Mjekët kanë një paralajmërim për Kurtin: I kemi treguar deri ku janë limitet - Bota Sot
Mjekët kanë një paralajmërim për Kurtin: I kemi treguar deri ku janë limitet

Aktuale

Mjekët kanë një paralajmërim për Kurtin: I kemi treguar deri ku janë limitet

Më: 16 nëntor 2019 Në ora: 19:35
Albin Kurti

Federata Sindikale e Mjekëve të Kosovës ka paralajmëruar kandidatin për Kryeministër, Albin Kurti, se janë të pakënaqur me idenë e tij rreth mjekëve që punojnë në të dy sektorët, privat dhe publik, duke thënë se ai nuk duhet t’i kalojë limitet dhe se kjo mund t’i shkaktojë telashe vet atij.

Xhemajl Selmani nga Federata Sindikale e Mjekëve të Kosovës ka thënë se mjekët e kanë të rregulluar me ligj të punojnë në të dy sektorët, sipas vendimit që ishte marrë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2013.

“Unë konsideroj që ne ia kemi bërë me dije kryeministrit në ardhje se ku janë limitet, dhe se ato limite nuk duhet t’i shkelë jo vetëm ai por secili që vjen edhe pas tij. Ai mund t’i shkaktojë telashe vetvetes por edhe neve edhe popullatës”, tha ai.

Doktor Selmani ka një këshillë për kryeministrin në ardhje, Albin Kurti.

“Për tetë orëshin e punës, të cilit i përgjigjët sektori publik, ta kontrollojë që të mos mund të punojë tjetër kund. Se çka bën mjeku mbas orarit të punës, është çështje individuale dhe e drejta për punë futet në Konventën për Të Drejtën e Njeriut”, potencoi ai.

Kujtojmë se Kurti ditë më parë ka thënë se nëse ai bëhet Kryeministër, do t’ua ndalojë mjekëve punën në dy sektorë, dhe se ata duhet të zgjedhin vetëm njërin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat