Nuk ia kanë kthyer laptopët Kuvendit, kështu arsyetohen ish-deputetët

Aktuale

Nuk ia kanë kthyer laptopët Kuvendit, kështu arsyetohen ish-deputetët

Më: 27 shtator 2019 Në ora: 18:00
Kuvendi i Kosovës

Mbi 80 ish-deputetë po vazhdojnë që t’i shfrytëzojnë laptopët e Kuvendit të Kosovës edhe pas shpërndarjes së këtij institucioni. Ndonëse afati i fundit për dorëzimin e këtyre pajisjeve ka qenë 10 shtatori, të paktë janë ata që e kanë përfillur këtë vendim. Disa thonë se nuk i kanë kthyer në mungesë të kohës, disa nuk kanë qenë në dijeni për këtë vendim, derisa dikush është treguar dorëlirë me këto pajisje. 

Janë bërë më shumë se një muaj që nga dita kur deputetët e legjislaturës së gjashtë votuan për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Por, ndonëse Kuvendi është shpërndarë më 22 gusht, ata po vazhdojnë që t’i shfrytëzojnë laptopët e këtij institucioni edhe gjatë fushatës.

Sipas Administratës së Kuvendit, as gjysma e deputetëve nuk i kanë dorëzuar pajisjet deri në përfundim të afatit kohor.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi i ka thënë se 81 ish-deputetë nuk i kanë dorëzuar ende laptopët.

Krasniqi ka thënë se afati i fundit për kthimin e këtyre pajisjeve ka qenë më 10 shtator.

“Sipas Vendimit të Kryesisë, afati për kthimin e llap-topit ka qenë gjerë më 10 shtator 2019”, thuhet në përgjigjet e Krasniqit.

E për një vendim të tillë disa prej deputetëve as që janë në dijeni. Ata po vazhdojnë që t’i shfrytëzojnë këta laptopë me arsyetimin se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë për t’i kthyer.

Për dallim prej tyre, të tjerë thonë se kur kanë shkuar që t’i dorëzojnë administrata ka qenë e mbyllur, derisa të tjerët arsyetohen me mungesën e kohës shkaku i zgjedhjeve.

Media ka kontaktuar me ish-deputetë nga radhët e LDK’së, VV’së, PDK’së, AAK’së, NISMËS dhe PSD’së, të cilët kanë dhënë arsyetime interesante për këtë punë.

Ish-deputeti i LDK’së, Anton Quni i ka thënë se laptopin e Kuvendit nuk mund ta kthej pasi që ia ka falur një studenti, por se do të paguajë për të.

“Llaptopin ia kam dhanë një studenti, edhe tash po më vjen keq me ia marr. Por, jam lajmëruar në Administratë për ta paguar”, ka thënë Çuni.

Laptopin nuk e ka kthyer ende as ish deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Liburn Aliu.

Aliu ka thënë se këtë procedurë do ta kryejë tek më 7 tetor, meqenëse nuk ka fare besim në udhëheqjen e Kuvendit. Thotë se do ta mbajë të papërdorur deri në përfundim të fushatës.

Sipas Aliut, ky veprim i tij është në të mirën e të gjithëve në fushatë pasi që shmang çfarëdo lloj dyshimi për abuzim.

“Laptopi që më është dhënë nga Kuvendi është përplot me të dhëna nga puna ime në Kuvend. Unë nuk kam fare besim në udhëheqjen e Kuvendit, njëjtë si në institucionet tjera që çdo ditë abuzojnë me mundësitë që kanë për qëllime fushate. Për këtë arsye, laptopin do ta mbaj të papërdorur deri në përfundimin e fushatës. Të hënën më datë 07 tetor do ta dorëzoj në Kuvend”, ka thënë Aliu.

Arsye interesante për mos dorëzimin e pajisjeve ka dhënë edhe ish-Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi. Sherifi ka thënë se nuk ka pranuar ta dorëzojë laptopin në shenjë proteste ndaj vendimit të kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Vendimin e Kryesisë, Sherifi e ka quajtur të gabuar dhe të padrejtë. 

“Jo se më duhet sepse kam edhe kompjuter personal në shtëpi, por nuk e kam dorëzuar si shenjë proteste ndaj vendimit të padrejtë të kryetarit të Kuvendit që ka kërkuar nga deputetët që t’i dorëzojnë laptopët. Ai ka kërkuar që t’i kthejmë për të qëndruar në depo, ndërsa për vete i ka siguruar të gjitha privilegjet, zyrën, infrastrukturën, veturën e kompjuterat”, ka thënë ai.

Deklaron se do ta dorëzojë llaptopin vetëm në rast se nuk zgjidhet sërish deputetë.

“Është vendim i gabuar dhe i padrejtë. Është e padrejtë që deputetëve të iu kërkohet që t’i dorëzojnë llaptopët pa e ditur a do të zgjidhet apo jo. Unë kam garur sërish dhe në rast se nuk rizgjidhem sërish, atëherë do ta dorëzoj llaptopin”, ka thënë Sherifi.

Ndërkohë, deputetët e tjerë arsyetohen me mungesën e kohës për shkak të zgjedhjeve ose mos informimin për një vendim të tillë.

Bashkëpartiakja e Kadri Veselit, Flora Brovina i ka thënë se ajo ka shkuar që ta dorëzojë këtë pajisje, por se ka qenë dera e mbyllur. Madje, Brovina duket se as që ka qenë në dijeni për afatin kohor për kthimin e këtyre pajisjeve. 

“Ka qenë dera e mbyllur kur kam shkuar ta dorëzojë. Pyetje e çuditshme, lexo statusin e deputetit që i mbaron mandati”, ka thënë Flora Brovina.

Derën e mbyllur thotë ta ketë gjetur edhe ish-deputeti i LDK’së, Arben Gashi. Ai premton se të hënën do ta dërgojë dikë që ta kryejë këtë procedurë.

“Kam qenë me e dorëzu, zyra ka qenë mbyllë. Të hënën e dërgoj dikënd që ta kryej këtë procedurë administrative”, ka thënë Gashi.

Për dallim prej Brovinës e Gashit, të tjerë deputetë po del të mos kenë pasur kohë as të afrohen tek administrata. Deklarojnë se dorëzimin e laptopëve do ta bëjnë ditëve në vijim.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhevahire Izmaku, i ka thënë Express se laptopin do ta kthejë tek mbas zgjedhjeve meqenëse tash është e zënë.

“Arsye teknike. Më 7 tetor e kthej, sepse kam shumë gjëra të cilat duhet larguar dhe normalisht jam në fushatë”, ka thënë Xhevahire Izmaku.

Njëjtë është arsyetur edhe ish-deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj. Ai thotë se do të shkojë në Kuvend të hënën, meqenëse deri tash nuk ka pasur kohë.

“Veç mungesa e kohës se sapo të gjejë pak kohë do e dorëzoj. Me kismet të hënën”, ka thënë Driton Selmanaj.

Laptopin nuk e ka kthyer ende as ish deputeti Milaim Zeka. Madje, ai as që është në dijeni se ka një vendim për kthim të këtyre pajisjeve teknologjike.

Zeka i ka thënë se nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga Kuvendi për këtë çështje. 

“Sepse asnjë kërkesë nuk e kam nga ana e Kuvendit lidhur me këtë gjë. Përndryshe, kur e kërkon sekretaria, unë e dorëzojë. Kjo nuk është punë e kryesisë, po e sekretarisë”, thuhet në përgjigjet e Zekës.

E një deputete pavarësisht se thotë ta ketë ka dorëzuar laptopin, emri vazhdon t’i figurojë te ata që vazhdojnë t’i shfrytëzojnë.

Ish deputetja e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimi thotë se këtë procedurë e ka kryer në fillim të shtatorit.

“Unë e kam dorëzuar laptopin në administratën e Grupit Parlamentar të Nismës. Po më habitë kjo pyetje sepse e kam dorëzuar më 1 ose 2 shtator. Do të flas me administratën për këtë”, thuhet në përgjigjet e saj drejtuar medias.

Në mesin e deputetëve që nuk i kanë kthyer laptopët është edhe e bija e Presidentit Historik, Teuta Rugova, e cila këtë vit nuk kandidon për deputete.

Media ka provuar të kontaktojë edhe me deputetë të tjerë, që sipas listës së Kuvendit vazhdojnë t’i shfrytëzojnë këto pajisje, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Përveç laptopëve, Veseli ka marrë vendim edhe për veturat zyrtare që kanë qenë në shfrytëzim nga Grupet Parlamentare.

Në bazë të vendimit, grupeve parlamentare u është lënë mundësia që të merren vesh me KQZ-në që përmes saj t’i paguajnë qiratë e veturave në shfrytëzim, në të kundërtën t’i kthejnë ato në Agjencinë Qendrore të Prokurimit. Të gjitha grupet parlamentare megjithatë i kanë kthyer veturat.

Ndryshe, deputetët e Legjislaturës së Gjashtë e kanë përfunduar para kohe mandatin, dhe për rrjedhojë 6 tetori është përcaktuar si datë e zgjedhjeve të parakohshme.

Shumica prej tyre sërish kërkojnë besimin e qytetarëve për t’u kthyer në Kuvend. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat