E dhimbshme: Si e përshkruan humbjen e policit Sami Thaçi, shoku i tij që nuk mundi të jetë në varrim

Aktuale

E dhimbshme: Si e përshkruan humbjen e policit Sami Thaçi, shoku i tij që nuk mundi të jetë në varrim

Më: 29 janar 2020 Në ora: 16:43
Sami Thaçi

Vrasja e mbrëmshme e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Sami Thaçi, i cili humbi jetën gjatë aksionit antidrogë në Zhur të Prizrenit, mbrëmjen e së martës, ndërkohë që dy policë tjerë u lënduan, ka tronditur të gjithë opinionin publik.

Ngushëllime familjes dhe Policisë së Kosovës i kanë shprehur të gjithë zyrtarët institucionalë , ndërkaq një pjesë e madhe e qytetarëve kanë vënë në profilin e tyre foton e policit, si shenjë nderimi për policin e  rënë, por edhe gjithë institucionit të Policisë së Kosovës.

Por, në një mënyrë shumë të dhimbshme e kanë përkujtuar shokët dhe miqtë që e kanë njohur për së afërmi policin Sami Thaçi.

Shoku i punës së tij, Musa Balaj, e përshkruan me fjalë shumë të dhimbshme humbjen e tij dhe pse ai së bashku me kolegët e ndërrimit nuk mund të jenë prezent në varrim, për t’u përshëndetur për herë të fundit, sepse duhet të vazhdojmë detyrën për të cilën ai u sakrifikua.

Shkrimi i plotë i Musa Balaj në Facebook  pa ndërhyrje:

E çfarë të thuhet më shumë për ty Sami?? Mjafton të përmendet fakti që kape armën për Liri kur ishe ende një fëmijë 16 vjeçar. Këtë Liri vazhdove ta bësh me të sigurt duke punuar në Polici. Gjithmonë aktiv, i pandalshëm dhe i sjellshëm me të gjithë. Nuk njoh dikë në Polici që nuk të ka dashur e nuk të ka respektuar. Njëherë të kritikova se kishe ndërhyrë në një konflikt fill i vetëm përderisa po shkoje në shtëpi. Më pate thënë se e bëre ngase ishe në gjendje ta kontrolloje situatën. Por, unë e di që ti e bëre se nuk mund të rrije pa i ndihmuar kujtdo qe kishte nevojë për ndihmë. Do të më mungojnë shakatë e tua në korridor, të fotokopja, ti ishe gjithmonë aty. Ishe aty sepse gjithmonë kishe punë. Kishe punë sepse gjithmonë punoje shumë. Sot ndërrimi jonë nuk do të mund të jemi prezent për të të përshëndetur për herë të fundit sepse duhet të vazhdojmë detyrën për të cilën ti u sakrifikove. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Thaqi, bashkëluftëtarëve dhe kolegëve.

Pusho i qetë shoku ynë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat