël, dhe më është dashur një kohë goxha e gjatë që ta bind atë se policët janë mbrojtësit tanë, se ata janë të përkushtuar për sigurinë tonë dhe sa herë kemi nevojë ata janë aty për të na ndihmuar neve, në cfarëdo rrethane e momenti, se ata ekzistojnë vetëm për ne. Dhe, tanimë ajo është bindur për veprat e tyre të mira, dhe vërtet i sheh ata si heronjë. Sa herë që i sheh, i vjen një buzëqeshje gëzimi dhe dora e saj e vogël ngritet për t’i përshëndetur mbrojtësit e saj. Ajo sapo takon dajën e saj polic nuk harron ta falenderoj cka ata bëjnë cdo ditë për ne, e shpesh i shpreh dashurinë që ka ndaj tyre. Ajo aq shumë i do…

Imagjinojeni që nesër këtë ndjenjë sigurie e dashurie që kam mbjellur tek ajo për policët, njëri nga ta, ta shfrytëzoj, mendojeni se sa lehtë do t’i besonte e do të mund të bëhej një viktimë e radhës.

E Jana një vjet e gjysmë, ka filluar të ketë të njejtën ndjenjë frike sikur motra e saj kur ishte më e vogël. Është mjerim, që sot unë, fëmijës tim të mos mund t’i them se ti je e mbrojtur nga ta, e siguruar dhe e lirë për të gjetur ndihmën e duhur në cfardo rrethane. Si mund t’i drejtohem vajzës së vogël njejtë sikur tëmadhës, kush më garanton se unë nuk po gaboj duke i mbjellur të njejtën siguri?

Unë jam e bindur se nuk janë të gjithë abuzues të tillë, nuk janë të gjithë njejtë por a nuk mjafton ky rast kaq mizor që të na frikësojë se nesër mund të jetë një viktimë tjetër?

Sot, le të bëhemi prindër të vajzës së njomë! Të kërkojmë drejtësi sikur për fëmijën tonë! Ndoshta, do të ishte më mirë të flasim me rezerva për shkak të procesit të hetimeve dhe mendimit përfundimtar të gjykatës, por pavarsisht kësaj Mësuesi, Polici, Mjeku ia dhunuan moshën! Ia dhunuan papjekurinë! Ia dhunuan fëmijërinë!

Të nderuar koleg deputetë,

Shumica nga ju jeni edhe vet prindër, dhe besoj se edhe fëmijët tuaj, ashtu si Kenza, kur kthehet nga qerdhja , përveç që më tregon se ç’kanë mësuar gjatë ditës, ajo ulet dhe me flet me shumë shumë dashuri e shumë respekt për edukatoren e saj dhe për të ajo është e shenjtë. Fjala e saj është ligj për të. Jam e sigurt që ndjenja të tilla do t’i ketë edhe ndaj mësuesit/mësueses kur ajo të hyjë në klasë të parë. Po sikur një mësues siç është ky, të shfrytëzoj padjallëzinë e saj prej fëmije? Po sikur kjo ndenjë dashurie të vazhdoj te Kenza edhe më tej? Sa lehtë do ta kishte një mësues i tillë të mashtronte e të manipulonte me të.

Jo, nuk duhet ta lejojmë që abuzues të tillë as të shkelin oborrin e shkollës tonë, e jo më të kapin ditarin! E kemi detyrim, njerëzor e shtetëror, që fëmijëve të vendit tonë, të Kosovës tonë, t’i krijojmë institucione të mirëfillta ku asnjë e drejtë të mos i cenohet! Nuk duhet të lejojmë që kriminel të tillë të jenë mësues të së ardhmes, duke dhunuar fëmijët ju dhunoni të tashmen e të ardhmen e vendit!

T’i kthehemi pak punës tonë ne Kuvend. S’ka pak ditë që kaloj në lexim të dytë projektligji për buxhet, sic e dini aty kërkova 20 norma shtesë për komunën e Prizrenit, pikërisht për edukator, për psikolog e petagog, jo se me këto norma  do të mbuloheshin të gjitha shkollat por të paktën një psikolog ta kishin dy tri shkolla, dhe cka bëtë ju koleg deputet? Nuk e votuat! Pra, a s’kemi edhe ne një pjesë faji, sado i vogël të jetë, të kësaj gjendjeje të sistemit arsimor? Jo vec Prizreni, por në tërë Kosovën e kemi këtë gjendje, ani pse kohëve të fundit ka lëvizje pozitive.

Të nderuar deputet

Mosha e vajzave të mia ende nuk e di kush është Zoti, në cilën formë ekziston ai, Kenza si pak më e rritur se Jana e sheh mjekun si një Zot. Zoti i saj është mjeku i saj, kështu me këtë besim ajo do të rritet, ani pse më vonë do ta kuptoj rolin e mjekut dhe Zotin, por ajo kurrë nuk do të ndryshoj besimin për ta, ajo do t’i sheh ata si shpëtimtar, ajo do ta rëndit njekun e saj ashtu siq bëjmë edhe ne shpesh menjëherë pas Zotit.

E si mund t’I them unë, që nesër një mjek merr rolin e Zotit me kopetencë të plotë dhe bënë një vepër që I përket vetëm Zotit, pa u konsultuar me palë që duhet të përfshihen në atë rast. A mendoni se une duhet të ja heq këtë besim që ka ajo për ta? A mendoni se unë duhet t’i them që të ketë kujdes edhe nga ta?

Të nderuar prindër

Bëhuni vija e parë mbrojtëse. Mos heshtni  ndaj asnjë padrejtësie që u bëhet fëmijëve tuaj. Heshtja e juaj ndihmon në vazhdimin e padrjetësisë.  Trajtojini me sa më shumë dashuri, besim, qetësi e kuptueshmëri fëmijët tuaj.  Jini dëgjues, jini vëzhgues, mbroni të drejtën e fëmijës tuaj. Mos neglizhoni asnjë situatë, asnjë gjendje emocionale të fëmijve tuaj! Luftoni bashk me ta, deri në fund. Gjithcka për ta jeni ju. Nëse ne si prindër nuk merremi me ta kujt po i lëm në dorë fëmijën tonë?!!!

Të nderuar qytetarë,t ë nderuar koleg deputet,

Bashkarisht duhet t’i identifikojmë dhe t’i vëmë para drejtësisë abuzuesit e tillë.

Kërkoj nga ju që në harmonizimin e rekomandimeve në fund, ta merrni si një pikë heqjen e licences së mësimdhënësit të gjithë mësimdhënësve kur kanë raste të tilla, të gjithë mjekëve tu hiqet licenca gjithashtu dhe të gjithë policët që përfshihen në skandale të tilla të mos kenë të drejtë kurrë të ushtrojnë atë profesion. Pastaj në bazë të këtyre rekomandimeve ministritë përkatëse të marrin vendime urgjente. Këto lloj vendimesh do të parandalonin raste të tilla kudo, sepse mendoj se ky ishte një rast që u hodh dritë në të por mund të ketë raste të tjera për të cilat nuk kanë guxim të lajmërohen pikërisht nga mosdenimi i tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat