E thotë ish-mjeku i UÇK-së: Nasim Haradinaj ra viktimë e kësaj partie

Aktuale

E thotë ish-mjeku i UÇK-së: Nasim Haradinaj ra viktimë e kësaj partie

Nga: A.Zh Më: 30 shtator 2020 Në ora: 18:42
Nasim Haradinaj para Gjykatës Speciale

Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Liri Loshi, ka thënë se e çmon si njeri të sinqertë nënkryetarin e OVL-UÇK-së Nasim Haradinajn, i cili u arrestua nga Gjykata Speciale.

Loshi ka thënë se Haradinaj është viktimë e politikës së Partisë Demokratike të Kosovës.

Sipas tij, PDK-ja ka vepruar me hipokrizi, duke kushtëzuar njërën anë deputetët që të votojnë Gjykatën Speciale, e në tjetrën anë ka përdorur OVL-në si mjet për ta sfiduar atë, përcjell Bota sot.

Reagimi i plotë i Loshit:

Unë Nasim Haradinajn e çmoj shumë si njeri të sinqertë, të drejtë dhe patriot. Por, aktualisht ai është viktimë e politikës dyfytyrëshe që ka udhëhequr lidershipi i PDK-së, parti kjo ku Nasim Haradinaj është i ulur me trup, mendje dhe shpirt. Ky lidership ka vepruar me hipokrizi: në njërën anë ka kushtëzuar deputetët që ta votonin Gjykatën Speciale e në tjetrën anë kanë përdorur OVL-në si mjet për ta sfiduar atë!

Si njeri që gjatë kohës së luftës ka organizuar luftën në Koshare, Nasim Haradinaj nuk ka gjasa që të akuzohet për krime lufte, meqë Gjykatës nuk i intereson sa njerëz janë vrarë në beteja, pavarësisht deklaratës se tij se ka vrarë aq sa s’ka mundur më! Prandaj do të ishte e dhembshme që një njeri i ndershëm si Nasim Haradinaj të dënohej për një çështje banale, por që përbën vepër penale, siç është dekonspirimi dhe kërcënimi i dëshmitarëve të kësaj gjykate.

Kur flasim për Gjykatën Speciale dhe luftën e UÇK-së, diskursi ynë përmban një paradoks të madh. Ne ankohemi se kjo Gjykatë do ta komprometojë luftën e UÇK-së, ndërkohë që nuk harrojmë të themi se lufta jonë ishte e drejtë dhe e pastër si loti. Argumenti tjetër që vazhdimisht e dëgjojmë është se asnjë ushtar i UÇK-së nuk ka bërë krime në luftë. Nëse ne jemi të bindur në atë që e themi, pse atëherë ta lodhim mendjen për komprometimin e luftës sonë?! Lufta nuk mund të komprometohet vetëm pse trajtohet një numër ish pjestarësh të UÇK-së në Gjykatën Speciale nëse ata, për mungesë provash nuk dënohen, pavarësisht rolit qendror, apo episodik që mund të kenë pasur në luftë.

Në fakt, secilit njeri i paanshëm që dëgjon diskursin tonë, i mbushet mendja se ne jemi në një panik të madh dhe vetë ky panik le hapësirë për dyshim serioz se diçka me neve nuk është në rregull! Ky është një sinjal i keq, të cilin nuk duhej ta aktivizonim përderisa ne mendojmë se lufta jonë ishte e drejtë dhe e pastër. Sepse, një luftë të drejtë dhe të pastër nuk ka gjyq që e njollos, apo komprometon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat