Fletëvotimet arrijnë Kosovë, nesër bëhet shpërndarja në 38 komuna

Aktuale

Fletëvotimet arrijnë Kosovë, nesër bëhet shpërndarja në 38 komuna

Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 12:49
Pamje nga vendi i ngjarjes

Tashmë në depon e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë arritur fletëvotimet për zgjedhjet e 14 shkurtit, ndërsa të shtunën do të shpërndahen në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve. Edhe këtë vit si në çdo proces zgjedhor janë shtypur më pak fletëvotime sesa numri i përgjithshëm i votuesve, por sipas KQZ, kjo nuk do ta kufizojë askënd për të mos e ushtruar të drejtën e votës.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi për kp, ka deklaruar se fletëvotimet ku qytetarët e Kosovës të dielën do ta ushtrojë vullnetin e tyre janë shtypur në Slloveni.

Ai tha se KQZ bazuar në praktikat e mëhershme të pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset zgjedhore, ka marrë vendim që të shtyp më pak fletëvotime.

Elezi: Kanë arritur fletëvotimet në QNR

“Gjatë ditës së sotme në bazë të planifikimeve të mëhershme, në bazë të planit operacional, tashmë kanë arritur fletëvotimet të cilat do të përdoren në ditën e zgjedhjeve në të gjitha Qendrat e Votimit në Kosovë, në gjithsej 888 qendra të votimit me 2382 vendvotime. Fletëvotimet të cilat kanë arritur sot në Kosovë janë shtypur në Slloveni. Bazuar në listën përfundimtare të votuesve me të drejtë vote në të gjitha këto vendvotime 1 milion 794 mijë e 862 votues, por pavarësisht kësaj, KQZ ka shtypur më pak fletëvotime sesa numri i përgjithshëm i votuesve, janë gjithsej 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime që janë shtypur përfshirë edhe ato rezervë. Rrjedhimisht janë diku 117 mijë e 662 fletëvotime më pak sesa numri i përgjithshëm i votuesve. Kështu ka vepruar edhe më herët KQZ pra, edhe në proceset e kaluara zgjedhore, KQZ ka shtypur më pak fletëvotime sesa numri i përgjithshëm i votuesve. Ky është një vendim i KQZ-së që rrjedh duke u mbështetur në pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje dhe kjo pjesëmarrje mesatarisht në çdo proces zgjedhor e që është deri në 45 përqind, në raste të caktuar shkon deri në 50 përqind”, u shpreh ai.

E përkundër numrit më të vogël të fletëvotimeve të shtypura se sa numri i përgjithshëm i votuesve në Kosovë, Elezi ka siguruar se askujt nuk do t’i mohohet e drejta e votës, pasi kanë edhe fletëvotime rezervë.

Elezi: Askush nuk do mbetet pa votuar

“Duke u mbështetur edhe nga proceset e kaluara zgjedhore kur Komisioni Qendror Zgjedhor kishte shtypur më pak fletëvotime sesa numri i përgjithshëm i votuesve. Asnjëherë nuk është paraqitur mungesë e fletëvotimeve në vendvotime, por edhe në raste të tilla kur pjesëmarrja është e lartë në një vendvotim, natyrisht se ka fletëvotime rezervë të cilat mund të përdoren dhe askush nuk do mbetet pa votuar, asnjë qytetar cili do shkoj në vendvotime e tij nuk do mbetet pa votuar sepse ky është një vendim së pari i menduar mirë nga ana e KQZ-së, dhe i mbështetur fortë në praktikat e kaluara”, tha ai.

Derisa ka folur për rrjedhën normale të përgatitjeve të procesit zgjedhore që do zhvillohet më 14 shkurt, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se shpërndarja e fletëvotimeve bëhet nesër në mëngjes nëpër Komisionet Komunale Zgjedhore, e më pastaj të dielën në orët e hershme shpërndahen nëpër vendvotime.

Elezi: Të shtunën shpërndahen fletëvotimet në 38 komuna

“Tashmë fletëvotimet janë në depon qendrore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në bazë të planit operacional ditën e shtunë në mëngjes bëhet shpërndarja e materialit zgjedhor nga kjo depo për në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në të 38 komunat e Kosovës, ndërkaq të dielën në mëngjes në orët e hershme fletëvotimet, materiali zgjedhor ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet shpërndahet nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në të gjitha qendrat e votimit në secilën prej komunave përkatëse….Deri tash përgatitjet kanë shkuar normalisht, natyrisht që ka pasur sfida që shkaktohen edhe për shkak të situatës më specifike të cilat mbahen në kohë pandemie, por siç mund ta shihni edhe arritja e fletëvotimeve sot po bëhet në bazë të planifikimeve të mëhershme, të gjitha këto që po ndodhin qoftë fletëvotimet dhe periudhat tjera zgjedhore që po zhvillohen janë në bazë të planifikimeve të vendosura më herët nga ana e KQZ. Ka mbetur finalizimi i të gjitha përgatitjeve në mënyrë që ditën e diele në orën 07:00 të mëngjesit të hapen të gjitha qendrat e votimit për të pritur votues me të drejtë vote”, theksoi Elezi.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen këtë të dielën. Ndërsa sot është afati i fundit që të arrijnë votat nga mërgata. Sot po ashtu përfundon edhe fushata zgjedhore e partive politike e cila ka nisur më 3 shkurt 2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat