Nënkryetari i LDK-së: I kryejmë zgjedhjet partiake, pastaj merremi me VV-në - Bota Sot
Nënkryetari i LDK-së: I kryejmë zgjedhjet partiake, pastaj merremi me VV-në

Aktuale

Nënkryetari i LDK-së: I kryejmë zgjedhjet partiake, pastaj merremi me VV-në

Më: 20 korrik 2019 Në ora: 15:15
LDK

Njeriu i dytë në LDK, Lutfi Haziri po thotë se për herë të parë ka dëgjuar sot për mundësinë e një bashkëpunimi me Vetëvendosjen në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqje.

Ky reagim i Hazirit vjet pak orë pasi Albin Kurti i bëri kërkesë LDK’së të krijojnë një subjekt të përbashkët për një fitore të madhe të dy partive.

“Ne nuk kemi qëndrim, me të thanë të drejtën është deklaratë edhe për ne që sot e kemi ndëgju”, ka thënë Haziri, për Express, të shtunën.

Ky zyrtar i LDK’së ka thënë se tema e vetme që kanë diskutuar në parti është dorëheqja e liderit të AAK’së nga pozita e Shefit të Qeverisë. Por, jo edhe tema të tjera.

“Kemi diskutuar mbrëmë në LDK vetëm për çështjet që kanë të bëjnë me dorëheqjen e Haradinajt dhe krizën që është shkaktu pas dorëheqjes së Qeverisë”, ka shtuar ai.

Një ditë pas dorëheqjes së Haradinaj, Kurti në një konferencë për hapi temën e bashkëpunimit me LDK’në.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me LDK-në. Jemi të interesuar ta krijojmë paraprakisht një subjekt qe e kthen shpresën në Kosovë dhe formon një efekt sinergjik që edhe dalja të jetë masive dhe jo vetëm një fitore e madhe”, ka thënë Kurti.

Lideri i VV’së ka thënë se posa të përfundojnë zgjedhjet në LDK do të ketë hapa konkret drejt një marrëveshje politike.

“Lidhja Demokratike e Kosovës në fillim të gushtit e përfundon procesin e zgjedhjeve të brendshme dhe do të ndërmarrën hapat tjerë”, ka thënë Kurti.

Lutfi Haziri thotë se fokusi i krejt partisë është te përfundimi i zgjedhjeve pastaj Kryesia dhe Kryetari i LDK’së do të vendosin për format e bashkëpunimit me partitë tjera.

“LDK në procesin e saj të brendshëm është tash drejt finalizimit, sot dega Prishtina 3 jep mbyllje dhe po pregaditemi për çështje tjera. Asnjë çështje tjetër sa i përket zhvillimeve tjera nuk është diskutu dhe nuk ka qëndrim”

I pyetur nëse bashkëpunimi me LDK-në është në fazën e krijimi të një koalicioni të përbashkët, Haziri ka thënë se tani për tani me Vetëvendosjen kanë  vetëm bashkëpunim opozitar kurse për thellim të bashkëpunimit në sferën e koalicioneve iu mbetet kryetarëve të dy partive të vendosin

“Ne kemi bashkëpunim opozitar dhe më duhet ta konfirmoj, bashkëpunimi opozitar ekziston tash e disa kohë kemi koordinu edhe në nivelin e grupeve parlamentare edhe në nivelin e liderëve. Tash si zhvillohet në çfarë forme zhvillohet bashkëpunimi është çështje që kryesitë dhe liderët e partisë e vendosin”, ka thënë Haziri.

LDK është në proces zgjedhor. Kanë caktuar 3 gushtin si datë kur do ta votojnë Kryetarin e ri të Partisë.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje të premten dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR.

Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.

Kohëve të fundit, lideri i AAK’së prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.

Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.

Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.

Ish-Komandanti i UÇK’së për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.

Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...