Tasholli: “LIRIA KA EMËR” vlen për secilin

Aktuale

Tasholli: “LIRIA KA EMËR” vlen për secilin

Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 19:22
Tasholli

Njëri prej banerëve “Liria ka emër”, i vendosur në Graçanicë, u dogj sot nga persona të panjohur. Në lidhje me këtë, organizatori i kampanjës, Ismail Tasholli, deklaroi se prapa këtij akti qëndron Beogradi dhe se ky rast është zëri i një tregimi që vjen nga Serbia.

“Ata që para 21 vitesh i dogjën fëmijët, nuk e kanë problem që ta djegin edhe logon e UÇK-së, të atyre që provonin t’i mbroni ata fëmijë”, u shpreh Tasholli në emisionin Info Magazine.

“Nëse e përcjellim logjikën e veprimit dhe logjikën e kryetarit të Graçanicës në 3-4 ditët e fundit se si provon të prodhojë provokim në emër të lirisë, është absurde dhe e vëren tendencën për praptim të tregimit”.

Liria është koncept universal dhe është absurde të kërkosh që një shoqëri të mos e respektojë lirinë dhe përpjekjen e të gjitha gjeneratave që kanë bërë për lirinë. Një shoqëri normale provon t’i rikthejë vlerat e idealet”.

“Qëllimi i platformës është që t’i mbledhin disa copëza dhe t’i rikthejmë në memorien tonë që t’i shënojmë, sepse janë të domosdoshme e janë pikëreferenca të çdo shoqërie dhe pa to nuk mund të ecim përpara”.

Ndërkaq, në lidhje me akuzat se kjo platformë po tenton ta privatizojë UÇK-në sikur të ishte vetëm e PDK-së, Tasholli u shpreh se është vetëm keqkuptim dhe se secili mund të kontribuojë me ide konstruktive.

“Momentumi politik ia dha atë kahje kësaj kampanje sepse ndodhën aktakuza e ngjarje të rëndësishme dhe domosdoshmëria e kontekstit politik mund të krijojë keqkuptimin e kësaj kampanje. Secili mund të merr pjesë me sugjerime se si mund të bëhet më mirë, madje qofshin ata edhe të partive tjera politike dhe të jenë pjesë e bordit që platforma të plotësohet në një mënyrë shumë serioze”.

“E rëndësishme është që çdo kontribut që është bërë në këtë vend të mblidhet dhe dokumentohet në një platformë. Është platformë integruese, secili që mendon se ka diçka që i mungon, me ide konstruktive mund të ndihmojë, nuk është kampanjë private, por është e hapur. Kjo është një përpjekje simbolike për ta bërë këtë mbledhje”.

“Momentumi politik mund t’ia ketë dhënë ngjyrimin e keq-leximin e kampanjës. Kampanja është e hapur për të gjithë, për secilin veç e veç. UÇK-ja është mbi partiake. Jemi duke folur për koncepte vlerore të kësaj shoqërie, jo për emra të përveçëm dhe politika të caktuara. Nuk e di se përveç Serbisë kujt i pengon liria dhe vlerat e UÇK-së. “Liria ka emër” vlen për secilin”.

“Kemi paraparë që kjo platformë të shkojë edhe me disa forma të gjuhës angleze. Janë edhe 14 personalitete të tjera shumë të rëndësishme që do të jenë pjesë e kësaj kampanje, të cilët janë njerëz më të rëndësishëm nëpër botë, të kulturës e artit, e që janë shqiptarë. Kampanja jonë do të plotësohet çdo ditë e më shumë”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat