LVV kërkon të mos anulohen votat e diasporës që janë me dokumente pa afat

Aktuale

LVV kërkon të mos anulohen votat e diasporës që janë me dokumente pa afat

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 15:20
KQZ

(E plotësuar 17:09) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për rinumërimin e dymbëdhjetë vendvotimeve në dhjetë komuna të Kosovës. Krahas kësaj në mbledhjen e sotme u vendos që votat me kusht që kanë shpërputhje dhe nuk janë respektuar procedurat të anulohen. Ndërkohë nga përfaqësues të LVV-së, u kërkua që votat e diasporës të cilat përmbajnë dokumente me afat të skaduar, por që janë të vlefshme të mos anulohen. Derisa edhe adresuan kritika për vonesa në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj derisa i paraqiti katër rekomandime për votim, tha se nga procesimi i rregullt i materialeve zgjedhore janë 27 mijë e 249 vota me kusht, por në bazë të verifikimit në fund do të shihet sa do të jetë numri i saktë i vlefshëm i tyre.

Ahmetaj: Nga procesimi i rregullt i materialeve zgjedhore janë 27 mijë e 249 zarfe me kusht

“Nga procesimi i rregullt i materialeve zgjedhore janë 27 mijë e 249 zarfe me kusht dhe pasi të procedohen edhe këto vota me kusht të cilat janë në karantinë dhe janë në sistem, atëherë do ta dimë shifrën e saktë se sa do të jetë numri i votave me kusht...Rekomandimi i parë ka të bëjë me procedimin e materialeve nga karantina. Ka të bëj me zarfet të cilat pas krahasimeve dhe të gjeturave në QNR rezultojnë se një zarf a po më shumë zarfe rezulton se nuk është respektuar procedura. Rekomandimi është që ato zarfe që nuk kanë nënshkrim të mos përfshihen dhe të refuzohen. Ndërsa zarfet të tjera që konfirmohen me nënshkrime të procesohen si të rregullta. Ky është rekomandimi i parë. Rekomandimi i dytë ka bëjë me gjitha materialet që pas hetimin rezultojnë se nuk kanë probleme dhe të tillat mund të procesohen si të rregullta. Ndërsa rekomandimi i tretë ka të bëjë me formularët e rezultateve që nuk mund të procesohen të rregullta për shkak se në disa raste nuk janë nënshkruar nga komisionarët. Janë disa raste që nuk janë procesuar dhe janë disa raste që ka mungesë të shiritave. Ndërsa rekomandimi i fundit ka të bëjë me rritjen e numrit të vëzhguesve në QNR”, tha ai.

Por kritika për vonesa ndaj punës së QNR-së, adresoi anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alim Rama.

Rama: Po vërej një trend shumë të ngadalshëm të përpunimit të të dhënave

“Po vërej një trendë shumë të ngadalshëm të përpunimit të të dhënave. Kisha kërkua prej sekretariatit të merr të gjitha masat që të përshpejtohen dhe rregullohet procedura në QNR. Sot procesi në vend që fillojë në orën 08:00, nuk ka filluar deri në orën 09:00-09:30. Këto procese janë tepër të ngadalshme. Së dyti kur po shoh te procesimi i formularëve ne jemi tek 55 përqind dhe kemi 120 operator. Kjo i bie që përafërsisht një operatorë në ditë nuk i kalon 1 ose 2 formularë”, tha ai.

Ndërsa, anëtari tjetër i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi kërkoi që votat e diasporës të cilat përmbajnë dokumente me afat të skaduar, por që janë të vlefshme të mos anulohen.

Kurteshi: Dokumentet që s’kanë afat janë të vlefshme

“Ne këtu në KQZ kemi marrë një vendim edhe në Kosovë që personat që kanë dokumente të vlefshme, por nuk kanë afat të votojnë sepse edhe unë kam dokumente të vlefshme, por pa afat. Ne nuk mundemi të bëjmë një trajtim të ndryshëm të personave që kanë votu me postë me personat që kanë qenë këtu dhe kanë mundur të votojnë me dokumente që nuk kanë afat, por janë të vlefshme. Dmth gjitha të dhënat i përmbajnë që duhet t’i ketë një dokument, por iu ka kalu afati për sa edhe unë nuk e di. Prandaj kisha kërku nga KQZ-ja që gjitha rastet që ka dërguar votat e tyre dhe ka dokumente paafat, por janë të vlefshme që ato mos të refuzohen. Ato kishte me qenë një diskriminim në raport me qytetarët që kanë votuar brenda, dmth s’kanë afat, por janë të vlefshme”, tha ai.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur të dielën e javës së kaluar me 14 shkurt. Ndërsa sipas rezultateve preliminare fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 47.85 përqind.

KQZ-ja aprovon rekomandimin për rinumërim të 12 vendvotimeve

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve i ka rekomanduar KQZ-së në mbledhjen e sotme që të rinumërohen 12 vendvotime.

Burim Ahmetaj nga QNR -ja ka sqaruar se ka mungesë të nënshkrimeve nga ana e këshillave të vendvotimit dhe formularë të pa plotësuar dhe se për këtë arsye po kërkohet rinumërimi.

“Kemi të bëjmë me formularë të përputhjes të të dhënave me rezultatet, me formularë të rezultateve të kandidatëve. Në disa raste kemi mungesë të nënshkrimeve nga ana e këshillave të vendvotimit. Kemi raste kur mungon edhe vetë formulari, mirëpo shumicën e rasteve kemi të bëjmë me mungesën e nënshkrimeve dhe me formularë të paplotësuar. Rekomandimi është që të gjitha këto vendvotime të shkojnë në rinumërim të plotë dhe jo të pjesshëm”, ka deklaruar Ahmetaj.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se krahasuar me zgjedhjen e mëparshme, kërkesa për rinumërim të vendvotimeve në këto zgjedhje është shumë më e vogël.

Sipas KQZ-së vendvotimet që rinumërohen i takojnë këtyre komunave: Gjakovë (1); Fushë Kosovë (1); Rahovec (1); Podujevë (3); Prizren (2); Skenderaj (1); Suharekë (1); Ferizaj (1); dhe Vushtrri (1)

VV-ja kërkon të mos anulohen votat e diasporës që erdhen me dokumente pa afat

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi ka kërkuar gjatë mbledhjes së radhës të KQZ-së që të mos anulohen votat e diasporës të cilat përmbajnë dokumente me afat të skaduar por që janë të vlefshme.

Sipas tij, nëse kjo bëhet, atëherë mërgimtarët po diskriminohen pasi ditën e zgjedhjeve, më 14 shkurt KQZ-ja ka marrë vendim që të lejohen të votojnë personat me dokumente me afat të skaduar.

“Ne këtu kemi marrë një vendim që personat me dokumente që janë te vlefshme por pa afat, të mund të votojnë. Nuk mund të bëjmë një trajtim të ndryshëm të personave që kanë dërguar votat me postë me ata që kanë votuar në Kosovë. Kisha kërkuar nga KQZ-ja që të gjitha rastet që kanë dërguar votat e tyre dhe kanë dokumente pa afat por janë të vlefshme, të mos refuzohen se përndryshe do të ishte një diskriminim”, ka thënë Kurteshi.

Ndërkaq, përfaqësuesi tjetër i VV-së, Alim Rama ka kritikuar gjatë mbledhjes punën e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve duke thënë se po vonohet tej mase në përpunimin e të dhënave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur sot gjatë një konference për media nga QNR-ja se deri tani, nga 6700 zarfe me fletëvotime nga jashtë të verifikuara, 4811 janë aprovuar ndërkaq 1891 janë refuzuar. Sipas tij, shkaqet e refuzimit kanë të bëjë me faktin se ato janë dërguar nga persona të refuzuar në periudhën e aplikimit, nga persona të paidentifikuar, nga votues me të dhëna të gabuara apo persona që kanë dërguar fletëvotime më shumë se një herë.

KQZ vendos të rinumërohen 12 vendvotime

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve i ka rekomanduar KQZ-së që të rinumërohen 12 vendvotime.

KQZ në mbledhjen e sotme e miratoi këtë rekomandim të QNR-së.

Sipas KQZ-së vendvotimet që rinumërohen i takojnë disa komunave: Gjakovë (1); Fushë Kosovë (1); Rahovec (1); Podujevë (3); Prizren (2); Skenderaj (1); Suharekë (1); Ferizaj (1); dhe Vushtrri (1). 

Edhe votat e diasporës kanë filluar të numërohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat