Pavarësisht propozim-aktakuzës ndaj Thaçit, BE-ja planifikon rifillimin e dialogut këtë muaj

Aktuale

Pavarësisht propozim-aktakuzës ndaj Thaçit, BE-ja planifikon rifillimin e dialogut këtë muaj

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 20:32
Foto ilustrim

Përkundër situatës politike në Kosovë, Bashkimi Evropian thotë se dialogu Kosovë- Serbi do të rifillojë këtë muaj.

Që pas propozim-aktakuzës të Gjykatës Speciale kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdimi i procesit të dialogut është vënë në pikëpyetje.

Mirëpo Bashkimi Evropian ka konfirmuar për lajmi.net se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë do të rifillojë këtë muaj, mirëpo akoma nuk dihet data e saktë.

“Ne presim që dialogu të rifillojë këtë muaj, siç̧ është njoftuar më herët. Data e saktë do të bëhet e ditur me kohë”, ka deklaruar për lajmi.net, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian.

Stano po ashtu ka bërë të ditur se Mirosllav Lajçak, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi është duke realizuar kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e të dyja shteteve.

“I dërguari special i Bashkimit Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë partnerët relevantë në nivele të duhura”.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka themeluar edhe Këshillin e Ekspertëve për dialogun me Serbinë, kurse kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi se ai do ta kryesojë procesin e dialogut dhe se sipas tij, ky proces nuk ka alternativë.

“Pavarësisht zhvillimeve që ndodhin dialogu nuk ka alternativë. Kosova është e gatshme për këtë proces, jemi duke punuar për një delegacion, ekip shtetërore të kryesuar nga kryeministri”, deklaroi të mërkurën Hoti.

Vlen të theksohet se Kosova dhe Serbia në Bruksel nuk kanë zhvilluar asnjë takim në kuadër të procesit të dialogut që nga nëntori i vitit 2018, kur qeveria e atëhershme kishte vendosur taksë prej 100% për produktet me prejardhje të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat