Tahiri: Ky person është i dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit - Bota Sot
Tahiri: Ky person është i dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit

Aktuale

Tahiri: Ky person është i dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit

Më: 23 gusht 2019 Në ora: 18:41
Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Abelard Tahiri

Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, është shënuar si i dyshuari kryesor për vrasjen e liderit të Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanoviq, dhe dosja e tij është kompletuar, dhe proceduar organeve ndërkombëtare, me qëllim që të nxirret fletarrestimi ndërkombëtar.

Këtë e ka deklaruar ministri në largim i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, duke thënë se një vendim të tillë e ka sjellë Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Milan Radojçiq është i dyshuar për vrasjen e politikanit kosovar Oliver Ivanoviq”, thuhet në deklaratën e Tahirit.

“Në angazhimin tonë për të sjellë para drejtësisë vrasësit e politikanit kosovar të nacionalitetit serb, Oliver Ivanoviq, sot kemi marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe e kemi proceduar tutje Fletë Rreshtimi Ndërkombëtar për të dyshuarin kryesor Milan Radojçiq. Pavarësisht pengesave në hetime që janë shkaktuar nga pushteti në Serbi, si institucione përgjegjëse që sigurojnë rendin dhe ligjin, ne nuk jemi zbrapsur dhe kemi qenë të pa kompromis në ndjekjen e të dyshuarve, që të njëjtit të sillen para drejtësisë”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka shtuar se Fletë Rreshtimi Ndërkombëtar është hap konkret që do të ndihmojë në zbardhjen e rastit në tërësi, dhe do të bëj të ditura motivet, si dhe urdhërdhënësit e kësaj vepre penale.

Vrasja e politikanit serb Ivanoviq, ka ndodhur me 16 janar të vitit 2018, në Mitrovicën Veriore, para selisë së subjektit të tij politik.

Milan Radojçiq gjendet në Serbi, ku si një nga liderët e Listës Serbe paraqitet në takime të larta politike. Për herë të fundit, ai është parë më 3 korrik të këtij viti, në Presidencën e Serbisë në Beograd, me rastin e takimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Lista Serbe është partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e afërt me Partinë Progresiste Serbe të Aleksandar Vuçiqit dhe ka qenë pjesë e Qeverisë së Kosovës, të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Gjithashtu, ajo ka fituar në zgjedhjet për pushtet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, në dhjetor të vitit 2018./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...