Dështon të nis shqyrtimi kryesor në rastin, ku Ikballe Berisha po akuzohet për shtytje në terrorizëm

Aktuale

Dështon të nis shqyrtimi kryesor në rastin, ku Ikballe Berisha po akuzohet për shtytje në terrorizëm

Më: 19 prill 2021 Në ora: 13:50
Ikballe Berisha

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka dështuar të nis gjykimi ndaj të akuzuarës për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, Ikballe Berisha-Huduti.

Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e prokurorit Afrim Shefkiu, i cili sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismajli, e kishte njoftuar gjykatën se për shkaqe shëndetësore nuk do të mund të ishte prezent në sallë të gjykimit.

Në këto rrethana, seanca u shty në kohë pacaktuar.

Ndryshe, seanca fillestare në këtë rast ishte mbajtur më 30 tetor të vitit 2020, gjatë së cilës e akuzuara kishte mohuar fajësinë për veprën penale më të cilën e ngarkon PSRK.

Ndërkaq gjatë shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 3 dhjetor 2020, e njëjta kishte kërkuar hudhjen e aktakuzës ndaj saj, e cila kërkesë ishte refuzuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ky rast fillimisht i ishte ndarë në punë gjykatëses Albina Ramaj–Shabani, mirëpo pas rritjes së numrit të gjykatësve në këtë departament, ky rast i është caktuar gjykatësit Vesel Ismajli.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 30 shtator 2020, Ikballe Berisha-Huduti akuzohet se me 4 janar 2020, përmes rrjetit social “Facebook” kishte postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese, duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria Amerikane e Qassem Solejmani-gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara kishte postuar tekstin “Populli Irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralët të tyre Gjeneral Sylejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dasht durimin ngase të mbysësh Zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim, por nuk ka kufi”.

Për këtë postim, PSRK po pretendon se e njëjta kishte shkaktuar rrezikun që një ose më shumë vepra të tilla të kryhen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më këtë veprim, PSRK-ja po e akuzon atë për kryerjen e veprës penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga neni 134 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat