Bekë Berisha: Jo president nga zarfi

Aktuale

Bekë Berisha: Jo president nga zarfi

Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 15:55
Bekë Berisha

Zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës është çështja në të cilën partitë politike vazhdojnë të kenë mos pajtime.

Deri më tani Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shpallur kandidaturën e tij, por votat për t’u bërë nuk i ka të siguruar ende.

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka thënë se votat politike nuk i ka asnjë parti deri më tani, gjersa shton se për dallim nga të tjerët ata tashmë kanë opsion.

Sipas Berishës, deputetët dhe partitë politike duhet të mendojnë që përzgjedhja të jetë e vërtetë dhe jo nga zarfi apo improvizim.

“Jo AAK-ja, por votat nuk i ka asnjë parti politike për zgjedhjen e presidentit tani. Ne për dallim nga të tjerët, kemi dalë me një opsion për presidentin muaj më parë. Është e vërtetë që skena politike është e çarë dhe është e pasaktë të mendosh që është e lehtë të bëhen 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit. Unë mendoj se në kohë të vështira deputetët dhe partitë politike duhet të mendojnë që përzgjedhja të jetë e vërtetë dhe jo nga zarfi dhe jo improvizim”, ka thënë Berisha.

Gjersa, partitë politike kanë deklaruar deri tani që nuk do ta votojnë kandidatin e njëra-tjetrës, analistët politikë ishin shprehur se zgjidhja e kësaj çështje duhet të jenë ndryshimet kushtetuese, që do të mundësonin zgjedhjen e presidentit nga votat e popullit, sikur në Maqedoni dhe në shumicën e vendeve tjera të rajonit.

Ndërsa, një zgjidhje të tillë nuk e përjashton AAK-ja.

Berisha thotë se kjo do të ishte zgjidhje më e mirë, mirëpo sipas tij, problemi qëndron se Kosova është funksion parlamentar, ndërsa me ndryshimet për zgjedhjen e presidentit direkt do të ndërronte edhe funksioni i presidentit.

“Sa për ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit unë jam që presidenti të zgjidhet direkt nga populli dhe kjo do të ishte më e mira. Është problem sepse ne kemi funksionim parlamentar të shtetit dhe me ndryshimet për zgjedhjen e presidentin direkt do të ndërronte edhe funksioni i presidentit ne do të bëheshim shtet presidencial. Kjo pastaj do të prodhojë problemet e tjera, sepse fokusi apo presioni do të kalojë të presidenti dhe parlamenti do të kishte rol dytësor”, ka theksuar Berisha.

Që nga dorëheqja e Hashim Thaçit nga posti i presidentit për shkak të akuzës nga Gjykata Speciale, këtë pozitë e ushtron Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat