Avdyli: Çka është kjo nguti me rrëzu Qeverinë pa i kry LDK-ja zgjedhjet – kur pritëm disa vjet, pritni edhe disa ditë - Bota Sot
Avdyli: Çka është kjo nguti me rrëzu Qeverinë pa i kry LDK-ja zgjedhjet – kur pritëm disa vjet, pritni edhe disa ditë

Aktuale

Avdyli: Çka është kjo nguti me rrëzu Qeverinë pa i kry LDK-ja zgjedhjet – kur pritëm disa vjet, pritni edhe disa ditë

Më: 13 korrik 2019 Në ora: 16:24
Haxhi Avdyli

Zgjedhjeve të brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës po u vjen fundi. Pas Lipjanit ku u zgjodh kryetari sot, kanë mbetur edhe dega e Ferizajt, Vushtrrisë dhe Dega III e Prishtinës për t’u përmbyllur ky proces në të gjithë Kosovën. Dalëngadalë po afrohet edhe data e ‘nxehtë’ ku partia më e madhe opozitare do ta mbajë kuvendin për zgjedhjen e kryetarit të partisë. U përfolën shumë emra, po asnjë nuk e zyrtarizoi kandidaturën. Këtë do ta bëjnë në ditën kur mbahet kuvendi. Ky Kuvend pritet të mbahet brenda disa ditëve. Të paktën kështu ka thënë deputeti i kësaj partie, Haxhi Avdyli, i cili në një bisedë ka folur edhe për rrëzimin e Qeverisë, rrahjet brenda partisë e deklaratat e tij se Isa Mustafa nuk mund ta rrisë partinë më shumë se kaq….

Shkruan: Artina Muçiqi 

LDK është unike, andaj rrahjet apo incidentet që kanë ndodhur nëpër degë e nëndegë nuk do ta dëmtojnë as procesin zgjedhor, e as partinë.

Kështu ka thënë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, i cili në një deklaratë iu është përgjigjur edhe deklaratave të djeshme të deputetit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufcës, i cili tha se LDK nuk po e sjell mocionin për rrëzimin e Qeverisë në Kuvend për shkak të procesit të brendshëm zgjedhor.

Avdyli ka pranuar se kjo është njëra nga arsyet pse LDK nuk po vepron, por thotë të mos jetë e vetmja.

Ai përmendi faktin që si opozitë ende nuk i kanë votat e nevojshme për këtë mocion.

“Kjo nuk mund të jetë arsyeja e vetme. Një nga arsyet është se nuk janë akoma numrat. Normalisht problem është që edhe opozita nuk e ka një zë për kohën e mocionit dhe kohën e organizimit. E vërteta është që ne kemi kërkuar mocion qe një vit e më shumë, por një pjesë e opozitës nuk ka qenë e gatshme t’i bashkohet kësaj. Konkretisht PSD”, ka thënë Avdyli për Periskopin.

Ai ka thënë se brenda pak ditësh do të përfundojë procesi i brendshëm zgjedhor.

Ai konfirmoi edhe edhe Kuvendi për zgjedhjen e kryetarit të partisë do të mbahet brenda dy javëve të ardhshme.

“Jemi në një moment ku ne jemi në pritje që pas sot e nesër, mbesin vetëm edhe dy degë për të kryer procesin zgjedhor dhe normalisht ne e kemi Kuvendin zgjedhor të LDK’së brenda disa ditëve. Është e natyrshme që ne njëherë do ta kryejmë këtë Kuvend, sepse nuk mund të hyjmë në zgjedhje të përgjithshme me një LDK e cila ende nuk e ka të konsistuar Kryesinë e vetë e zgjedhjet e brendshme partiake. Por kjo nuk është arsyeja e vetme. Dihen edhe arsyet tjera pse mocioni nuk është bërë më herët. Kështu ashtu tani është kohë e verës. Shtatori është afër, për brenda disa ditëve LDK i kryen zgjedhjet dhe vazhdohet më tutje. Nëse është pritur dy vite e gjysmë që kjo qeverisje të vazhdojë, atëherë mund të pritet edhe disa ditë edhe vazhdohet ma tutje dhe natyrisht zgjedhjet nuk preferohen në kohën kur njerëzit janë në pushime dhe shumica e tyre as nuk janë në Kosovë”, ka thënë Avdyli.

Tutje, ai ka pyetur se ‘çka është gjithë kjo nguti tani?’ e s’po pritet edhe disa ditë që LDK ta përmbyll procesin e brendshëm zgjedhor.

Thotë se LDK që nga fillimi ka kërkuar rrëzimin e kësaj Qeverie. Andaj, sipas tij, nëse është pritur për më shumë se dy vite, pse të mos pritet edhe disa ditë.

“U kry procesi gati. Sapo u dha lajmi që u kry në Lipjan, sot kryhet edhe në Ferizaj. Nesër Vushtrria edhe Dega III në Prishtinë. Çka është kjo nguti kaq shumë? Kryhet procesi për disa ditë edhe ne jemi të gatshëm. Nuk është LDK fajtor që dy vite i kemi shtyrë zgjedhjet për zgjedhjet tona. E vërteta është se po e presim të kryhet Kuvendi ynë. Ne gjithmonë kemi qenë të interesuar për rrëzimin e Qeverisë. Po edhe të ishim deputetët e opozitës të gjithë bashkë, nuk do të mund t’i bënim më shumë se 56 vota. Po kështu ashtu 12 votat e PSD’së nuk kanë qenë qysh thonë në tavolinë nënshkrimet. Nënshkrimet e PSD’së s’kanë qenë të sigurta po të qitej në votim mocioni sepse ata kanë qenë pjesë e ekipeve negociatore, pjesë e aranzhmaneve për votimin e buxhetit e gjërave tjera. T’i lëmë anash, e të presim sepse LDK është në fund të procesit zgjedhor”, shtoi ai.

Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme në këtë muaj, nuk do t’i konvenon askujt tjetër, përveç partive në pushtet.

“Unë besoj që asnjë parti opozitare, jo veç LDK po askush tjetër s’i konvenon me hi në zgjedhje të përgjithshme me një LDK në zgjedhje partiake. Kjo gjendje i konvenon PDK’së e partnerëve të tjerë të koalicionit që me na çu në zgjedhje në këtë situatë. Brenda këtyre dy javëve kryhen zgjedhjet në LDK dhe pastaj në shtator e tetor janë muaj ideal për të vepruar. Ne nuk hymë në mocion veç sa për të hyrë në mocion, por hymë për me rrëzu këtë Qeveri e jo me ja zgjat jetën kësaj Qeverie. Futemi në mocion, të sigurt që i kemi votat dhe e rrëzojmë atëherë”, deklaroi ai tutje.

Në këtë deklaratë, Avdyli ka folur edhe për rrahjet në LDK dhe mundësinë që incidente të tilla ta dëmtojnë procesin e brendshëm zgjedhor krejt në fund.

“Incidentet nuk mund t’i dëmtojnë sepse LDK është unike. Këto munden me qenë probleme të disa nëndegëve e të degëve, sepse LDK është duke kryer një proces. Na kemi me dalë nga ky proces, më të bashkuar, më unik, më të fortë. Një LDK e fortë i nevojitet një Kosove të fortë. LDK është parti opozitare, por ka shtrirje të gjerë dhe vetëm LDK’ja bashkë me partitë tjera opozitare mund ta ndalin këtë situatë”, vazhdoi ai.

Sipas tij, edhe çështja e mocionit për rrëzimin e Qeverisë duhet të mendohet mirë, në mënyrë që të mos dështojë.

“Ne kemi një qeverisje të shkapërderdhur ku liderët as nuk flasin mes vete dhe po e dëmtojnë shtetin sa më shumë. Ndryshimi mund të ndodh vetëm nëse LDK është e fortë. Nuk ka kuptim që të bëhet nguti tani për mocion kur ne i kemi zgjedhjet brenda dy javëve. Çka po dojmë me ba na atëherë? A po dojmë veç hajt të bëjmë zgjedhje veç për sy e faqe e me ja zgjat mandatin kësaj Qeverie, apo po duam me ba ndryshim. Janë gushti e shtatori muaj shumë të mirë për zgjedhje. Është gatishmëri edhe partive në pushtet që të përfundojë mandati i tyre”.

Krejt në fund, Avdyli foli edhe për një deklaratë të tij, të dhënë ditë më parë në një debat televiziv se lideri aktual i LDK’së, Isa Mustafa nuk mund ta rrisë partinë më shumë.

Ai thotë se deklarata iu keqkuptua dhe se secili në LDK jep kontribut të madh, përfshirë Mustafën.

“Kjo deklaratë u nxore nga konteksti. Mendoj që roli i çdokujt në LDK është i nevojshëm dhe mendoj se kontributi i secilit është i nevojshëm në etapat e ardhshme, përfshirë edhe kryetarin aktual, i cili është dhe do të jetë njëri ndër kontribuuesit e ecjes përpara të LDK’së”, tha Avdyli tutje.

Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka përfunduar zgjedhjet në degën në Lipjan. Përveç kësaj dege, zgjedhjet pritet të kryhen edhe në Ferizaj, Vushtrri dhe në Degën III në Prishtinë.

Ende nuk dihet data e saktë se kur do të mbahen kuvendi zgjedhor i LDK’së.

Zyrtarë të kësaj partie kanë bërë të ditur se pas përfundimit të zgjedhjeve në degë, do të mblidhet kryesia e partisë dhe do të caktojë datën për mbajtjen e kuvendit zgjedhor, ku do të zgjidhet edhe kryetari i partisë.

Për këtë post janë përfolur disa emra të zyrtarëve të kësaj partie, në mesin e tyre: Isa Mustafa, Lutfi Haziri, Vjosa Osmani e Fatmir Sejdiu. Zyrtarisht asnjëri nga ta nuk e ka shpallur kandidaturën, pasi statuti i brendshëm i partisë thotë se një gjë e tillë mund të bëhet vetëm në ditën kur mbahet Kuvendi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...