Intervista e fundit e Bardhyl Ajetit ishte shkak i vrasjes së tij: Sylejman Selimi ia zbuloj të bëmat e ‘komandantëve’ të luftës

Aktuale

Intervista e fundit e Bardhyl Ajetit ishte shkak i vrasjes së tij: Sylejman Selimi ia zbuloj të bëmat e ‘komandantëve’ të luftës

Nga: H.O. Më: 25 qershor 2020 Në ora: 19:28
Bardhyl Ajeti

Janë bërë plotë 15 vite që kur është vrarë gazetari i “Bota sot”, Bardhyl Ajeti. Për Ajetin, publicisti Idriz Zeqiraj thotë se meqë shkruante për krimin dhe kriminelët, të cilët në pamundësi për të marrë pushtetin me votën e lirë demokratike bënin përgjakjen e kundërshtaravë politikë, ushtarakëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, veprimtarët e LDK-së e gazetarët.

“Kanë kaluar 15 vite, që kur pushoi se rrahuri zemra e madhe e gazetarit trim, të përkushtuar dhe të pakompromis, Bardhyl Ajetit. Në kolumnet e tij, preferencë ishte përballja me krimin dhe kriminelët, të cilët, në pamundësi për ta marrë pushtetin me votën e lirë demokratike, shpërfaqnin mujëshinë e tyre, me dhunë e terror, deri në përgjakjen e kundërshtarëve politikë. Në shenjestër u vunë ushtarakët luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, veprimtarët e LDK-së dhe gazetarët, të cilët denonconin krimet serike të "komandantëve", më saktë, të bandave të tyre, që donin marrjen e pushtetit me dhunë”, vlerëson Zeqiraj.

Ai thotë tutje se njëri nga këta gazetarë, i cili i përkiste gazetës kombëtare "Bota sot", nga më të angazhuarit, në luftën për denoncimin e grabitjeve, uzurpimeve, të pronave shtetërore e shoqërore, nën maskën e luftës, të krimit të organizuar vrastar, haraçit të përgjakshëm, pamëdyshje, ishte Bardhyl Ajeti.

“Që nga paslufta, deri në ditën e plagosjes, më 3 qershor, 2005, penda e tij e artë, arkivoi në faqet e "Bota sot" shkrimet për tema të "nxehta", në verçanti, për vrasjet politike. Ai i portretizoi viktimat e terrorit të kuq, me dashuri e dhimbje, me vaj e lot zemre, madje, duke qenë i vetëdijshëm se edhe ai mund ta kishte fatin e tyre. Si i tillë, Bardhyli u bë kurban i mendimit dhe i fjalës së lirë dhe është një Hero i Demokracisë. Bardhyl Ajeti nuk kurseu askënd, madje as "komandantët" me korrespondencë, edhe pse ishte i vetëdijshëm për forcën goditëse të tyre, nëpërmet badave aktive, që i kishin të abonuara, të organizuara, anepërtej Kosovës. Kulmore ishte intervista e tij, e bërë me ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjeneral Sylejman Selimin, në prag të ekzekutimit zyrtar”, thotë ai.

Tutje publicisti Zeqiraj shpalos edhe intervistën e fundit të gazetarit Bardhyl Ajeti me gjeneralin Sylejman Selimi, ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Gjenerali shpalosi gjithë falsitetin e "komandantëve" emigrantë të Zvicrës e, ndoca syrësh, edhe në Gjermani. Ata bënë puç në LPK-në e Mërgatës, shkarkuan Kryesinë e vjetër, duke i shpallur tradhtarë, pse ata donin unifikimin e faktorit ushtarak. Njëkohësisht, dhunshëm, morën në dorëzim Fondin "Vendlindja thërret"; pushtuan redaksinë e fletushkës përçarëse dhe kundrakombëtare "Zëri i Kosovës"; më vonë, edhe redaksinë e Kosovës, pranë Radio-Televizionit Shqiptar. Dhe, kur u kthyen në Kosovë, pas çlirimit, emituan milicinë serbo-sllave, në pushtimin brutal, me armë të Radio-Televiziponit të Prishtinës, duke i nxjerrë, dhunshëm, gazetarët shumëvjeçarë profesionistë, të cilët, për afro dy dekada, me guxim dhe dinjitet, ishin përballë me pushtetin represiv të kriminelit Millosheviç. Gjeneral Sylejman Selimi i rrëfeu gazetari Bardhyl Ajeti se, edhe pse ishte shef i SHtabit të Përgjithshëm, vetëm pas luftës mësova se edhe ata, ("komandantët e Mërgatës"), paskan qenë anëtarë të Shtabit që unë drejtoja!?!”, thotë më tutje Zeqiraj.

Ai thekson se ‘ishte kjo intervista befasuese e shokuese, e realizuar në bashkëbisedimin me njeriun e parë të UÇK-së, shefin e Shtabit, gjeneral Selimit dhe gazetarit Brdhyl Ajeti. Shqiptarët e Kosovës, të botës si dhe opinioni ndërkombëtar, mësoi të vërtetën e madhe se "komandantët" që thirreshin më se shumti në luftën e bërë, nuk kishin qenë fare pjesë e luftës. Dhe, kjo zgjoi zemratën tërbuese të tyre, përshpëjtoi hakmarrjen goditëse dhe vulosi jetën e gazetarit simpatik, trim dhe profesional, Bardhyl Ajetit, duke lënë në zinë e përjetshme Nënë Nexharijen me familje, kolegët e Redaksisë "Bota sot", miq e dashamirë të shumtë dhe shqiptarët e kudondodhur, të cilët lexonin, në vijimësi, shkrimet e tij krejt të veçanta’.

Ai thotë më tutje se turistët, specialistët të drejtësisë, thonë se vrasjet që i bënë shteti, vështirë ose asnjëherë nuk zbulohen.

“Sepse organizimi i ekzekutimit është përfid dhe hetimi është i paralizuar, ngaqë shtetarët, duke mos zbuluar krimin, mbrojnë vetën e tyre. E tillë është edhe vrasja e planifikuar dhe e ngeshme zyrtare e gazetarit Bardhyl Ajetit. Andaj, ekzekutorët u përkujdesën edhe për humbjen e gjurmëve të krimit makabër.  Tashmë, vrasjet serike, të disa qindra kundërshtarëve politikë në Kosovë, por, edhe të ushtarakëve, të gazetarëve, madje, edhe brenda llojit, pra, të majtistëve stalinistë të LPK-së, plus 22 dëshmitarëve, të evidentuar nga organet përkatëse, përfshi edhe vrasjen dhe djegien, deri në karbonizim, të një dëshmitari potencial, pak muaj më parë, qëllimshëm, është bllokuar hetimi, zbulimi dhe ndëshkimi i vrastarëve dhe të urdhërdhënësve të tyre”, thekson ai.

Zeqiraj thotë tutje se e veçanta e ekzekutimit të Bardhyl Ajetit është se ai u përball, pafrikshëm, me Shtab-istët. Njëri syrësh, fort i zëshëm në mbrojtjen e ideologjisë së mykur enveriste-staliniste, i cili i quan tradhtarë të gjithë ata që kanë braktisur atë ideologji fashizoide.

“Shumë nga Shtab-istët mrizonin, në freskun e pishnajave të Bllokut të Zi të Tiranës. Logjistikë të përçarjes të spektrit politik dhe të faktorit ushtarak të Kosovës, kishin zyrtarët social-komunistë të Shqipërisë. Metodat e krimit, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ishin ato të Enver Hoxhës, i cili luftën për çlirim e konvertoi në luftë civile. Pavarësisht nga bllokimi i hetimit të vrasjes së Bardhyl Ajetit dhe qindra të tjerëve, shumçka nga informacionet kanë rrjedhur. Faktike janë listat për ekzekutim, pa gjyq, të disa kuadrove ushtarakë dhe partiakë të LDK-së, të cilat mbajnë siglën e SHP të UÇK-së! Lidhja dhe koordinimi i bandave ekzekutive të Drenicës, Dukagjinit, Llapit me elementë kriminalë të zonave tjera. Shumësia e vrasjeve, me pjesëmarrjen e shumë njerëzve në krim, lehtëson zbulimin. Por, shteti i kapur nga krimi dhe kriminelët, në veçanti, drejtësia e paralizuar tërësisht, pamundëson dhe dështon çfarëdo nisme, për hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e kriminelëve. Janë krerët kriminelë të Kosovës, të cilët, serbez e paturpshëm, publikisht, deklarojnë se "krimet janë vjerëruar dhe nuk mund të zbardhën!" Ndërkohë që bota vazhdon të gjykojë e denojë krimet e Luftës së Dytë Botërore”, përfundon publicisti Idriz Zeqiraj./Bota sot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat