Katër ditë deri në vendimin e Kushtetueses, nga kush po bëhet presion

Aktuale

Katër ditë deri në vendimin e Kushtetueses, nga kush po bëhet presion

Më: 25 maj 2020 Në ora: 20:24
Foto Ilustrim

Numërimi së mbrapshti ka filluar.

Kanë mbetur edhe 4 ditë, deri te afati i fundit kur Gjykata Kushtetuese duhet të japë aktgjykimin e saj përfundimtar lidhur me çështjen e mandatarit për Kryeministër.

Ky verdikt, sipas njohësit të Kushtetutës, Mazllum Baraliut, duhet të nxirret duke u bazuar në Kushtetutë dhe praktikën e krijuar më herët.

Në praktikat e mëhershme e të ngjashme, si ajo e 2014-es, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur t`i japë të drejtën për formimin e qeverisë partisë që doli e para në zgjedhjet parlamentare, PDK-së.

Por, në këtë rast, Baraliu, thotë se vendimi nuk mund të paragjykohet.

“Nuk mund të paragjykohet. Është në të drejtën e Gjykatës Kushtetuese të veprojë në frymën e Kushtetueses dhe shkronjës e saj dhe të praktikës të krijuar nga kjo Gjykatë për vite të tëra, para 2014, pas 2014 deri me 2017 e këndej. Varësisht nga Gjykimet Kushtuese për të interpretuar dhe nga vendimet e saj me praktikat e saja verdiktore do të duhej të merrej ky vendim”, u shpreh Baraliu për Front Online.

Sipas tij, Presidenti, Kryeministri dhe LDK-ja duhet të ndalin presionet politike që po bëjnë këto ditë mbi Kushtetuesen. Kjo, ngase siç thotë ai,  ato mund të ndikojnë në epilogun përfundimtar.

“Nuk do të duhej të kishte asnjë lloj presioni. Është evidente që ka tensione nga te tria palët, Presidenca, Kryeministri dhe një parti që dëshiron ta krijojë një koalicion ‘arnoz’ në Kuvend. Të tri palët, dashtë e pa dashtë, pa qëllim mbase, edhe atëherë kur thonë se nuk do të përzihemi, thonë së kështu apo ashtu duhet të jetë vendimi.  Ata po bëjnë ndërhyrje direkte politike dhe presion direkt apo indirekt që mund të ndikojë”, tregoi ai.

Këtyre tri palëve të përfshira në proces, Baraliu, u ka bërë thirrje që ta respektojnë vendimin e Kushtetueses, cilido qoftë ai. Diçka e tillë, siç thotë ai, është madje edhe obligim.

Më 30 prill, Thaçi e ka nxjerrë një Dekret, nëpërmjet të cilit i propozuari i Lidhjes Demokratike (LDK), Avdullah Hoti, është caktuar mandatar për formimin e Qeverisë së re. Të njëjtën ditë, LVV-ja e ka kontestuar në Kushtetuese dekretin.

E, të nesërmen Gjykata e ka pezulluar Dekretin, masë që vlen deri më 29 maj, datë kjo më e largëta kur pritet të nxirret verdikti. Kësisoj, deri të premten e kësaj jave, pritet të dalë aktgjykimi i Kushtetueses për këtë rast.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat