Kongresisti Turner konfirmon mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve për Kosovën

Aktuale

Kongresisti Turner konfirmon mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve për Kosovën

Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 18:37
Ramush Haradinaj dhe Mike Turner

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi sot angazhimin e SHBA-ve në procesin e dialogut me Serbinë, duke thënë se është e domosdoshme arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që rezulton me njohje reciproke.

Ai këto komente i bëri në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Munih, në kuadër të Konferencës së Sigurisë, ku është takuar me kongresistin republikan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Turner.

Haradinaj e ka falënderuar kongresistin Turner për mbështetjen e gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e shtetndërtimit, duke theksuar se përkrahja e SHBA-ve për Kosovën është jetike dhe e domosdoshme për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar kongresistin Turner për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, për zhvillim ekonomik, fuqizimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përmbushjen e reformës së agjendës evropiane, procesin e tranzicionit të FSK-së në ushtri dhe përkushtimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.  

Haradinaj, po ashtu shprehu përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik dhe të bashkëpunimit me SHBA-të, si përkrahësi më i madh i shtetit të Kosovës dhe popullit të saj.

Ndërsa, kongresisti Turner vlerësoi progresin që është arritur në Kosovë gjatë 11 vjetëve të shtetndërtimit, duke konfirmuar mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve për proceset zhvillimore në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat