Presidenti Biden: Mbështesim një marrëveshje Kosovë-Serbi – me njohje të ndërsjellë

Aktuale

Presidenti Biden: Mbështesim një marrëveshje Kosovë-Serbi – me njohje të ndërsjellë

Më: 21 prill 2021 Në ora: 06:35
Joe Biden

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet për të siguruar një paqe të qëndrueshme përmes bisedimeve Kosovë-Serbi, me një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, që ka në thelb njohjen e ndërsjellë.

Këto komente janë pjesë një letre me të cilën presidenti Biden përgëzoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e zgjedhjes në këtë post.

Në letrën e shpërndarë nga zyra e zonjës Osmani thuhet se "normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është thelbësor që Kosova të realizojë potencialin e saj dhe të integrohet plotësisht në institucionet Euro-Atlantike”. Ne letër nënvizohet se përmbushja e këtij qëllimi “do të kërkojë fleksibilitet dhe kompromise të vështira gjatë rrugës dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë partneri i Kosovës në çdo hap”.

Mes tjerash presidenti Biden i është referuar një letre të presidentes Osmani për nevojat që Kosova ka për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19.

Aty thuhet se Shtetet e Bashkuara kanë ndarë 4 miliardë dollarë ndihma nëpërmjet programit COVAX për të mbështetur vendet në nevojë për vaksina në mesin e të cilëve ka përfituar edhe Kosova. Presidenti Biden shkroi se derisa Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e ndarjes së vaksinave me vendet tjera, duke nënvizuar se ekipi i tij do të mbetët në kontakt për të gjitha këto zhvillime.

Kosova mbetet vendi i fundit në rajon me numrin e të vaksinuarve. Në fund të muajit të kaluar Kosova mori 24 mijë doza në kuadër të programit COVAX nga rreth 100 mijë sa i janë premtuar.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen bëri të ditur sot përmes faqes së saj në Twitter se “95 mijë doza të vaksinave të financuara nga Bashkimi Evropian do të arrijnë në Kosovë që nga muaji maj e deri në fund të gushtit”.

Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi tha në një konferencë me gazetarë se vaksinat pritet që shumë shpejt të shpërndahen te vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo do të thotë që në fillim të majit dhe muajit tjetër ne duhet të jemi në gjendje të sigurojmë të gjitha vaksinat për punonjësit shëndetësor në gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Opozita në Kosovë është shprehur kritike ndaj qeverisë lidhur me sigurimin e vaksinave dhe çështja pritet të debatohet në parlament javën që vjen.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në opozitë, Abelard Tahiri, tha se debati për vaksinat është një çështje urgjente.

“Tashmë kemi një angazhim të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sigurim të vaksinave, por nuk kemi angazhim nga institucionet. Numri i vdekjeve po rritet e numri i testimeve po bie. Besoj që ky debat që do të bëhet të hënën do t’i kontribuojë sa më shumë situatës”, tha zoti Tahiri.

Janë bërë tri javë kur Kosova filloj procesin e vaksinimit dhe gjatë kësaj periudhe janë vaksinuar pak më shumë se 18 mijë persona.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat