Koalicioni që synon pajtimin në Kosovë

Aktuale

Koalicioni që synon pajtimin në Kosovë

Më: 11 korrik 2019 Në ora: 16:01
Pamje në Prishtinë - Foto nga arkivi

‘Koalicioni i Kosovës për Pajtim’ quhet iniciativa e përbashkët e lansuar nga disa organizata joqeveritare që si synim kanë pajtimin ndëretnik në Kosovë, marrë parasysh historinë e hidhur të dekadave të fundit dhe konfliktit të viteve 1998-’99 dhe pasojave të tij.

Mbështetur nga Bashkimi Evropian, tri organizata joqeveritare, Fondi për të Drejtën Humanitare, Organizata Joqeveritare Aktiv nga Mitrovica dhe ArtPolis nga Prishtina, kanë lansuar zyrtarisht ‘Koalicionin e Kosovës për Pajtim’.

Hyrja në partneritet e këtyre organizatave po synon të trajtojë dhe kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve etnike në Kosovë, duke ngritur mirëkuptimin dhe pjesëmarrjen e nismave bazë të komunitetit, që kanë për qëllim nxitjen e procesit të pajtimit në Kosovë.

Bekim Blakaj, drejtor i “Fondit për të Drejtën Humanitare”, në Prishtinë tha se këtë herë kanë vendosur që të bashkohen forcat me organizata të ndryshme, për të kontribuuar në arritjen e paqes së qëndrueshme dhe pajtimit në Kosovë. Opinioni do të duhej të jetë më i informuar, nënvizoi Blakaj, duke shtuar se përmes këtij projekti, po synohet që të zbardhet e vërteta.

“Dokumentimi i së kaluarës dhe dokumentimi i humbjeve në njerëz gjatë periudhës së luftës dhe pas luftës, si dhe monitorimi i gjykimeve të krimeve të luftës, duhet të raportohen, pasi mendoj se njerëzit duhet të dinë më shumë për këto gjëra”, tha Blakaj.

Në anën tjetër, Miodrag Miliçeviq, drejtor i organizatës joqeveritare “Aktiv’’ nga Mitrovica, tha se për të gjitha bashkësitë etnike në Kosovës është i rëndësishëm avancimi i kualitetit të jetesës, të drejtat e barabarta dhe respektimi i të gjitha bashkësive. Ai u angazhua për ndërtimin e vlerave, qëllimeve dhe të ardhmes së përbashkët brenda dhe jo jashtë Kosovës.

“Pajtimi është kategori e vetme, më e ndryshme, më e gjerë dhe më e lartë. Kjo është shprehje e vullnetit tonë personal. Mënyra e vetme që ne t’i sjellim njerëzit deri tek ai nivel, është që ne, të gjithë, në anët tona të tregojmë se jemi të gatshëm që të ballafaqohemi me të kaluarën dhe në atë mënyrë ta hapim rrugën kah dialogu i hapur, i cili mund të na udhëheqë më tutje drejt ndërtimit më të mirë të shoqërisë, të cilën, jam i sigurt që e meritojmë të gjithë”.

“Ky është parakushti themelor që shoqëritë në Kosovë ta ndërtojnë veten në përputhje me vlerat qytetare, me të drejtat dhe liritë e secilit individ që jeton këtu”, tha Miliçeviq.

Ndërkaq, Zana Hoxha nga organizata “ArtPolis”, tha se adresimi i problemeve ka qenë një aktivitet i vazhdueshëm, duke veçuar shkollën pranverore me vajza nga Kosova e Serbia, ku ato me angazhimin e tyre si aktiviste, kanë punuar për ndërtimin e paqes për vendet e tyre.

“Ky bashkëpunim nuk është vetëm projekt, por është një mision, është një punë të cilën do ta bëjmë në kuadër të strategjive tona, zhvillimit tonë për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, për një Kosovë më të mirë dhe jo të ndarë nëpërmes komuniteteve etnike, por ajo që krijon kushte për gëzimin e të drejtave të të gjithëve përfshirë komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha Hoxha.

Edhe Adriatik Kelmendi, gazetar tha se në aspektin medial, mediat shpeshherë kanë qenë vegël e politikës, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

"Jemi 20 vjet pas luftës në Kosovë. Ne po e trajtojmë këtë temë sikur të kishte ndodhur para një, dy apo pesë vjetësh, dhe kjo tregon për një dështim të madh tonin. Nëse i kthejmë reflektorët nga vetvetja pa ndonjë hezitim mund të them se edhe ne, media, nuk e kemi kryer punën ashtu siç është dashur. Pse ka qenë shpesh më e lehtë të bien në agjendat e politikës".

"Por, duhet nënvizuar se ka organizata dhe individë, që kanë bërë përpjekje që konfliktet dhe viktima të mos ndodhin, por edhe të bëjnë evidentimin, punësimin, të vërtetat për luftën, qëndruarit pranë familjarëve, monitorimin e gjykimeve, pra është punuar më shumë se nga institucionet që kanë buxhet.“ tha Kelmendi.

Derisa Edis Galushi, nga komuniteti rom, tha se ky komunitet në vazhdimësi është manipuluar nga të dyja palët, si nga ajo kosovare, po ashtu edhe ajo serbe.

Ai potencoi faktin se kur bëhet fjalë për pajtimin, dhe ftohen palët për diskutim, janë zakonisht palët kosovare dhe serbe, duke i përjashtuar komunitetet tjera, e që siç thotë ai, ata kanë qenë të përfshirë me ose pa dashje në procese.

“Secilën herë, jo vetëm në këtë luftë, por edhe në luftëra të tjera në vende të ndryshme, romët janë manipuluar. Janë shfrytëzuar për qëllimet e të tjerëve” tha Galushi.

Edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, që kanë përkrahur formimin e këtij koalicioni, kanë thënë se është e rëndësishme që të merren iniciativa të tilla dhe se Kosova duhet të marrë shembull vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian që e kanë gjetur rrugën drejt pajtimit pas së kaluarës së hidhur.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, më shumë se 13.500 persona konsiderohen të vrarë në konfliktin e viteve 1998-’99. Prej tyre,rreth 11 mijë shqiptarë dhe mbi 2 mijë serbë dhe pjesëtarë të etnive tjera. Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat