AKR e bindur se do ta kalojë pragun, thonë se do të garojnë si parti e vetme

Aktuale

AKR e bindur se do ta kalojë pragun, thonë se do të garojnë si parti e vetme

Më: 25 korrik 2019 Në ora: 18:23
Behgjet Pacolli

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës, partitë politike kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme. E një gjë të tillë, si duket është duke e bërë edhe partia e Behgjet Pacollit, Aleanca Kosova e Re.

Për këtë ka folur anëtari i kësaj partie, Arbër Geci, i cili tha se edhe partia që i përket, është që vendi të shkojë në zgjedhje, ndërsa, shtoi se mendimi i shumicës brenda partisë, është që AKR të garojë e vetme.

Madje, ai tha se AKR ngado që do të pozicionohet, do të jetë pjesë e bllokut fitues.

“Jemi për të shkuar në zgjedhje. Mendimi i shumicës në AKR është që të garojmë si parti e vetme. Nuk kam asnjë dileme për kalimin e pragut. Por ju siguroj, që AKR, do të jetë pjesë e bllokut fitues të zgjedhjeve”, tha ai.

Sa i përket programit që AKR do ta këtë në këtë fushatë zgjedhore, Geci thotë që prioritet do të jetë rinia e vendit. Ai, nuk ka treguar nëse kanë ndonjë parti me të cilën do të refuzonin kategorikisht të hynin në koalicion.

“Prioriteti i fushatës sonë do të jetë rinia dhe mos largimi i saj nga vendi. Nuk mund ta them se kemi vija të kuqe, sepse kam frikë që mund të përfundojmë me cilëndo që e them, sepse kështu po ndodh. Por, mendoj që një pjesë e partive politike do të përjashtohen nga mundësia për të bërë koalicion parazgjedhor. Nuk mund të them se cilat janë këto parti”, deklaroi Arbër Geci në Frontal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat