Kurti: Kuvendi të shpërndahet, VV dhe LDK të bëjnë qeverinë e re

Aktuale

Kurti: Kuvendi të shpërndahet, VV dhe LDK të bëjnë qeverinë e re

Më: 25 korrik 2019 Në ora: 16:29
Albin Kurti

Kuvendi i Kosovës duhet të shpërndahet në mënyrë që të hapet rruga drejt zgjedhjeve të reja demokratike për formimin e qeverisë së re, e cila duhet të udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kështu ka deklaruar sot kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë një prononcimi për media, pas takimit që pati me bashkatdhetarët tanë në Kuvendin e Kosovës.

Meqenëse subjektet politike janë deklaruar për zgjedhje të parakohshme, Kurti tha se nuk duhet të ketë pengesa për një seancë në të cilën do të shpërndahej Kuvendi.

Kurti: Kuvendi duhet të shpërndahet

“Qeveria ka rënë. Besoj që Kuvendi duhet të shpërndahet dhe sa më parë të shkojmë në zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike, në mënyrë që të kemi një qeveri të re dhe legjitimitet të freskët për institucionet e shtetit... Meqenëse subjektet politike janë deklaruar për zgjedhje të parakohshme parlamentare, atëherë ose duhet të shpërndahet Kuvendi sa më parë ose do të kuptohet se dikush nuk e ka pasur njëmend një deklarim të tillë”, paralajmëroi Kurti.

Ai tha se opozita e vërtetë është Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e si të tilla duhet të qeverisin Kosovën.

Kurti: VV dhe LDK të bëjnë qeverinë e re

“Ne dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pra Vetëvendosje dhe LDK-ja jemi opozita e vërtetë deri më tani, dhe është e logjikshme që qeveria e re për ndryshime demokratike, opozitën e vërtetë, do ta bëjë qeverisje të vendit... Prandaj, edhe thirrja e një seance të tillë dhe votimi me 2/3 do të duhej të ishte vetëm çështje teknike”, u shpreh Kurti.

Kurti e ka quajtur të dëmshëm njoftimin e kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj për mbledhje të qeverisë, pas kthimit të këtij të fundit nga Haga, ku ishte marrë në pyetje nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Kurti: E gabueshme thirrja e mbledhjes së qeverisë e cila ka rënë

“Mendoj (se thirrja e mbledhjes të qeverisë) është e gabueshme, e padrejtë, mendoj se është e dëmshme. Tash është kohë që të thërrasim seancë të jashtëzakonshme për shpërndarje të Kuvendit dhe jo mbledhje të Qeverisë e cila ka rënë”, tha ai.

Ai këto komente i bërë gjatë pritjes që iu bëri mërgimtareve në Kuvendin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat