​Mbi 51 mijë qytetarë marrin vaksinën antiCOVID-19

Aktuale

​Mbi 51 mijë qytetarë marrin vaksinën antiCOVID-19

Më: 19 maj 2021 Në ora: 13:47
Niman Bardhi

Që nga nisja e procesit të vaksinimit e deri më tani në Kosovë janë mbi 51 mijë persona që tashmë kanë marrë vaksinë kundër COVID-19.

Procesi i vaksinimit është duke vazhduar ende dhe paralelisht me grupmoshat mbi 65-vjeç po vaksinohen edhe profesionistët shëndetësor. Kështu ka treguar koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi.

Bardhi ka folur edhe rreth shqetësimit të të moshuarve për aplikimin online në mënyrë që të marrin më pastaj vaksinën për mbrojtje nga infektimi me virusin korona.

Ai tha edhe se problemet me aplikimin online në eKosova janë ende evidente.

Bardhi: Mbi 51 mijë të vaksinuar deri më sot

“Edhe sot është duke vazhduar vaksinimi në sallën ‘1Tetori’ po ashtu edhe në gjitha qendrat kryesore të mjekësisë familjare me grup moshat 65-vjec e mbi. Aktualisht deri më tash bë sallën ‘1 Tetori’ janë mbi 250 persona tashmë të vaksinuar, ndërsa nëse flasim deri në këto qaste në nivel vendi kemi diku rreth 1 mijë e 430 persona të vaksinuar. Kurse shifrat totale nga dita e parë e vaksinimit e deri më tash është gjithsejtë mbi 51 mijë e 400 vaksina të dhëna tashmë. Paralelisht me grupmoshën që kemi 65-vjec kemi edhe profesionistë shëndetësor duke u vaksinuar. Interesimi për t’u vaksinuar është shumë e madhe dhe ne me ekipet mjekësore që kemi në sallën ‘1 Tetori’ dhe në vendet tjera është duke ecur si është më së miri”, tha Bardhi.

I pyetur lidhur me furnizimin me vaksina ai nënvizoi se ata përdorin kontingjentin që i’u dërgohet ndërsa për çështje tjera vendosin të tjerët.

Bardhi: Ne vazhdojmë me kontingjentin që kemi, për çështje tjera vendosin të tjerët

“Sa i përket shqetësimit të qytetarëve për shkak të vështirësive në aplikim ajo akoma është evidente, tek moshat e mëdha kuptohet që është i padiskutuar por shpresojmë që shumë shpejtë ajo lehtësi të jetë prezentë. Kurse sa i përket çështjes së procesit të vaksinimit, ne vazhdojmë me kontingjentin që kemi, na i sjellin dhe ajo është procedura jonë, për çështje tjera vendosi të tjerët dhe jo ne”, deklaroi Bardhi.

Kujtojmë që në mbrëmjen e 28 marsit, në Kosovë kanë arritur dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit. Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Një ditë më pas filloi edhe procesi i vaksinimit, ku i pari që mori vaksinën ishte, kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Që nga 13 marsi i vitit 2020-të e deri më tani janë 107,003 raste pozitive me COVID-19 nga 575.614 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.227 raste të vdekjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat