​AAK kritikon Kurtin për mungesë të programit

Aktuale

​AAK kritikon Kurtin për mungesë të programit

Më: 14 prill 2021 Në ora: 12:42

(E plotësuar 13:26) - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga qeveria që të ketë prioritet çështjet që prekin qytetarët e Kosovës dhe mos të merret me fushatën zgjedhore në Shqipëri. AAK, në një konferencë për media, ka kritikuar ekzekutivin që ende nuk e ka prezantuar programin qeverisës, për çka kanë thënë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka arritur në pushtet me premtime të mëdha ndërsa tani nuk po dëshmon punë.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se janë dy muaj prej kur Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet në Kosovë por që punët e saj nuk po shihen askund.

Tahiri: Qeveria Kurti e ka zhurmën si tupan e punët askund

“Po e shohim që kjo qeveri është e pushtetit por jo e shtetit, kjo qeveri po shihet që e ka zhurmën shumë të madhe e punët askund, zhurmën si tupan e punë askund. Njëkohësisht po shohim që po ka kohë të shkojë në fushata në Shqipëri, vendin ta mbyll, dhe mos të merret me detyrat prioritare”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se plani i punës i Qeverisë Kurti është dashur të bëhet më herët.

Tahiri: Qeverisja po ndodh me çka i shërbehet në tavolinë dhe jo me një plan

“Qasja që ka ndodhur javët e fundit tregon që qeverisja është duke ndodh çka i shërbehet në tavolinë e jo me një plan i cili është dashur të vijë shumë herët, për shkak se tash janë dy muaj prej kur zgjedhjet kanë përfunduar dhe është dashur që të jetë ky program që është kërkuar për të gjitha qeveritë. Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës janë katër tema jashtëzakonisht që të vinë në program, e para ka të bëjë me energjinë, në asnjë formë në asnjë mënyrë nuk guxon të rritet çmimi i energjisë, e dyta kërkojmë që në atë program të vendoset sa saktësisht miratimi i ligjit të pagave që krijon një barazi”, kashtuar Tahiri.

Tema e tretë më e rëndësishme sipas AAK-së ka të bëjë me Policinë e Kosovës, me sigurimin shëndetësor të policisë dhe pensionimin e parakohshëm.

Sipas Tahirit, Qeveria Kurti do të ketë mbështetjen e AAK-së për këto tema.

Ndërsa deputetja nga kjo parti, Teuta Haxhiu ka bërë thirrje qeverisë që t’i informojë se ku ka arritur me programin qeverisës.

Haxhiu: Qeveria të informojë ku ka arritur me programin qeverisës

“Aleanca i bënë thirrje lidershipit qeveritar të na informojë se ku ka arritur me programin qeverisës kur do të dalë me atë program qeverisës, kur do ta shohim ne, kur do ta shohin qytetarët, qeveria të përfshihet në debate publike me media dhe përfaqësues të opozitës, përfshi në proceset vendimtare edhe ekspertë dhe organizata të profilizuara të shoqërisë civile, është koha që besimin dhe mandatin që ka fituar ta përkthejë në ndryshim. Ajo çfarë shohim deri më tani nuk jep asnjë sinjal shprese që po ecë në rrugën e duhur”, ka thënë Haxhiu.

Në AAK kanë thënë se sfidat në shëndetin publik dhe gjendjen ekonomike nuk lejojnë komoditet për qeverinë dhe as për opozitën.

AAK-ja: Qeveria Kurti po qeverisë pa program 

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri dhe ish deputetja e kësaj partie Teuta Haxhiu kanë mbajtur një konferencë për medie ku kanë akuzuar  qeverinë Kurti që ende nuk ka prezantuar programin qeverisës.

Tahiri ka thënë se tashmë janë bërë dy muaj prej se kanë përfunduar zgjedhjet dhe se me zgjedhjen e qeverisë Kurti deri më tani nuk është prezantuar programi qeveritar.

“Ju kemi ftuar të ngrisim një çështje se për AAK-në është jashtëzakonisht e rëndësishme janë bërë 2 muaj që kur kanë përfunduar zgjedhjet e qeveria Kurti po qeverisë pa program, kjo qeveri është e pushteti dhe jo e shtetit. Kjo qeveri ka zhurmë të madhe”, tha Tahiri.

Ndërsa Haxhiu, ka thënë se AAK-ja kërkon veprim nga partia në pushtet.

“ Ne deri më tani kemi parë veprime popullsitë. Kemi parë një vendim të padrejtë dhe asnjë bazë shkencore me të cilën u goditë ekonomia e vendit. Si është e mundur të mbyllësh në njërën anën shtëpinë tënde, ndërsa në anën tjetër të luash lojën e djallit të shkosh në shtetin amë. Ky është një paradoks që vetëm kjo qeveri mund ta bëjë. I Zoti i shtëpisë prioritet duhet ta ketë shtëpinë. Kjo qeveri nuk ka treguar. Një qeveri që ka dalë nga mbështetja popullore, nuk duhet të frikësohet”, tha Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat