Paçarizi tregon se çfarë kryeministri na duhet për vendin tonë - Bota Sot
Paçarizi tregon se çfarë kryeministri na duhet për vendin tonë

Aktuale

Paçarizi tregon se çfarë kryeministri na duhet për vendin tonë

Nga: A.SH Më: 18 gusht 2019 Në ora: 15:55
Rrahman Paqarizi

Tash kur partitë po mendojnë për ofertat e tyre për kryeministër, profesori Rrahman Paçarizi, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar disa kushte që duhet të ketë një kryeministër dhe ministrat për vendin tonë.

Postimi i tij pa ndërhyrje:

Çfarë kryeministri po m'duhet

Tash kur partitë po mendojnë për ofertat e tyre për kryeministër(nëse janë aq trime sa ta shpërndajnë Kuvendin e ta çojnë vendin në zgjedhje), po mendoj me zë se çfarë kryeministri më duhet, çfarë kryeministri Ju duhet dhe çfarë kryeministri Ju duhet dhe çfarë kryeministri na duhet.
Po e du e po më duhet një kryeministër/kryeministre, e rrjedhimisht edhe ministra e ministre që:
• ka pak shkollë e një diplomë legjitime;
• ka lexu ndonjë libër nga fillimi e deri në fund;
• flet të paktën një gjuhë të huaj;
• ka dalë jashtë vendit për nevoja kulturore, e jo vetëm me honorar të shtetit;
• di me folë e me shkru shqip (jo patjetër standard);
• di me u sjellë me gazetarët;
• ka një bibliotekë në shpi;
• nuk i lakmon, por i mbështet bizneset pa u kërku favore;
• rritja ekonomike e të cilët gjatë mandatit është në përputhje me rritjen ekonomike të vendit;
• nuk fle nëpër hotele njerëzish të dyshimtë;
• nuk shkon nëpër dasma e syneti njerëzish të dyshimtë;
• nuk fotografohet me puro, raki e verëra të shtrenjta që nuk ia mban xhepi;
• ndonjëherë shkon në punë me autobusë, me biçikletë a më këmbë;
• del me familje në qendrat tregtare apo në kafenetë e Prishtinës;
• shkon për pushime me familje aty ku ndodh të takojë ndonjë qytetar të vetin;
• ndodh me shku me ngrënë bukë Te Nazi, në Aurorë apo që blen hamburger Te Aba;
• del ndonjëherë në Gërmi a shkon në pishinën e Gërmisë me familje;
• vishet edhe në Minimax, në Melodi e në Herta;
• nuk ka frikë nga deklarimi i pasurisë;
• del ndonjëherë në kafe a u shkon në vizitë edhe shokëve e shoqeve të shkollës;
• shkon me pi çaj te kojshia i parë;
• shkon për Bajram a Pashkë në katundin e vet;
• han pasul, lakror e kungulluer, së paku sa me pushu prej frutave të detit;
• nget veturë të veten;
• e njeh mësuesin a mësuesen e fëmijës së vet;
• nuk e detyron shoferin zyrtar me shku në çerdhe, kopsht a shkollë me ia marrë fëmijët;
• del pa truproja;
• shkon vetë në dyqanin e lagjes me ble bostan, çaj a makarona;
• e di sa kushton një bukë, një litër, vaj, një litër qumësht, një haribo e një pastë e dhëmbëve.
• e ftojnë për vizita zyrtare jashtë vendit;
• nuk i djersiten duart nga frika e takimit me homologët;
• para se me u taku me homologët lexon diçka për ta dhe ua përmend atyre ndonjë libër a projekt të suksesshëm;
• nuk mbllaçitet gjatë drekave e darkave zyrtare;
• nuk pranon dhurata mbi 50 euro vlerë, madje edhe ato me shumë kujdes;
• nuk ka frikë nga drejtësia;
• ...
E di që ju duket e pamundur që një njeri t'i përmbushë këto kushte, por e di gjithashtu se një i tillë na duhet. Pra, të kuptohemi drejt, nuk po flas për barazi sociale, nuk po e du një kryeministër a ministër të varfër as të pasur - po e du një kryeministër a ministër që është i arsimuar dhe i edukuar mirë, e jo kryeministër a ministër "selak e llaskuc", pe du një kryeministër a ministër që është i ndershëm e jo hajn, pe du një kryeministër a ministër që ka dinjitet dhe jo inferior, pe du një kryeministër a ministër që nuk ka nevojë më i buzëqesh secilit hetues a prokuror.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...