Kurti: Rritja e buxhetit për FSK-në do të jetë prioritet edhe në vitet e ardhshme

Aktuale

Kurti: Rritja e buxhetit për FSK-në do të jetë prioritet edhe në vitet e ardhshme

Më: 12 maj 2021 Në ora: 16:50
Pamje nga takimi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati sot një takim të veçantë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i FSK-së e njoftuan kryeministrin lidhur me përgatitjet për stërvitjen e forcave amerikane me forcat aleate “Defender-Europe 21”, ku Kosova do të jetë në mesin e 16 vendeve pritëse dhe pjesëmarrëse në stërvitje me trupat e saj ushtarake.

Gjithashtu, ata njoftuan kryeministrin edhe me procesin e bashkë-zbarkimit të kontingjentit të FSK-së krahas trupave amerikane në misionin paqeruajtës në Kuvajt.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të aftësive dhe rritjen e kapaciteteve operacionale, si dhe implementimin e planeve për të ardhmen në funksion të përmbushjes së plotë të misionit kushtetues dhe ligjor të FSK-së.

Kryeministri Kurti shprehu zotimin që sikurse me rritjen buxhetore prej mbi 100 milionë euro për vitin e ardhshëm, FSK-ja do të mbetet prioritet edhe në vitet pasuese.

Përkrahja e Forcës së Sigurisë, sipas kryeministrit, është e domosdoshme në mënyrë që vendi ynë të ketë ushtri të mirëtrajnuar e të pajisur sipas standardeve të ushtrive moderne të vendeve të NATO-s, të jetë e gatshme për mbrojtjen e vendit dhe kontributdhënëse për paqen, sigurinë dhe stabilitetin global.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat