Ferat Shala: Qeveria e re duhet ta ketë prioritet sektorin minerar

Aktuale

Ferat Shala: Qeveria e re duhet ta ketë prioritet sektorin minerar

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 11:52
Ferat Shala

Ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, është në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës. Profesor i asocuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Prishtinë kërkon që sektori minerar të shihet me prioritet nga qeveria e ardhshme.

Në intervistën “Kandidatët”, Shala thotë se qeveria e re duhet të punojë më shumë për rimëkëmbjen e Trepçës, ta zgjedhë një partner të mirë dhe serioz në mënyrë që të kemi një shkallë të lartë të investimeve.

Për rreth katër vite ai drejtoi ndërmarrjen Trepça dhe kush më mirë se Ferat Shala e di se cilët janë hapat që duhet të ndiqen në mënyrë që gjiganti i fjetur industrial i Kosovës të rinigrihet edhe njëherë si dikur.

Shala: Ja çfarë duhet të ketë parasysh qeveria e re

“Qeveria e re prioritet duhet të ketë sektorin minerar, qeveria e re duhet të ketë transparencë maksimale dhe një ekspertizë shkencore dhe ekonomike që ta trajtojë Trepçën dhe qeveria e re duhet t’i lirojë zonat e interesit për hulumtim që janë zona përreth Trepçës që e rrisin sektorin minerar, e zhvillojnë sektorin minerar dhe na sjellin investitorë strategjikë të brendshëm apo të jashtëm. Faza e katërt është qeveria duhet ta zgjedh një partner serioz të investimeve që është bashkë me punëtorët dhe ta kemi një shkallë të lartë të investimeve në këtë gjigant”, tha ai.

Shala tha se shteti ynë duhet të marrë praktikat më të mira investive për Trepçën dhe se ka investitorë të mjaftueshëm që mund të jenë partnerë seriozë.

Për arsye se politikat e deritashme nuk kanë treguar rezultat sa i parket e Trepçës, Shala e ka shpresën te qeveria e ardhshme nën drejtimin e liderit të partisë së tij, Kadri Veseli.

Doktori i shkencave gjeologjike theksoi se është koha e fundit që institucionet shtetërore që do krijohen pas këtij procesi zgjedhor ta kthejnë në top agjendë sektorin minerar.

Shala: Duhet të kthehemi me fokus investiv zhvillimor tek sektori minerar

“Politikat e deritashme nuk kanë treguar rezultat sa i përket prioritetit që duhet dhënë jo vetëm Trepçës por në përgjithësi sektorit minerar, është koha e fundit që institucionet shtetërore që do krijohen pas këtij procesi zgjedhor ta kthejnë në top agjendë sektorin minerar në këtë sektor, dhe pastaj njëri nga gjigantët në këtë sektor është Trepça e cila do ndryshonte rrjedhën zhvillimore dhe ekonomike të Kosovës mbështetur në resurset e saj që ka dhe në kapacitetet e saj që ka, pra ne duhet të kthehemi me fokus investiv zhvillimor tek sektori minerar e në këtë rast tek gjiganti Trepça gjë që nuk ka qenë deri më tani”, shtoi Shala.

Sa i përket legjislacionit, Shala tha se ai është relativisht i mirë edhe pse ka hapësirë për t’u plotësuar, porse problematikat bazike , pronësore, i ka zgjidhur dhe Trepça tashmë ka të zotët e saj.

Ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor këmbëngul se Trepça dhe resurset e saj nuk duhet të bëhen pjesë në asnjë mënyrë e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se këtë nuk e lejon as kushtetuta dhe çështjet kushtetuese nuk negociohen.

Shala: Trepça nuk duhet të bëhet pjesë e diskutimeve Kosovë-Serbi

“Ky qëndrim i imi është tash e shumë vite nuk ka asnjë formë, nuk e lejon as ligji as Kushtetua asnjë veprim tjetër politik, nuk mund ta bëjë këtë. Kategoritë e sektorit minerar gjegjësisht resurset janë kategori kushtetuese dhe problematika dhe çështjet kushtetuese nuk negociohen, nuk ka qenë dhe as nuk duhet të diskutohet kjo punë”, tha ndër të tjera Shala.

Sa i përket zgjedhjeve të së dielës, Ferat Shala pret që programi dhe vizioni i Partisë Demokratike të Kosovës të dalë fitues dhe të punohet drejt zhvillimit të vendit.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat