Skandali i Thesarit nuk merr asnjë 'kokë' ministri

Aktuale

Skandali i Thesarit nuk merr asnjë 'kokë' ministri

Më: 28 tetor 2020 Në ora: 15:28
Ilustrim

Vjedhja bombastike e 2 milionë eurove nga Thesari i Shteti ka ngjallur reagime se kush nga ministrat do të duhej të jepte dorëheqje.

U kërkua koka e Hykmete Bajramit që ta lëshonte postin e ministres së Financave, pasi e gjithë skena u bë përbrenda dikasterit që ajo drejton.

Mirëpo ajo nuk e ka parë të udhës të shkojë në shtëpi për paratë e shtetit që janë ‘avulluar’ këto ditë.

Bajrami, për këtë mega-skandal po e bën  fajtor bashkëpartiakun e saj, ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi. Krejt kjo për shkak se Labinot Gruda kishte krijuar llogari të rreme dhe kishte thyer fjalëkalimin e një zyrtari të MI-së, i cili nuk punon në këtë ministri tash e 9 muaj.

Bajrami tha se Ministria e Infrastrukturës është dashur të njoftonte se zyrtari në fjalë është larguar nga puna, në mënyrë që t’i mbyllet qasja që kishte mbetur aktive dhe që u shfrytëzua nga Gruda.

Por, pavarësisht përplasjeve të dy ministrave të LDK-së, Safet Gërxhaliu, tha se asnjëri nga ta nuk duhet të tërhiqen por të vazhdojnë punën që të ndalojnë vjedhjet kudo që bëhen ato.

Ai mendon se të tilla vjedhje mund të ketë pasur edhe në të kaluarën por nuk janë zbuluar.

“Në radhë të parë duhet ta dimë se Kosova ndodhet në situatën më kritike që nga viti ‘98-’99 dhe në radhë të dytë kemi situatë acaruese mes partnerëve të koalicionit e jo më opozitë/pozitë. Afera e fundit po e dëmton Kosovën në të gjithat sferat e jetës, por duhet të jemi të vetëdijshëm që e keqja është etabluar nga e kaluara dhe duhet të kuptohet se emëruesi i përbashkët i zgjidhjeve të problemeve është sundimi i rendit dhe ligjit. Nuk duhet të vendoset në tabelë qitjeje as ministri Abrashi e as Bajrami, sepse në fund të fundit nëse janë krijuar grupet kriminale me traditë 10-15 vjeçare, atëherë pse duhet të tërhiqen këta dy e ta bëjnë barrën që zbuluan këtë vjedhje. Është koha që Prokuroria e Shtetit të jetë më aktive dhe jo vetëm këta pasi kam drojë sepse nuk është vetëm ky skandal i fundit, por skandale të tilla ka pasur edhe në të kaluarën dhe nga frika që do zbulohen edhe të tjera vjedhje po kërkohet dorëheqja e  tyre”.

Edhe analisti Blerim Burjani tha se nuk beson se do të ketë dorëheqje të këtyre dy ministrave.

“Se besoj se do të ketë dorëheqje të këtyre dy ministrave, kur dihet fakti se për 2 milionët e humbur ministrja thotë se e ka paraqitur rastin dhe ka reaguar me kohë. Të dy ministrat nuk janë të dyshimtë për këto vepra së paku deri më tani, pasi nuk kemi reagim të prokurorit dhe se dihet kryerësit. Përfundimisht nuk besoj që do të japin dorëheqje” – përfundoi ai.

Avullimi i dy milionë eurove ndodhi në fillim të tetorit, ndërsa Ministrisë së Financave iu desh kohë që ta kuptonte këtë vjedhje tek pas dy javësh.

E dorëheqjet nga postet drejtuese, qoftë të nivelit qendror apo lokal, nuk janë kulturë e politikanëve kosovarë, por si e gjithë kolegëve ballkanas.

Vetëm një dorëheqje ka ndodhur nga ish-ministri i Punëve të Brendshme nga LDK, ajo e Fatmir Rexhepit si dhe e Xhelal Sveçlës sa ishte drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës. Ky i fundit dha  dorëheqje pas vdekjes së dy fëmijëve në lagjen 'Kolovica" në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat