Grenell s’është njoftuar nga Macroni për takimin e fundit Thaçi-Vuçiq - Bota Sot
Grenell s’është njoftuar nga Macroni për takimin e fundit Thaçi-Vuçiq

Aktuale

Grenell s’është njoftuar nga Macroni për takimin e fundit Thaçi-Vuçiq

Më: 16 nëntor 2019 Në ora: 14:16
Richard Grenell

Dy vende evropiane, Franca dhe Gjermania si dhe Amerika janë duke u marrë me raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë situatë, Presidenti francez kishte organizuar javën e kaluar një takim ndërmjet Hashim Thaçit e Aleksander Vucicit. I deleguari Special i Donald Trump Richard Grenell është mbajtur në terr informativ për takimin e Parisit të mbajtur më 12 nëntor të këtij viti.

Dick Custin, pjesë e Kabinetit të Përfaqësuesit Special Presidencial i Negociatave për Paqe Kosovë-Serbi, Ambasadorit Richard Grenell, ka konfirmuar për media vendore se francezët s’janë kontaktuar fare me amerikanët për takimin e fundit të Thaçit me Vucicin.

Madje, Grenell nuk është kontaktuar nga Macron as për planet rreth një takimi të mundshëm Kosovë-Serbi në janar të vitit 2020, nismë të cilin e ka zbuluar Aleksander Vucic pas takimit që ka pasur me kreun e shtetit francez në Paris.

Vuçiq kishte thënë se janë dakorduar me Macronin që të realizojnë një bisedë telefonike në muajin dhjetor pas krijimit të qeverisë në Kosovë për të diskutuar rreth planit të Macronit për një takim gjatë janarit të vitit të ardhshëm. Gjithashtu kreu i shtetit serb pas takimit ka potencuar se Franca dëshiron të luajë rol kyç në dialogun Kosovë-Serbi.

“Ambasadori s’ka qenë në kontakt me presidentin e Francës lidhur me asnjë takim”, ka konfirmuar Custin përmes një përgjigje me shkrim për Gazetën Express.

Takimi ndërmjet dy presidentëve Thaçi dhe Vucic është mbajtur të enjten nën ndërmjetësimin e Emmanuel Marcrom.

Pas takimit, Thaçi kishte thënë Kosova është e gatshme për marrëveshje me Serbinë dhe njohje të ndërsjellët. Ndërkaq, Vucic ka thënë se marrëveshja përfundimtare duhet të nënshkruhet mbi kompromis derisa ka thënë se është përplasur me Thaçin në prezencë të Presidentit francez.

Raportet amerikano-franceze ishin zbehur pas vizitës së Donald Trump në Francë. Shefi i Shtëpisë së Bardh kishte thënë se pa amerikanët francezët tash do të flisnin gjermanisht, duke aluduar në ndihmën amerikane për çlirimin e shtetit francez nga gjermanët e Hitlerit.

Prej atëherë ka pasur edhe akuza tjera ndërmjet SHBA’së dhe vendeve të BE’së, më së shumti për mjetet që shpenzohen për funksionimin e Aleancës Veri-Atlantike. Trump kishte thënë se BE duhet të ndajë më shumë mjete për NATO nëse dëshiron mbrojtje  nga aleanca më e madhe ushtarake në botë.

Në anën tjetër, në arritjen e një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përpos francezëve dhe amerikanëve janë edhe gjermanët.

Ambasadori i Amerikës në Berlin me rol të dyfishtë, Richard Grenell, po vazhdon të ketë fokusin në Prishtinë dhe Beograd.

Custin ka konfirmuar se Grenell  është në kontakt të vazhdueshëm me qeveritarët në Kosovë dhe Serbi, dhe se synimi i tij mbetet nxitja e zhvillimit ekonomik që do ta dërgojë rajonin drejt qëndrueshmërisë.

“Përfaqësuesi Special Presidencial, ambasadori Grenell, është në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarë qeveritarë, njerëz të biznesit dhe të tjerë në dy shtetet, Kosovë dhe Serbi. Fokusi i tij vazhdon të mbetet krijimi i zhvillimit ekonomik për të dërguar rajonin drejt sigurisë, zhvillimit dhe stabilitetit”, ka potencuar tutje zyrtari për media i emisarit të presidentit të SHBA-së për dialogun.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat