Pacolli ia ofron Konjufcës aeroplanin e tij privat për të siguruar njohje

Aktuale

Pacolli ia ofron Konjufcës aeroplanin e tij privat për të siguruar njohje

Më: 6 shkurt 2020 Në ora: 20:22
Behgjet Pacolli dhe Glauk Konjufca

Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, gjatë dorëzimit të detyrës tek pasardhësi i tij, Glauk Konjufca, është shprehur i gatshëm që ende të vazhdojë të lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Madje tha se tani ai ndihet edhe më i përgatitur që shtetit të Kosovës t’i sjellë njohje të reja.

Përderisa Kosova ende nuk ka një mjet udhëtimi për transport ajror, Pacolli ia ka ofruar Konjufcës edhe shfrytëzimin e avionit të tij privat në mënyrë që ta ndihmojë sa më shumë atë dhe të kontribuojë për Kosovën.

Por, gjatë gjithë mandatit të tij si i pari i diplomacisë kosovare, Pacolli ka arritur që Kosovës t’ia sigurojë vetëm dy njohje.
Kjo periudhë njihet si më regresivja sa i përket njohjeve, duke pasur parasysh edhe lobimin e fuqishëm të shtetit serb për mosnjohje të shtetit të Kosovës.

Për më tepër, Kosova është ballafaquar me dilemën nëse disa nga vendet që e kanë njohur pavarësinë e saj, i kanë tërhequr njohjet e tyre.

Zyrtarë qeveritarë serb, kanë deklaruar se gjatë vitit 2018, 12 shtete i kanë tërhequr njohjet e tyre për Kosovën.
Një gjë e tillë është hedhur poshtë nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe është cilësuar vetëm si propagandë agresive e Serbisë për ta dëmtuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat