Liderët politikë të Kosovës urojnë Joe BidenIn

Aktuale

Liderët politikë të Kosovës urojnë Joe BidenIn

Më: 8 nëntor 2020 Në ora: 00:18
Joe Biden

Udhëheqësit e institucioneve shtetërore dhe drejtuesit e partive politike në Kosovë e kanë uruar presidentin e zgjedhor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Në të gjitha urimet e tyre Biden cilësohet si mik e mbështetës i Kosovës.

Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar presidentin e zgjedhur Joe Biden dhe nën-presidenten e zgjedhur Kamala Harris.

“Në emër të qytetarëve të Kosovës, u shpreh urime të përzemërta Joe Bidenit dhe Kamala Harrisit, për zgjedhjen e tyre për të udhëhequr qytetarët e Shteteve të Bashkuara.

Jam e bindur se, nën udhëheqjen tuaj si president, demokracia do të lulëzojë në Amerikë dhe në mbarë botën.

“Për dekada, Joe Biden ishte zëri i njerëzve të diskriminuar në gjithë globin. Për ne, ai është një mik i përkushtuar dhe një mbështetës i madh i Kosovës së lirë e të pavarur. Unë pres një bashkëpunim të ngushtë me të dhe me administratën e tij, për forcimin e marrëdhënieve tona të veçanta dhe të aleancës strategjike”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka urur po ashtu presidentin e zgjedhur Biden dhe nën-presidenten e zgjedhur, Harris për fitoren në zgjedhje.

“Mezi pres të fuqizojmë partneritetin tonë të përjetshëm me Shtetet e Bashkuara dhe të vazhdojnë punën tonë në emër të njerëzve tanë dhe në shërbim të vlerave tona të përbashkëta”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka qenë lideri i vetëm politik në Kosovë që u ka bërë thirrje votuesve shqiptaro-amerikanë të votojnë për Bidenin, e ka quajtur historike fitoren e Bideni. Kurti e ka quajtur Bidenin aleat të Kosovës.

“Urime për fitoren historike të Joe Biden, një mik dhe aleat i vjetër i popullit të Kosovës.

Udhëheqja juaj është e nevojshme për Amerikën ashtu si edhe për botën për të rivendosur besimin në demokraci, shtetin e së drejtës dhe dinjitetin njerëzor. Unë pres që të forcojmë marrëdhëniet tona”, ka shkruar ai në Twitter.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka shkruar se Amerika e bëri zgjedhjen e merituar. Ai e ka quajtur Bidenin mik të Kosovës.

“SHBA, bëri zgjedhjen e merituar. Demokrati Joe Baiden mori përkrahje te gjerë për President të shtetit më të fuqishëm në botë. Miku dhe përkrahësi i Kosovës!

Pata rastin ta takojë dhe të bisedoj disa herë me këtë njeri të mrekullueshëm. Urime Amerikë! IM“, ka shkruar Mustafa në Facebook.

https://www.facebook.com/IsaMustafaKS/posts/3404908876241992

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, në urimin e tij, e ka quajtur Bidenin mik të madh të Kosovë dhe mbështetës të Kosovës së lirë dhe të pavarur.

“Urime Presidenti i 46-të i SHBA-së, Joe Biden! Presidenti i zgjedhur Biden ka qenë dhe mbetet një mik i madh dhe mbështetës i shkëlqyeshëm i Kosovës së lirë e të pavarur dhe i popullit të saj. Kjo është një fitore e vlerave Euro-Atlantike, lirisë dhe demokracisë, që janë shtyllat e Kushtetutës dhe aleancës sonë me SHBA-në!”, ka shkruar Hoxhaj.

https://www.facebook.com/dr.enverhoxhaj/posts/2992291070872625

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka uruar Bidenin, të cilin e ka quajtur mik “të kahmotshëm“ të tij, si edhe Kamala Harrisin, fitoren e së cilës e ka quajtur “historike”.

“Shfrytëzoj rastin të uroj mikun tim të kahmotshëm Joe Biden, për fitoren në zgjedhjet presidenciale në SHBA, si dhe znj. Kamala Haris për arritjen historike si nënpresidentja e parë femër.

Le të vazhdojmë bashkëpunimin tonë drejt forcimit të lidhjes strategjike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara“, ka shkruar Haradinaj.

Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e kanë përgëzuar për fitoren edhe drejtues të organizatave politike e jopolitike dhe autoritete të shumta publike në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat