Osmani: Gjakovës do t’ia rikthejmë namin e dikurshëm

Aktuale

Osmani: Gjakovës do t’ia rikthejmë namin e dikurshëm

Më: 28 shtator 2019 Në ora: 17:33
Vjosa Osmani

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në vazhdën e fushatës zgjedhore, sot mbajti tubimin e radhës në Gjakovë, ku nga këtu kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani tha se për fat të keq sikur çdo vend tjetër i Kosovës, edhe Gjakova është prekur nga plaga e ikjes së të rinjve nga keqqeverisja aktuale.

Osmani para elektoratit të LDK-së premtoi se Gjakova do ta ketë vëmendjen e veçantë të qeverisë së saj, që jo vetëm aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet plotësisht, por përmes ligjit për investime strategjike do të sjellin investitorë seriozë për krijimin e vendeve të reja të punës dhe mirëqenie për familjet gjakovare, që Gjakovës t’i rikthehet nami i dikurshëm.

Osmani është zotuar se Gjakova kurrë më nuk ka për t’u turpëruar nga njerëzit që janë të përfaqësuar. Sipas saj, Gjakova sikur çdo vend tjetër i Kosovës, ka nevojë për një qeveriske me duar të pastra, ndërsa premtoi se fatin e të pagjeturve do ta adresojnë për ta zbardhur me prioritet.

Osmani: Fati i të pagjeturve - prioritet absolut i LDK-së

“Jemi sot këtu që të lidhim besë me ju, me secilin gjakovar, që më 6 tetor ta rikthejmë dinjitetin e qytetarëve, që më 6 tetor ta rikthejmë shpresën për Gjakovën dhe krejt Kosovën, ashtu siç kishit shpresë në kohën e presidentit historik Ibrahim Rugova... Për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë keqqeverisjes dhe abuzimit, ju ftoj që t’i besoni LDK-së... Njerëzve të mirë dhe dijshëm të Gjakovës dhe malësisë së Gjakovës, do t’ua kthejmë perspektivën. Plagën e Gjakovës dhe të krejt Kosovës, fatin e të pagjeturve, ne do ta adresojmë për ta zbardhur me prioritet absolut”, tha Osmani.

Po ashtu ajo shtoi se më 6 tetor, LDK do të dalë fituese e zgjedhjeve bindshëm dhe do t’i dërgojë në opozitë shkaktarët e së keqes në Kosovë.

Osmani: Do ta shkatërrojmë piramidën e të korruptuarve

“Më 6 tetor, Gjakova dhe krejt Kosova do ta kremtojnë çlirimin nga ata që nuk i dhanë Kosovës asgjë tjetër, pos stërkeqje. Gjakova dhe krejt Kosova do ta festojnë çlirimin nga ata që po krekosen me parulla se do ta luftojnë krimin dhe korrupsionin, ndërsa të gjithë e dimë se ata janë vetë që e kanë ndërtuar piramidën e krimit dhe korrupsionit në Kosovë. Ata janë vetë që ndërtuan dhe po e mirëmbajnë, por do t’ia prishim e do t’ua shkatërrojmë, e nuk do t’u lëmë më vend kurrë në institucionet e Kosovës”, tha Osmani.     

Shefi i shtabit zgjedhor të LDK-së, Lutfi Haziri kërkoi në Gjakovë që LDK të rikthehet fuqishëm si parti prijëse në shtet-ndërtimin, ndërsa pati një edhe një porosi për udhëheqësit e qeverisë në dorëheqje.

Haziri: Kujdestarët e qeverisë t’i pastrojnë zyrat, sepse Vjosa po vjen

“Ata që janë duke kujdestaruar qeverinë, ta pastrojnë tavolinën, të dalin prej aty, dhe me ia dhënë mandatin Vjosës. Pra, me e pastruar tavolinën dhe zyrat, sepse Vjosa me ekipin e saj qeverisës dhe përtej LDK-së, ngase ne jemi duke punuar edhe me demokristianët që i kemi të familjes tonë”, deklaroi Haziri.

Kryetari i Degës së LDK-së në Gjakovë, njëherësh kandidat për deputet, Luan Gola, pati një kërkesë për qytetarët e Gjakovës, që mos të eksperimentojnë më me votë, pasi ka shumë arsye që të votohet kandidatja Vjosa Osmani për kryeministre.

Ai tha se për herë të parë në historinë shqiptare, LDK ka ofruar një kandidate të guximshme për këto zgjedhje.

Ndryshe, kandidatë për deputetë nga Gjakova janë Luan Gola, Brikenda Kryeziu, Zef Morina dhe Rrustem Leti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat