Vrasja në Drenas: Të dyshuarit nuk i binden babait për t’iu dorëzuar policisë

Aktuale

Vrasja në Drenas: Të dyshuarit nuk i binden babait për t’iu dorëzuar policisë

Më: 24 gusht 2020 Në ora: 17:34
Shaban Syla

Organet e hetuesisë ende nuk kanë arritur që t’iu bien në gjurmë personave të dyshuar për vrasjen e 50-vjeçarit, Qamil Demiri, në Nekoc të Drenasit.

I dyshuari kryesor për këtë rast po besohet të jetë djali i Shaban Sylës, Leutrimi, që bashkë me disa të tjerë janë arratisur. Prokuroria e Shtetit po i ngarkon ata me tri vepra penale. Gjatë ditës së djeshme,Shaban Syla, nga burgu, përmes telefonit i tha se djemtë e tij do t’i dorëzohen shpejt policisë, por kjo s’ka ndodhur

Një person ka mbetur i vrarë në Nekoc të Drenasit mbrëmjen e së shtunës, pasi është qëlluar me armë zjarri. Në konflikt dyshohet se kanë qenë të përfshirë dy familje. Ajo e Shaban Sylës, i dënuar në rastin “Bllaca 2”, dhe familja Demiri. Ende nuk është arrestuar asnjë person për këtë rast, ani se disa persona tashmë janë të dyshuar, por të njëjtit gjenden në arrati. I dyshuari kryesor besohet të jetë Leutrim Syla, djali i Shaban Sylës.

Prokuroria e Shtetit, në një deklaratë ka bërë me dije se ndaj të dyshuarve rëndojnë tri vepra penale. “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Duke iu referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke i zhvilluar hetimet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në drejtim të veprave penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe ” Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Aktualisht të dyshuarit, ndodhen në arrati”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

E garanci se gjatë ditës së sotme të dyshuarit do t’i dorëzohen policisë ka dhënë gjatë ditës së djeshme i burgosuri Shaban Syla.

“Djemtë e mi, për pak orë do të vet dorëzohen në stacionin e policisë. Leutrim Syla ka pas armë. Ai atë armë e ka mbajte për ta mbrojtur familjen pas sulmit me maska, nga njerëz të armatosur. E që besojmë që janë djemtë e Gani Gecit”, thotë Syla.

Nga familja e viktimës nuk kanë dashur që të deklarohen rreth këtij rasti.

Ndërkohë policia ka bërë të ditur se ende nuk është arrestuar asnjë person për këtë rast.

“Ne jemi duke i vazhduar hetimet. Ende asnjë person nuk është arrestuar për këtë rast”, ka thëne Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës.

Tutje nga Policia kanë theksuar se pas një mos marrëveshje në mes tre të dyshuarve dhe katër viktimave meshkuj kosovar, njëri nga të dyshuarit ka shtënë me armë zjarri, ku ka plagosur një person, ndërsa viktimat tjera janë të lënduar nga mjetet e mprehta. I plagosuri nga arma e zjarri, nuk u ka mbijetuar plagëve, ndërsa viktima tjera janë jashtë rrezikut për jetë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar gëzhoja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat