Sqarim i PK-së: Nuk do të lejohet abuzimi me ligjin dhe dëmtimi i imazhit të Policisë së Kosovës

Aktuale

Sqarim i PK-së: Nuk do të lejohet abuzimi me ligjin dhe dëmtimi i imazhit të Policisë së Kosovës

Më: 31 janar 2021 Në ora: 17:42
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka reaguar pas raportimeve të fundit që kishin të bënin me dhunën e ushtruar nga një zyrtar policor në drejtim të një 18 vjeçari, në vitin 2018.

Pas kësaj nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se po përcjellin me shqetësim videot e publikuara ditët e fundit, ku zyrtarët policorë shfaqen nën dyshimin e tejkalimit të autorizimeve ligjore.

“Pavarësisht rasteve të izoluara të individëve të cilët po hetohen dhe masa ligjore do të ndërmerren pas hetimeve profesionale dhe transaprente nga autoritetet kompetente (IPK), Policia  e Kosovës garanton qytetarët e vendit se nuk do të lejohet abuzimi me ligjin dhe as paraqitja ndryshe e imazhit të institucionin të Policisë, përveç siç është vlerësuar deri më tani si ndër institucionet më të besueshmet dhe më profesionale”, thuhet në reagimin e PK-së.

Gjithashtu u tha se lidhur me publikimin e fundit, ku shihet arrestimi i njërit nga personat e dyshuar për shoqërimin e tij në Polici, informojnë qytetarët dhe opinionin se:

Me datë 25.01.2021, rreth orës 21:15, në Prishtinë, Policia e Kosovës, konkretisht zyrtarët policor kanë qenë në kryerjen e detyrës zyrtare, respektivisht ishin në asistencë të inspektorëve sanitar për zbatimin e masave dhe kufizimeve sipas ligjit anti—COVID-19.

Gjatë inspektimit në një lokal afër rrugës “Fehmi Agani” në Prishtinë është konstatuar se në atë lokal masat dhe kufizimet nuk po respektoheshin sipas ligjit në fuqi, prandaj inspektorët kompetent dhe zyrtarët policor kanë ndërmarr veprimet e nevojshme ligjore.

Gjatë realizimit të detyrave nga inspektorët kompetentë, ndaj tyre ka pas ofendime dhe po ashtu ata janë ndier të rrezikuar, meqë rast është detyruar që të asistoj Policia, dhe përderisa është kërkuar identifikimi i personave prezent, disa nga të dyshuarit kanë refuzuar, kanë fyer autoritete kompetente dhe duke u bërë agresiv kanë filluar të sulmojnë zyrtarët policor me grushte në fytyrë dhe trup.

“Zyrtarët policor janë detyruar që për menaxhimin e situatës së krijuar dhe realizimin e detyrës zyrtare të përdorin forcën e nevojshme për ta vënë situatën nën kontroll dhe gjatë ballafaqimit me personat e dyshuar, dy zyrtarë policor kanë pësuar lëndime trupor në fytyrë dhe trup, të cilat lëndime janë konstatuar edhe me raport mjekësor.Dy nga të dyshuarit e përfshirë në rast, pas sjelljes në stacion policor kanë rezultuar të jenë nën ndikim të alkoolit dhe sipas procedurave intervistimi i tyre është shtyrë.Lidhur me rastin “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” është njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij tre (3) personave të dyshuar iu është caktuar ndalim prej 48 orësh, për procedura të mëtejme ligjore. Gjithashtu veprime të tjera hetimore janë në proces”, thuhet tutje nga policia.

Tutje u theksua se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit dhe sigurisë së përgjithshme dhe ofrimin e ndihmës së institucioneve shtetërore, ku në këtë fazë ndër prioritetet e përbashkëta është edhe ruajtja e shëndetit publik dhe parandalimi i përhapjes së virusit COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat