Kusari - Lila për Asociacionin: Me këtë diskurs, dëmtimi i shtetësisë së Kosovës do të jetë i madh

Aktuale

Kusari - Lila për Asociacionin: Me këtë diskurs, dëmtimi i shtetësisë së Kosovës do të jetë i madh

Më: 17 shtator 2020 Në ora: 00:42
Mimoza Kusari Lila

Deputetja Mimoza Kusari – Lila në emisionin “Desku” ka komentuar deklaratat e sotme të krerëve të Kosovës dhe Serbisë rreth takimit të nesërm në Bruksel.

Pala kosovare ka deklaruar se nuk do të diskutojë për Asociacionin, derisa ajo serbe ka deklaruar se do të diskutohet vetëm për këtë temë.

E ky diskurs, sipas Kusari-Lilës, mund ta dëmtojë edhe më shumë shtetësinë e Kosovës.

“Pala serbe deklaron se do të diskutojë vetëm për Asociacionin. Duke e parë paternin e informacioneve që vjen nga Kosova dhe nga Serbia, e shohim se në vazhdimësi po mbizotëron ajo çfarë po deklaron Serbia, e jo Kosova. Deri më tash i kemi parë deklarimet e Hotit para se të shkojë në Ëashington se nuk do të diskutohet Ujmani, Mini-Schengeni, këto janë hipoteza. Nëse tash thotë se nuk mund të diskutohet Asociacioni i Komunave pa e premtuar Serbia njohjen është e kotë, sepse Serbia nuk po e premton njohjen. Në fakt Serbia është duke punuar intensivisht që jo mos me ndodh njohja, por me u dëmtuar shtetësia e Kosovës në formatin që ka qenë funksionuar deri më tash”, ka thënë Kusari-Lila. “E kemi një rrëshqitje të rrezikshme të temave dhe unë frikësohem se lejimi i vazhdimit të këtij diskursi do të jetë ende më shumë në dëm të shtetësisë së Kosovës”.

Kusari-Lila është e befasuar edhe me deklaratën e presidentit Hashim Thaçi, i cili paralajmëroi se në Bruksel do të diskutohet për Asociacionin me ç’rast ka bërë thirrje nga Kuvendi që të ndalet Hoti.

“Një element tjetër befasie ishte qasja e presidentit të Kosovës, i cili paralajmëroi temën e Asociacionit në Bruksel dhe i thërret Kuvendit që ta ndalë kryeministrin Hoti. Rezolutat e Kuvendit nuk është se kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejt. Ta shohim si sillet PDK-ja. E shoh ose si taktizim të tij, për të ndryshuar kursin ose për të pozicionuar peshën e vendimmarrjes tek zyra e tij. Jam e befasuar që nuk ka pasur koordinim, pasi deri më tani ka pasur ndërmjet Hotit dhe Thaçit. Dhe të vijë deri në këtë pikë tash vetëm ka ndonjë ndryshim, ose nuk ka pasur marrëveshje për të cilën këta kanë pas ndërmjet veti. Dhe ky është një presion publik që presidenti ia bën kryeministrit që të kryejë obligimet që i ka marrë dhe nuk i ka kryer. Po them prapë, kjo mund të mbetet në nivel spekulimi për arsye se nuk kam informacion se pse ka ardhur kjo deklaratë”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat