Molliqaj i reagon ashpër Vetëvendosjes, për Qëndron Kastratin

Aktuale

Molliqaj i reagon ashpër Vetëvendosjes, për Qëndron Kastratin

Më: 31 mars 2019 Në ora: 23:51
Dardan Molliqaj

Deputetin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, e kanë zemëruar fort kritikat nga ish-partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, për qeverisjen e PSD’së në Kamenicë.

Molliqaj i ka dalë në mbrojtje kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili i ka fituar zgjedhjet si kandidat i VV’së.

“Qëndron Kastrati njihet për punën e tij të shkëlqyeshme si kryetar jo vetëm në Kamenicë, por në mbarë Kosovën. Si kryetari më i ri, për pak më shumë se një vit qeverisje ai po na befason të gjithëve”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e tij zyrtare, në rrjetin social Facebook, në internet

Ish-partinë e tij, Vetëvendosjen, Molliqaj e ka quajtur sekt vajtues.

“Të pakënaqur me të janë vetëm Sekti VV, të cilët çdo ditë gjejnë diçka për të vajtuar”, është shprehur ai.

“Në mungesë të veprimeve konkrete dhe me xhelozi të madhe ndaj aktivitetit politik të PSD-së, vajtimi tashmë iu është bërë përditshmëri”, ka shkruar Molliqaj.

“Ndryshe nuk ka se si të arsyetohen reagimet e tyre të kësaj jave kundër Qëndronit dhe kundër vendimit të PSD-së që gratë dhe burrat të përfaqësohen 50/50 në të gjitha organet e partisë sonë”, ka thënë ai.

“Por ata le të vazhdojnë të vajtojnë, ndërsa ne do të vazhdojmë me politikat tona socialdemokrate që po përqafohen nga qytetarët çdo ditë e më shumë”, ka shkruar Molliqaj.

“Vazhdo me punën e mirë Qëndron”, ka porositur ai kryetarin e Kamenicës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat