Zyrtare: Telekomi shkëput marrëveshjen me Z-Mobile, paralajmërohet padi për dëmet ndaj Telekomit

Aktuale

Zyrtare: Telekomi shkëput marrëveshjen me Z-Mobile, paralajmërohet padi për dëmet ndaj Telekomit

Më: 30 korrik 2019 Në ora: 16:52
Zyrtare: Telekomi shkëput marrëveshjen me Z-Mobile

(E plotësuar) - Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës ka njoftuar se pas negociatave gjashtëmujore me Z-Mobile për kushtet e reja të kontratës nuk kanë arritur marrëveshje dhe në këtë mënyrë sot ky operator është njoftuar për përfundim të kontratës.

Po ashtu, u bë e ditur se Telekomi i Kosovës është duke përgatitur një padi për Z-Mobile për dëmet e shkaktuara Telekomit.

Kryetarja e bordit të Telekomit Besa Shatri-Berisha, ka njoftuar se pasi që nuk kanë arritur marrëveshje kontrata është përfunduar.

Shatri: Bordi i drejtorëve njofton për përfundim të kontratës me Z-Mobile

“Bordi i drejtorëve njofton sot publikisht punëtorët e vet dhe opinionin që pas një periudhe gjashtëmujore të negociatave me Z-Mobile për kushtet e reja të kontratës, palët nuk kanë arritur marrëveshje mbi kushtet e reja. Prandaj, sot kryeshefi ekzekutiv bazuar në vendimin e bordit të drejtorëve ka dërguar njoftimin zyrtar për shpallje të pasuksesshme të negociatave dhe përfundim të kontratës me Z-Mobile nga data 31 korrik 2019”, bëri të ditur ajo. 

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit Bedri Istrefi, tha se e kanë shpallur kontratën me Z-Mobile të përfunduar dhe nuk kanë më obligime kontraktuale.

Ai ka treguar se çfarë do të ndodhë me rreth 300 mijë numrat e Z-Mobile, ku ka treguar se nuk do të ndërpriten shërbimet ndaj konsumatorëve deri në përfundim të fazës së tranzicionit.

Istrefi: Këtë kontratë e shpallim si të përfunduar dhe pa asnjë obligim kontraktual

“Sot gjatë ditës edhe është njoftuar operatori, në këtë rast Dardafoni partneri jonë i deritanishëm që pas dështimit të negociatave si të pasuksesshme  për gjashtë muaj sa kemi pas. Ne këtë kontratë e shpallim si të përfunduar dhe pa asnjë obligim kontraktual... Ne sot gjatë ditës jemi në kontakt me ARKEP-in dhe iu bëj njoftim të gjithëve, konsumatorëve që shërbimet e Dardafonit që janë duke i shfrytëzuar të mos bien në panik, të mos shqetësohen, të mos bien pre e dezinformatave qoftë ndonjë media të caktuar. Ne, bashkërisht me ARKEP, jemi duke punuar ngushtë të implementojmë edhe fazën e tranzicionit, e cila do të zgjasë nga 30 deri në 120 ditë. Kështu që, konsumatorët që i kanë shërbimet e tyre nuk do t’iu ndërpriten në asnjë moment, në asnjë rrethanë deri në përfundimin e fazës së tranzicionit”, tha ai.

Istrefi ka bërë të ditur se janë në fazën e përgatitjes së një padie ndaj humbjeve të shkaktuara ndaj Telekomit, por që nuk ka bërë të ditur se sa është kjo humbje.

I pyetur se a janë të gatshëm të ballafaqohen edhe me një arbitrazh, Istrefi deklaroi se të gjitha vendimet i kanë marrë në koordinim të plotë me ekspertizë të jashtme ligjore.

Istrefi: Jemi në fazën e përgatitjes së një padie

“Ne jemi të gatshëm  në çdo moment, në çdo formë, në çdo rrethanë, të gjitha veprimet i kemi marrë në koordinim të plotë me ekspertizë të jashtme ligjore që kemi angazhuar dhe me ekspertizën e jashtme financiare... Janë detaje të ekspertizës së raportit financiar që përgatitur nga, janë detaje pak konfidenciale, kisha kërkuar që ato të përdoren për çështje të Telekomit të Kosovës, pasi që jemi në një proces tjetër ku jemi në fazën e përgatitjes së një padie ndaj humbjeve të shkaktuara ndaj Telekomit të Kosovës”, tha ai.

Kryeshefi i Telekomit ka bërë të ditur detaje nga kontrata që i kanë ofruar Z-Mobile, por që sipas tij ata nuk ishin pajtuar me të.

Istrefi: Prej 20 propozimeve tona vetëm në 3 janë pajtuar

“Ne me vendimin e arbitrazhit dhe me kontratën të MSA-së jemi kanë të obliguar që të dy kompanitë të formojmë ekipe negociuese dhe këto ekipe për gjashtë muaj sa kemi negociuar prej 20 propozimeve prej Telekomit të Kosovës për një bashkëpunim të mundshëm, prej 20 vetëm në 3 janë pajtuar ata dhe kanë marrë një përgjigje nga neve që është kthyer se jemi dakord me këto tria. Ndërsa, asnjë propozim prej tyre gjatë krejt këtij procesi nuk ka pasur, asnjë ftesë për një takim gjatë krejt këtij procesi gjashtë mujor nuk ka pasur. Pas përmbylljes së negociatave, ne e kemi pa se edhe ofertën që ia kemi dërguar që ata nuk janë pajtuar me ofertën, të cilën e kemi përgatitë, çdo herë konform ekspertizës financiare dhe sugjerimeve të plota që ajo kompani që është me përvojë ndërkombëtare, ne në bazë të atij raporti e kemi përgatitur edhe ofertën financiare me të cilën nuk janë pajtuar, nuk kanë pranuar dhe si t ë tillë ne e kemi përmbyllur bisedimet si të pasuksesshme dhe ka ardhur deri te përfundimi i marrëdhënieve kontraktuale me ta”, tha Istrefi.

Ai u ka bërë thirrje punëtorëve që të kthehen në vendet e punës dhe të jenë të disiplinuar në kryerjen e punëve dhe përgjegjësive që iu takojnë.

***

Telekomi dhe Z-Mobile nuk kanë arritur marrëveshje për kushtet e reja mbi vazhdimin e kontratës.

Kryetarja e Bordit të Telekomit Besa Shatri-Berisha, tha se pas një periudhe 6- mujore me Z-Mobile, palët nuk kanë arritur marrëveshje për kushtet e reja.

“Sot kryeshefi ekzekutiv ka dërguar njoftimin për përfundim të kontratës me Z-Mobile", tha ajo nën jë konferencë për media.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit Bedri Istrefi tha se dje në mbledhjen e bordit është marrë vendim që sot gjatë ditës është njoftuar operatori Z-Mobile, se pas ndërprerjes së negociatave, kontrata nuk do të vazhdohet.

I pyetur se çka do të ndodhë me numrat e Z-Mobile, ai tha se shërbimet nuk do të ndërpriten deri në përfundimin e fazën e tranzicionit.

 “Bashkë me ARKEP-in po punojmë të implementojmë edhe fazën e tranzicionit që do të zgjatë nga 30 deri 120 ditë. Konsumatorët që kanë shërbimet e tyre, s’do t’u ndërpriten deri në përfundim të tranzicionit”, tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat