Ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Rifat Nikqi, ka reaguar pas sulmeve verbale që po i bëhen historianit Jusuf Buxhovi, rreth deklaratave të tij për UÇK-në, të cilat i dha një ditë më parë.
Me këtë rast, Nikqi ka përmendur një sërë organesh të cilat sipas tij, rrodhën nga UÇK-ja dhe krye vrasje. Shtabi i Rognerit, SHIK-u, Shqiponjat e Zeza, Qeveria e përkohshme e Thaçit.
Të gjitha këto sipas Nikqit dolën nga UÇK-ja.
“Shtabi i Rognerit ishte udhëheqës i UÇK-së ku nga aty u dha urdhër për vrasjen e qindra shqiptarëve. SHIK-u ishte strukturë e UÇK-së që vrau me qindra shqiptar. Shqiponjat e Zeza të Ramush Haradinaj ishin struktura të UÇK-së që vranë dhjetëra shqiptar. Qeveria e përkohshme e Hashim Thaçit ku për atë kohë u vranë 1665 shqiptarë, kjo qeveri u krijua nga shtabi i Rognerit ishte rrjedhë e UÇK-së. Sot nuk po e di të mburrem apo të turpërohem që isha pjesëtar i UÇK-së?”,ka deklaruar ish pjesëtari i UÇK-së në një koment në rrjetin social Facebook.
Ndryshe, historiani Jusuf Buxhovi, u “kryqëzua”, pas deklaratës së tij rreth vrasjeve politike të zyrtarëve të LDK-së dhe përmendjes së UÇK-së në këtë kontekst.